Beqaj dhe Rroshi takim me banorët: Qeveria plane të rëndësishme për zhvillimin e Kavajës

448
Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj i është bashkuar takimeve të kryebashkiakut Elvis Rroshi, njëkohësisht kandidati i Partisë Socialiste, me banorët e Kavajës, ndërsa ka shprehur bindjen se Rroshi do të rizgjidhet nga qytetarët për një mandat të dytë në krye të këtij qyteti. Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët, Beqaj ka folur për nismat që janë ndërmarrë në sistemin shëndetësor shqiptar, si dhe për programin e qeverisë, që ka ndihmuar në përmirësimin e cilësisë së këtij sektori të rëndësishëm. 
“Vërtetë jemi në fushatë për zgjedhjet vendore, por pas 20 muajsh në qeveri besoj se është momenti për të treguar se çfarë kemi bërë dhe për të ndarë me ju besimin tonë se jemi në drejtimin e duhur edhe në shëndetësi edhe në zbatimin e programit të qeverisë, por edhe në rilindjen urbane të qyteteve tona. Projektet qe janë realizuar nga qeveria në Kavajë ju i dini më mirë sepse i jetoni ato përditë. Ne u angazhuam që tatimi mbi vlerën e shtuar 10%, apo taksën e sëmundjes për barnat ta hiqnim dhe këtë e bëmë realitet. Ne u angazhuam që çmimet e barnave të mos jenë më të shtrenjta se në vendet ku prodhohen, sot shumë barna kushtojnë 30-40 apo 50% më pak. Po zbatojmë programin për kontrollin shëndetësor bazë nga 40 në 65 vjeç. Mjekët e familjes dhe infermieret kanë nisur të merren me mjekësi, deri më tani shkruanin vetëm receta. Pushteti vendor do të ketë më shumë kompetenca për qendrat shëndetësore. Ne do të vendosim standardet dhe pushteti vendor përcakton se ku do të hapet qendra. Qeveria ka plane të rëndësishme për zhvillimin e Kavajës dhe zonave pranë saj, që lidhen me zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës”, është shprehur Beqaj.
Nga ana e tij Rroshi ka komentuar deklaratat e kundërshtarit të tij për Kavajën, Engjëll Carwës, i cili sipas tij është i shqetësuar se si ka mundur bashkia të shtojë vendet e punës. Kryebashkiaku është shprehur se pastrimin dhe gjelbërimin e qytetit, që administrohej nga kompani private, ia ka kthyer në kompetencë bashkisë, si dhe vënia në funksion e administratës së ujësjellësit ka ndikuar gjithashtu në hapjen e vendeve të reja të punës. Sipas Rroshit, për 20 vite në bregdetin e Kavajës nuk mblidhje asnjë faturë uji, sot pas ngritjes së task forces, vilen më shumë se 400 milionë lekë.
Sigal