Berberi i ARRSH “qeth” fondet, jep 8.5 mln. euro pa garë për mirëmbajtje

166
Sigal

Sa herë që vendi mbulohet nga bora të vetmet institucione që mbrrijnë të fundit në rrugët e bllokuara janë ARRSH-ja dhe firmat e mirëmbajtjes së akseve rrugore

 

Firma “Geci”, me pronar z.Ramë Geci, ka fituar një tender të majmë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. Sipas dokumenteve Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur fituesin e tenderit për mirëmbajtjen e rrugëve Veriore. Në këtë procedurë ka marrë pjesë vetëm firma “Geci”, duke ngritur dyshime se dokumentet janë “qepur”, sipas atyre të firmës fituese, ose, mes firmave të mirëmbajtjes ka një bashkëpunim për ndarjen e këtyre procedurave. Pak ditë më parë u publikua në media investigimi se firma 2 T, e vëllait të komandantit të Gardës, garoi me veten në tenderin 12 milionë euro për mirëmbajtjen e rrugëve në Jug. Dhe, disa ditë më pas, drejtori i ARRSH-së, Evis Berberi, ka finalizuar një procedurë tjetër, duke i dhënë sërish Gecit mirëmbajtjen e rrugëve Veriore, kontratë të cilën e ka pasur edhe për disa vite më parë. Në vitin 2017, Autoriteti Rrugor Shqiptar shpalli fitues të tenderit për mirëmbajtjen e rrugëve në Veri të Shqipërisë bashkimin e kompanive BIOLIAP- GECI, ku përfshihen Qarku i Shkodrës dhe ai i Kukësit, kundrejt një vlere prej 21.2 milionë eurosh për pesë vite. Në atë kohë, njoftimin në lidhje me rezultatet e tenderit e ka bërë Banka Botërore, teksa afati i tenderit përfundoi para pak muajsh. Pra, për 5 vite këto kompani morën një vlerë 21.2 milionë euro sipas boldnews. Në dokumentet rezulton se firma Geci duhet të mirëmbajë 238.41 km, ndërsa do të përfitojë shumën prej 8.5 milionë euro. Objekti i tenderit është “mirëmbajtje me performancë e akseve kryesore të tre rajoneve”, teksa për këtë procedurë u bë tenderi në lotin 1, “mirëmbajtje me performancë e akseve kryesore të Rajonit Verior”, me vlerë totale 883,086,388 lekë pa TVSH, ose me TVSH mbi 8.5 milionë euro. Por, duke analizuar dokumentet, ajo që bie në sy është se në këtë procedurë të majme mori pjesë vetëm 1 firmë, e cila ofroi rreth 99% të fondit të akorduar. Pra, ka lënë “rrugës” vetëm disa qindarka. Nga ana tjetër, fituesi është e njëjta firmë që e ka pasur edhe për 5 vite me radhë, ku në këto akse ka pasur probleme me mirëmbajtjen, sipas raportimeve të mediave të ndryshme.