Berisha në Durrës: Agonia e PD lavdi zotit mori fund, i themi besëprerit se koha jote mori fund

227
Sigal

Lideri historik i PD, Sali Berisha iu bashkua festimeve të degës së PD në Durrës, në kuadër të 31-vjetorit të themelimit.

Përpara themeluesve dhe mbështetësve demokratë, Berisha u shpreh se koha kur PD dhe opozita ishin në agoni mori fund.

Sipas Berishës, më lëvizjen e nisur prej tij nga muaji shtator, opozita është në rrugën e shndërrimit të saj në forcë vigane dhe të vërtetë.

“Po me këto ideale ajo ia doli në 8 vite të ndryshojë Shqipërinë më shumë se në të gjitha kohërat ndoshta të marra së bashku. Pikërisht këtu qëndron dhe një nga shkaqet madhore të ringritjes së saj të fuqishme këtë vjeshtë dhe ne sot fatmirësisht bashkohemi këtu dhe jemi kudo në Shqipëri, nga një opozitë në gjendje agonie, vite dritë larg asaj që duhet të ishte dhe të jetë PD, në një opozitë të vërtetë.

Sot, unë deklaroj përpara jush dhe shqiptarëve se raporti më jetik, më vendimtar për pluralizimin politik dhe lirinë e një shoqërie është raporti i opozitës me të vërtetën. Një opozitë mund të jetë e madhe, mund të mos jetë e madhe, mund të fitojë dhe të humbasë, por gjithnjë ajo është shpresëndjellëse nëse është e vërtetë. Ne kaluam nga njëra disfatë në tjetrën. Ne pushuam në disa aspekte së qeni opozitë e vërtetë, kufiri midis qëndrimit opozitar të PD dhe qëndrimit absolutisht kriminal të strukturuar të qeverisë, po shuhej nëse kjo e fundit me vendimet dhe veprimet e saj, çdo ditë, javë, muaj, mbillte dëshpërim, pasuri, zhgënjim, shpunësim te qytetarët, opozita në një lloj imitimi të saj nuk ngjallte shpresë, nuk ngjallte besim, nuk ngjallte optimizëm.

Kjo ishte një fatkeqësi kombëtare e madhe, po aq e madhe sa qeveria kleptokratike e Tiranës. Mirëpo, kjo kohë mori fund, lavdi zotit. Ne kremtojmë sot përvjetorin e themelimit të degës së PD në Durrës dhe mbarë Shqipërisë, si një opozitë vigane, e vërtetë, si një opozitë që rikthen vlerat më të arrira, mbi të cilat qëndron një forcë konservatore, rikthen liritë dhe të drejtat e qytetarëve, rikthen familjen dhe vlerat e saj, riktheu atdhetarinë dhe patriotizimin. Riktheu ato vlera që çdo shoqëri e lirë i ka mbrujtur, i ka ruajtur, i ka përcjellë nga brezi në brez për të ecur të sigurtë drejt një të ardhme që meriton.

Sot jemi të lirë sepse pavarësisht nga regjimi i krimit, nga dhuna dhe presioni, ne vendosëm këtë vjeshtë të ngrihemi si njerëz të lirë. Ne vendosëm t’i themi besëprerit se koha jote mori fund, ne vendosëm t’i themi Edvin Ramës se mos luaj me opozitën. Shumë shpejt do ta provosh sa shumë do të paguash për lojën tënde ma pluralizimin dhe opozitën shqiptare”, u shpreh Berisha.

Berisha foli edhe për rrugëtimion 31-vjeçar të PD, si forca politike që i ka rezistuar kohës, ndryshe nga partitë simotra në Europën Juglindore.

“Sot pas 31 vitesh, mbetet një nga dy forcat politike më të mëdha në Europën ish-komuniste. Duhet të pranojmë se forcat politike që përmbysëm diktaturat komuniste në fillim të viteve 90, nuk i rezistuan kohës, misioni i tyre mbaroi me atë akt historik madhor që kryen. kjo nuk ndodhi me PD-në. PD me gjithë tronditjet e mëdha që pësoi, përsëri mbeti forcë kryesore politike e vendit. Ajo kishte rast, kishte periudha shumë herë më të vështira se simotrat e saj në vendet ish-komuniste, në të cilat ajo mund të përfundonte në arkivat e historisë. Por kjo nuk ndodhi, para së gjithash falë idealeve fisnike të burrave dhe grave, të rinjve dhe të rejave, idealeve të shtresës së të përndjekurve politikë, që kishte sakrifikuar mijëra jetë, shekuj e mijëravjeçarë vite rinie, për idealet më të larta njerëzore, liritë e individit, besimin te zoti dhe Shqipëria. Janë këto ideale dhe guximi e kurajo e demokratëve për të mbrojtur ato edhe në kohërat më të vështira, ato që bënë, që PD të mbijetonte rebelimin komunist, të mbijetonte rebelimin komunist të 97 dhe të përzinte me votën e lirë nga pushteti ata që erdhën me dhunë dhe terror në pushtet”, tha Berisha.