Berisha dhe Olldashi inspektojnë “Rrugën e Arbrit”

639
Sigal

Kryeministri Sali Berisha, i shoqëruar nga ministri i Transporteve, Sokol Olldashi inspektoi dje  pasdite ecurinë e punimeve në segmentin Ura e Brarit – hyrja e Tunelit Qafë Murriz, pjesë e rrugës së Arbrit. Kryeministri Berisha u informua nga zbatuesit mbi fazat e projektit dhe vëllimin e punimeve. Janë në përfundim 34 kilometra të rrugës së Arbrit, nga Ura e Çerenecit drejt Urës së Vashës dhe nga qendra e Tiranës drejt tunelit të Murrizit, pjesa më e vështirë e së cilës, në këtë anë, ka përfunduar. Rruga e Arbrit shkurton me mbi 100 kilometra distancën me Shkupin; afron Peshkopinë dhe Bulqizën me Tiranën në distancë pothuajse të njëjtë me Lushnjën; transformon në mënyrë të jashtëzakonshme distancën midis Tiranës – Peshkopisë – Bulqizës; afron Peshkopinë me Tiranën dhe detin, pasi rruga bashkohet me unazën e qytetit të Tiranës dhe del në autostradën Tiranë – Durrës. Pasi inspektoi punimet në këtë segment, Kryeministri Berisha u shpreh se “rruga e dytë e kombit ose rruga e Arbrit po lëshon shtat çdo ditë e më shumë”. Rrugën e Arbrit dhe Boshtin e Jugut, tha Kryeministri, “Qeveria i ka dy përparësitë absolute për t’i përfunduar gjatë 2 viteve të para të mandatit të ardhshëm, sepse që të dyja janë në ndërtim”. Vlera totale e prokuruar deri tani për rrugën e Arbrit është 7.477.116.097 lekë, ndërsa vlera totale e punimeve të realizuara është 6.573.368.130 lekë. Pas inspektimit, në një prononcim për mediat e pranishme, Kryeministri Berisha u shpreh se “rruga është një vepër e kushtueshme, por jetike për shqiptarët, jo vetëm për qytetarët e Peshkopisë dhe të Bulqizës, por edhe të Dibrës dhe shqiptarët e Maqedonisë”.