Berisha: Jemi katër vende poshtë Vietnamit komunist në raport me shtetin ligjor!

100
Sigal

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është shprehur se Shqipëria është 4 vende më poshtë në renditje, në raport me shtetin ligjor.

Komentet Berisha i bëri gjatë një mbledhjeje me Grupin Parlamentar në selinë e PD-së, ku shtoi se po bëhet gjithçka nga maxhoranca që opozita të bojkotojë Parlamentin, por që sipas tij kjo gjë nuk do të ndodhë.

Ai ftoi qytetarët që të protestojnë ditën e sotme në orën 17:00 përpara Parlamentit, duke theksuar se ky institucion nuk merr parasysh asnjë nga kërkesat e opozitës dhe zëri i qytetarëve që përfaqësojnë atë nuk dëgjohet.

“Ligjet kanë marrë fund këtu. Mbetet gjithçka nën vullnetin e një njeriu. E vërteta është se ligjet dhe kushtetuta janë sot një letër e vdekur në këtë vend. Ju e morët vesh sesi GJK në mënyrën më të habitshme kapitulloi përfundimisht përpara Erion Veliajt dhe Edi Ramës. Kërkesës së Aleancës Qytetarë për të qëndruar pranë vendimit të saj, gjykata ju përgjigj në mënyrën më kapitulluese. Ky shtet në organigram, në bordero, ka president republike, ka polici shteti, prokurori, të cilat në rastin më të parë janë të detyruara që të qëndrojnë me të gjithë forcën e ligjeve në mbrojtje të vlerave kushtetuese.

Këto vendime këtu janë letër e vdekur. Këtu dominon vullneti i Ramës dhe Veliajt e banditëve që i paguajnë. Solla këtë shembull për qytetarët për të kuptuar se në çgjendje katastrofale janë të drejtat e tyre në këtë vend. Kjo e ka katandisur këtë vend në raport me shtetin ligjor, 4 vende nën Vietnamin komunist. Duhet të bëjmë një betejë të fortë në Parlament. Ligjet tona nuk lexohën në Parlament.

Leximi është detyrim kushtetues. Është detyrim i yni për të gjithë ata që na kanë besuar dhe presin të jemi zëri i tyre. Por një njeri, kryetarja e Parlamentit vendos gjithçka në kundërshtim me ligjin. Sot është thirrur një protestë jashtë Parlamentit, nuk kemi asnjë qëllim veçse një thirrje për çdo qytetar shqiptar, se në këtë parlament sot nuk respektohet asnjë e drejtë e opozitës. Ky Parlament bën gjithçka që opozita ta bojkotojë atë. Por ne nuk e bojkotojmë”, u shpreh Berisha.