Rama: Do të spastrojmë ata që kanë marrë peng drejtësinë

482
Kryeministri Edi Rama, duke marrë fjalën në seancën për votimin e ligjit të vetting-ut, ka deklaruar se kemi të bëjmë me hapin më të rëndësishëm të të gjithë reformës në drejtësi. 
“Sot jemi pranë një kurorëzimi të rëndësishëm, që është baza e reformës në drejtësi, që i hap rrugë fshesës së hekurt në pallatin e drejtësisë dhe nis spastrimin e saj nga ata që kanë marrë peng drejtësinë në këtë vend, kanë marrë peng liri e të drejta, e kanë kthyer drejtësinë në një mall që shitet e blihet dhe kanë penguar jo vetëm çdo qytetar në rrugën e vetë për të marrë të drejtë, por një popull të tërë”, ka deklaruar Rama. 
Sipas tij, ata që kundërshtojnë reformën në drejtësi kanë probleme me drejtësinë. “Ata që duan të pengojnë këtë proces të rëndësishëm janë ata që kanë frikë se çfarë vjen pas kësaj reforme”, ka thënë shefi i qeverisë, duke akuzuar opozitën për prishjen e konsensusit. 
“Ne i bëmë të gjithë përpjekjet për konsensus, por nuk mund të ketë një konsensus alla shqiptarçe që bie ndesh me atë të partnerëve, në kuadër të integrimit në BE”, ka thënë Rama. 
Ai ka paralajmëruar se, “nga kjo reformë çdo politikan, sado legjendar e sado historik do ta ketë të pamundur t’i shpëtojë drejtësisë përmes kërcënimeve dhe përmes thirrjeve një pjese të popullsisë që të urrejë pjesën tjetër”. 
“Venecia na rekomandon që këto masa janë jo vetëm të nevojshme, por të domosdoshme. Askush nuk do të mund t’i shpëtojë drejtësisë. Drejtësia vonon por nuk harron”, ka vijuar Rama.
Sigal