Basha hesht, sherr në PD për listën e qeverisë së PS-së

552
Kryetari demokrat vijon të mungojë në daljet publike dhe qëndrimet për zhvillimet politike. Selia blu në kaos
Lulzim Basha vazhdon të heshtë dhe të mos japë asnjë koment apo qëndrim për zhvillimet e fundit politike, ku spikat diskutimi për qeverinë e re të kryeministrit Edi Rama. I larguar me pushime vetëm disa ditë pas rikonfirmimit në krye të PD-së në garën e 22 korrikut, Lulzim Basha është shfaqur rrallë me qëndrime politike gjatë gushtit. Kjo heshtje vijon edhe në këto ditë kur po shtohen gjithnjë e më tepër ethet për përbërjen e qeverisë së re. Ndërkohë nuk ka munguar një tjetër “provokim” politik, ai i trajtimit në media të mundësisë së përfshirjes së një përfaqësueseje të opozitës në kabinetin “Rama 2”. Emri i Majlinda Bregut është trajtuar nga media, referuar burimeve politike, si ministre e Shtetit për shqiptarët në botë apo ndoshta edhe në postin e ministrit të Jashtëm, që duket se do të lihet i lirë nga Ditmir Bushati. Si ish-ministër i Jashtëm, Basha nuk ka rezervuar asnjë koment as për mbledhjen e kryeministrit me ambasadorët e Shqipërisë dhe akuzat e forta që Rama hodhi në drejtim të diplomatëve shqiptarë. Ndërkohë, ende mbetet i paqartë plani politik i opozitës në mandatin e ri që do të nisë në fillim të shtatorit. Deputetët e zgjedhur të PD-së më 25 qershor kanë zhvilluar vetëm një mbledhje me kryetarin Basha, ndërsa nuk ka asnjë konfirmim se cili do të jetë kryetari i grupit parlamentar apo zëvendëskryetari i Kuvendit, që i takon opozitës. Në të njëjtën kohë është paralajmëruar edhe një proces reformues brenda Partisë Demokratike, që ende është i paqartë se si do të zhvillohet. 

Debati
Partia Demokratike është përfshirë nga polemikat, këtë herë për përbërjen e qeverisë së kryeministrit “Rama”. Pas fitores së mandatit të dytë qeverisës, Edi Rama po mendon ndërtimin e ekzekutivit, ndërsa media ka publikuar edhe mundësinë e përfshirjes së Majlinda Bregu si ministre. Më parë ministre në qeverinë “Berisha”, Bregu ka qenë një kundërshtare e fortë e Lulzim Bashës brenda partisë, ndërsa emri i saj, sipas burimeve të medies, është shqyrtuar si ministre e Shtetit për shqiptarët në botë. Është ky i posti i ri që do të krijohet dhe që vetë Rama e shpalli dy ditë më parë. “Qeveria e re do të ketë dhe një ministër shteti ekskluzivisht për shqiptarët jashtë atdheut”, tha Rama, duke premtuar edhe votimin e emigrantëve në zgjedhjet e ardhshme. Ndonëse përfshirja e Bregut në qeverinë “Rama” nuk ka as konfirmim dhe as mohim zyrtar, demokratët janë përfshirë debate. Fillimisht ka qenë një reagim i Agron Shehajt, deputetit të zgjedhur demokrat të qarkut të Vlorës. “Obobo Rama mori Majlinda Bregun. Urojmë që shumë shpejt të na marrë dhe Patozin!”, shprehej Shehaj në rrjetet sociale, duke ironizuar kundërshtarët brenda partisë. Drejtues i listës së Vlorës, vetë Shehaj mori një rezultat zhgënjyes në këtë qark, duke lënë jashtë Kuvendit të ri edhe sekretarin e përgjithshëm, Arben Ristani. Komenti i Shehajt është pasuar nga disa reagime në rrjetet sociale, që i kujtojnë drejtuesit të listës së Vlorës rezultatin e dobët më 25 qershor. 
Sigal