Berisha-Ramës: Nuk do marrësh asnjë votë në veri

462
Sigal

Ish-kryeministri Sali Berisha, duke marrë fjalën në seancën parlamentare për votimin e ligjit të vetting-ut në kuadër të reformës në drejtësi, ka deklaruar se kjo seancë mbahet në një moment kur krimi ka pushtuar gjithë vendin.

“Seanca mbahet kur në vetëdijen e çdo shqiptari është shndërrimi i vendit në kanabistan. Shndërrimi i Shqipërisë në kanabistan përbën krimin më të rrezikshëm në këto vite”, ka thënë Berisha. Duke iu drejtuar kryeministrit Rama, Berisha ka përsëritur akuzat për kriminalizim të strukturave të shtetit.

“Urime që zgjodhe Arben Ndokën president të Federatës së Mundjes. Kjo është piramida më e rrezikshme me të cilën përballen Shqipëria dhe shqiptarët”, ka thënë Berisha.  Ai i ka kujtuar kreut të qeverisë edhe një batutë, që sipas tij ai ia ka thënë ambasadorëve për veriun. “Ti i bën këto kur një ambasadori i ke thënë se veriorët janë kriminelë dhe duan kriminelë. Një urrejtje kjo që nuk ishte as në kohën e diktaturës”, ka thënë Berisha.

Sa i takon reformës, ai ka nënvizuar se, “opozita ka luftuar shumë për standardin e këtij ligji, por tani po prishet konsensusi”. “Është detyrimi ynë që reforma të ketë sukses. Ne përcaktuam një mënyrë tjetër për verifikimin e gjyqtarëve, por ju po e prishni”, ka thënë më tej Berisha.