Berisha: Ne nuk e lëshojmë parlamentin, parlamenti është i qytetarëve jo i banditëve dhe kriminelëve

101
Sigal

Me sjelljen e djeshme ndaj Parlamentit, Edi Rama tregoi edhe njëherë tjetër se nuk e do opozitën aty. 

Por përgjigjen ia dha sot kryetari i PD, Sali Berisha duke deklaruar se opozita nuk do të bojkotojë, por do të bëjë rezistencë të fortë në Kuvend.

“Ne jemi njerëz të betejës dhe jo të bojkotit, jo. Unë edhe dje e theksova, aty në parlament, i them s’ke parë gjë akoma me rezistencën tonë. Nuk e lëshojmë ne parlamentin, parlamenti është i qytetarëve, nuk është i horrave, i banditëve, i kriminelëve, vrasësve, ndaj dhe ne nuk e lëshojmë. Ne do të qëndrojmë aty me një rezistencë më të fuqishme se kjo që shqiptarët kanë parë deri më sot. Po pse e bëjmë ne atë? Sepse parlamenti me kushtetutë është për t’i dhënë mundësi opozitës të kontrollojë qeverinë dhe jo për ta përjashtuar, asgjësuar siç do ai me Lindën e tij. Kjo është një gjë e paimagjinueshme. Ne dorëzojmë ligje, sepse qytetarët presin nga ne që të shohin, se ne jemi ligjbërës. Me shumë të drejtë, ata thonë çfarë ligjesh po dorëzojnë ata deputetë tanë aty për të mbrojtur interesat tona. Ligjet tona me urdhër të Ramës, Linda i fut në sirtar, nuk ndodh kurrë në botë, nuk mund të bëhet ajo kurrë. Ka rregulla, ajo rregullore është kushtetuta e parlamentit. Ky është parlamenti sot“, tha Berisha gjatë takimit që pati në selinë blu me grupet e punës së PD në Tiranë.