Berisha: Rama-Kokëdhima sulm institucioneve, u kërcënua Presidenti

458
Sigal

Kryeministri në largim Sali Berisha reagoi dje  përmes rrjetit të tij social, mbi deklaratat e bëra nga Rama për Presidentin, Kryeprokurorin dhe Guvernatorin e BSH-së. Berisha theksoi se kreu i PS-së sot sulmoi institucionet kushtetuese, Presidentin dhe kërcënon me largime nga puna administratën. Në citimin e nisur me një shprehje shkodrane ‘Tash po ju kalon vendi!’, Berisha thekson se, sulmi vulgar i Ramës me Kokëdhimën nuk janë aspak çudi dhe të papritura.  Teksti i Berishës në Facebook:

“Të dashur miq, dyshja Rama-Kokëdhima vazhdojnë furishëm revanshin e pandalshëm dhe kërcënimet vulgare ndaj institucioneve të vendit. Dje ata, në Tvvitter, hapen tenderin për fshesën e administratës. Sot në fjalën e tij, zoti Rama kërcënoi Presidentin me 84 votat e tij, pasi nuk arriti të konsolidojë projektin aventuror për shkarkimin antikushtetues te Presidentit dhe heqjen se paku të tij nga Kryetar i KLD-së dhe vendosjen e këtij institucioni nën drejtimin e Kryeministrit. Ai sulmoi dhe kërcënoi qeverinë sepse ai beson se ata kanë marrë një mandat për 4 vjet e tre muaj. Sulmoi dhe kërcënoi Prokurorinë sepse ëndërron rikthimin e tregtarëve të dosjeve dhe militanteve të PS që e kishin shndërruar atë në një repart fanatik të PS-së. I ngarkon detyra Guvernatorit duke harruar se Banka është e shtetit dhe jo e qeverisë. Programin ia ka besuar Beqes dhe Yllit, ndërsa për Koçon dhe veten kanë zgjedhur sulmin, revanshin ndaj institucioneve kushtetuese dhe cdo gjëje jo socialiste. Asgjë të papritur as dhe për tu çuditur nga çifti Rama – Kokëdhima. Shkodranët e kanë një shprehje: “Tash po ju kalon vedi!”

 

 Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha uron për Ramazanin

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha u ka uruar agjërim të lehtë dhe të pranuar, të gjithë besimtarëve myslimanë të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë. “Të dashur besimtarë myslimanë, ju uroj në këtë muaj të shenjtë, agjërim të lehtë dhe të pranuar, lumturi paqe dhe harmoni në çdo familje shqiptare! Uroj që sakrifica fisnike dhe hyjnore e këtij muaji, të shndërrohet në dritë dhe mbarësi për të gjithë agjëruesit, familjet dhe vendin tonë! Ramazani është muaji që kultivon paqen, mirëkuptimin e respektin, ndaj uroj që ky muaj i shenjtë i Ramazanit, të shërbejë për rritjen dhe forcimin e solidaritetit e të dashurisë ndërmjet njerëzve!”

 Basha: Anëtarët e PD-së do të jenë pjesë e përzgjedhjes së kandidatëve për drejtues të partisë, pushtetit vendor dhe deputetëve

 Kandidati për kryetar të PD-së, Lulzim Basha ka prezantuar platformën e tij, për drejtimin e PD-së para anëtarëve të kësaj partie, në Njësitë Bashkiake nr.10, në kryeqytet. Zoti Basha ka theksuar në këtë takim, vizionin e tij të drejtimit të PD-së, anëtari i kësaj partie do të jetë pjesë e rëndësishme e vendimmarrjes. Zëri i anëtarit, – theksoi zoti Basha, do të dëgjohet në përzgjedhjen e kandidaturave drejtuese e kandidatëve për deputetë, drejtuesve vendorë etj.. “Çdo anëtar i Partisë Demokratike, që këtej e tutje duhet dhe do të ketë vendin, për të thënë fjalën e tij, nga veprimet taktike në terren deri tek përzgjedhja e kandidaturave drejtuese, deri tek përzgjedhja e kandidatëve për deputetë. Për mua, është hapi i parë drejt fillimit të ri. Ju garantoj se me përkushtimin tim dhe përkushtimin tuaj, do ta nxjerrim përsëri në opozitë Kryesocialistin dhe do i rikthejmë pushtetin PD”, – u shpreh z. Basha.

