Berisha: “Shqipëria bëhet vendi i parë me internet falas në tërë territorin e saj”

477
Sigal

U inaugurua dje projekti i Postës Shqiptare PAP-2, i cili do të bëjë të mundur përdorimin e internetit falas në shumë zona të vendit. Kryeministri Berisha i pranishëm në këtë ceremoni tha se, ky është “projekt unik në botë, për shpërndarjen falas të internetit në tërë territorin e vendit”. Sipas tij, në vitin 2005 interneti ka qenë me pikatore ndërsa tani është 130 herë më i madh fluksi i tij. “Kjo është një fushë me zhvillim të shpejtë, nëse do ta ndjekësh duhet të vraposh sepse ndryshe mbete jashtë kohës”.

Kreu i qeverisë nënvizoi se: “Me këtë projekt Shqipëria duket se do jetë i vetmi vend në botë që furnizon me internet falas çdo cep të territorit të saj”.  “Lundrimi në botën virtuale është bërë jetike për njerëzit, e drejta për komunikimin është e drejta për të vërtetën. Shpreh vlerësimin tim më të madh për inaugurimin e këtij projekti, që vjen pas një sërë projektesh të shkëlqyera që posta Shqiptare ka sjellë e ofruar në këto vite”, shtoi Berisha ndërsa inkurajoi Postën, për të rritur në universitete numrin e pikave të aksesit të internetit falas. Ndërsa në Facebook, Kryeministri shkruan: “Të dashur miq, sot inauguruam projektin e Postes Shqiptare të dhënies së Internetit falas në 1250 zyra publike. Me këtë projekt Shqipëria bëhet vendi i parë që ofron Internet GRATIS në tërë vendin. Kjo do bëjë të mundur që çdo qytetar të përfitojë nga Interneti dhe shërbimet dixhitale falas. Projekti u bë i mundur pas ndërtimit të autostradës dixhitale Tiranë-Prishtinë. Sot fluksi i Internetit që importohet është rritur, krahasuar me vitin 2005 mbi 1300 herë, ose është rritur nga 34 Mega bit për Sekondë (Mbps) në 44 Giga bit për sekondë (Gbps) dhe kapacitetet aktuale të autostradës janë për 130 Gbps. Internet me bandë super të gjerë për çdo familje është qëllimi ynë.