 Zoti Basha ka theksuar se, demokratët, nën drejtimin e tij do u rikthejnë shpejt shqiptarëve maxhorancën morale, pasi maxhoranca e re dëshmoi se është  kundër interesit të qytetarëve dhe është vetëm maxhorancë pazaresh.  “Përballemi sot me një maxhorancë që është standardi më i ulët i së kaluarës 22-vjeçare. Ata janë Shqipëria e dredhive dhe e pazareve. Ata janë Shqipëria e mashtrimit dhe e tjetërsimit, një maxhorancë me sy të babëzitur drejt pasurive publike të shqiptarëve. PD duhet të jetë gati t’i përgjigjet, si maxhoranca morale e shqiptarëve dhe e qytetarëve shqiptarë kudo ku ndodhen”. Kandidati për kryetar të Partisë Demokratike Lulzim Basha ka theksuar se në themel të fillimit të ri qëndron evidentimi i plotë i kontributeve të anëtarëve të PD dhe vlerësimin e përhershëm të këtij kontributi.  “Analiza duhet dhe do të fillojë me evidentimin e plotë të kontributit të anëtarësisë së PD ndër vite. Nuk ka dhe nuk mund të ketë një fillim të ri, pa bërë të mundur që gjithçka që anëtarët e PD japin dhe kanë dhënë ndër vite, të evidentohet dhe të kthehet në një kapital të çmuar politik për forcën tonë politike dhe jo të harrohet në krye të çdo fitoreje

   

Sokol Olldashi në Ersekë dhe Leskovik: Çdo opozitar, i mirëpritur në shtëpinë e opozitës!

Sokol Olldashi, kandidat  për postin e Kryetarit të PD-së u takua me anëtarë dhe simpatizantë të kësaj partie në Ersekë dhe në Leskovik. Gjatë prezantimit të projektit të tij për drejtimin e Partisë më të madhe të së djathtës në Shqipëri, Olldashi deklaroi se, PD-ja duhet të riorganizohet në formatin e saj organizativ dhe politik për të nisur një aksion opozitar që do të sjellë rikthimin e saj force fituese në vend. “Duhet të përcaktojmë disa kufij politikë dhe t’u japim qytetarëve një kartë morale të fortë opozitare . Opozita është moral dhe jo numra në Parlament. Në qoftë se ne do të jemi në gjendje, t’ju ofrojmë qytetarëve këtë, jam I bindur se ne do të shndërrohemi shumë shpejt në shumicë. Përmes një veprimi shumë të fortë opozitar, përmes një veprimi shumë të qartë opozitar, përmes fokusimit në problemet reale që ka ky vend. Kemi përballë maxhorancën e Edi Ramës, një njeri i provuar që ndërton vetëm pushtet klientelist dhe të korruptuar. Kemi pjesë të pushtetit të Edi Ramës dhe vektorin e Ilir Metës që nuk është as parti politike, as formacion politik, por është një çete hajdutësh”, – tha Olldashi.

 

Në Ersekë: “Duhet të bashkojmë çdo opozitar!”

Kandidati për të kryesuar PD-së, Sokol Olldashi në takimin e zhvilluar me anëtarët e kësaj partie në Leskovik bëri thirrje për një bashkim opozitar. Olldashi deklaroi se PD-ja duhet të hapë dyert për të gjithë faktorët opozitarë për të ndërtuar një themel të sigurt të fitores në sfidën më të parë elektorale. “Ne duhet të bashkojmë çdo opozitar.  Të vijë këtu çdo njeri që është i gatshëm të përballet me qeverinë e Edi Ramës. Duhet të jetë pjesë e jona çdo njeri që është I gatshëm të veprojë dhe te funksionojë si opozitar”, – tha Olldashi. Në referencë të garës elektorale, Olldashi  tha se PD-ja do të aplikojë një paketë ristrukturimi bazuar në mekanizma që do të forcojnë jetën  e brendshme politike.

 Pogradec/Olldashi: Në Shqipëri ka vetëm dy pole politike, LSI iu kthye partisë mëmë

Sokol Olldashi deklaroi në Pogradec se në Shqipëri ka vetëm dy pole politike dhe se mbi këtë tezë duhet të përqendrohet veprimi opozitar.LSIiu kthye partisë “ mëmë” – deklaroi Olldashi gjatë takimit me anëtarë dhe simpatizantë në Pogradec, me të cilët zhvilloi një bashkëbisedim të hapur, rrethe platformës së tij për drejtimin e PD-së. “Duhet të identifikojmë palët politike, gjithmonë në kuadër të veprimit opozitar. Sot, Shqipëria ka dy palë politike, ka qeverinë e Edi Ramës, pjesë e së cilës është edhe Ilir Meta dhe opozitën PD-në. Ne duhet të identifikojmë dhe të shënjestrojmë si objektiv, qeverinë e Edi Ramës. Edi Rama dhe Ilir Meta janë pjesë e së njëjtës së keqe, janë partia mëmë, janë bërë prapë bashkë dhe ne e kemi fokusin të përqendruar tani. Ky është objektivi që ne do të rrëzojmë, në përballjen e parë elektorale me ta”,- tha Olldashi. Duke folur për paketën e ristrukturimit të Partisë Demokratike, z. Olldashi deklaroi se do të punojë ngushtësisht me strukturat në bazë, për të zhdërvjelltësuar jetën politike brenda partisë dhe për të ndezur motorët e kontrollit të territorit, në këndvështrimin elektoral. “Të përforcojmë disa lidhje që kishin filluar të zbeheshin me militancën e partisë , me anëtarin e thjeshtë të saj. Shumica e kapaciteteve njerëzore të korpusit politik të PD-së, duke filluar nga Kryesia, Këshilli Kombëtar dhe deri tek grupet e punës u angazhuan në qeverisje, parlament dhe në administratë , duke ngathtësuar lidhjen me strukturat bazike të Partisë.