Prof. Dr. Arben Malaj: Qeveritë e shokëve dhe prapaskenat brenda llojit

816
Sigal

Ndalni prapaskenat dhe luftën brenda llojit

Prof. Dr. Arben Malaj, Ish-anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste 1997-2013

Kërkohet bashkë-përgjegjësi dhe bashkëpunim dhe jo rivalitet absurd. Të dashur kolegë nga mesazhet e drejtpërdrejtë apo të koduara duket se PS po rrezikohet të përfshihet në një luftë brenda llojit. Kjo dëmton rëndë kredibilitetin e saj publik dhe efikasitetin e saj në qeverisje. Fillimisht, dëshiroj të qartësoj se personalisht nuk do të jem asnjëherë pjesë e ndonjë lufte brenda llojit, kjo bazuar edhe në përvojën dhe kontributet e mia në PS nëpërmjet platformave konkurruese për modernizmin e PS dhe jo nëpërmjet grupimeve për interesa abuzive.

E dyta, nuk do të kthehem në strukturat drejtuese të PS-së, një gjeneratë e re meriton të drejtojë PS-në.

Së treti, mos kthimi e bën më të madhe mirënjohjen për mandatet politike dhe publike që më ka besuar PS, të cilën vazhdoj ta “shlyej”, duke qenë i gatshëm në çdo kohë të jap këshilla për të zgjedhurit e saj ose të angazhohem në aktivitet shkencore të PS, gjë që e bëj me profesionalizëm edhe pas vitit 2013.

Së katërti, nuk kam asnjë qejfmbetje, aq më pak me anëtarësinë e PS-së për goditjet, shpifjet dhe prapaskenat e bëra brenda llojit në angazhimet e mia 1991-2013 në PS.

Së pesti, ka një njollë të zezë në marrëdhëniet e mia me PS që është vjedhja masive e votave në konkurrimin tim si kandidat i pavarur, në 2013. Kandidim që e bëra vetëm në detyrimin mirënjohës ndaj vlonjatëve, që më besuan përfaqësimin e tyre politik për rreth 16 vite në parlamentin e vendit tim.

Shqetësimi im në pozitat e një përfaqësuesi mirënjohës i së majtës shqiptare është, se cila do jetë e ardhmja e PS në spektrin politik shqiptar. Sfida është më thellë për PD, si dy prej partive politike më të mëdha, dominuese dhe përcaktonjëse në zhvillimet ekonomike, sociale dhe politike të vendit tonë. Partitë tradicionale në Shqipëri e po edhe në vendet e tjera po përballen me:

  • mbijetesën e tyre me çdo kusht;
  • një ristrukturimi thelbësorë;
  • një shpërbërje graduale apo
  • një proces rënieje e lirë ku secili shikon mbijetesën personale duke i braktisur partitë tradicionale.

Kjo analizë ka brenda dhembshurinë njerëzore të një individi të rritur brenda PS, por edhe përgjegjësinë e nxitjes së një debati dobi-prurës për partitë politike në identifikimin e simptomave të sëmundjeve që po gërryejnë kredibilitetin e tyre publik nga dështimet për mirëqeverisje dhe sidomos nga abuzimi me votën dhe pushtetin që ju besuan votuesit e tyre jo vetëm tradicionalë. Përzgjedhja e një prej katër opsioneve kërkon një analizë të thellë të intelektualëve më të mirë të së majtës dhe të djathtës shqiptare, Çdo opsion ka kostot dhe përfitimet e tyre. Kostot dhe përfitimet nga çdo opsion mund të jenë individuale, partiake por edhe deri kombëtare. Një analizë në raport me efektet e çdo opsioni në raport me sfidat e vendit mund të jetë më i dobishëm për vendin dhe çfarë është më e dobishme për vendin është e dobishme dhe e detyrueshme për individët me mandate publike dhe politike që janë ofruar dhe janë përzgjedhur ti shërbejnë vendit të tyre. Nxitja, përkeqësimi dhe vazhdimi i kësaj lufte brenda llojit është një kosto e rëndë për momentet politike që po kalojnë partitë politike tradicionale, aq më tepër përballë sfidave që ka mirëqeverisja e vendit. Agresiviteti në rritje mund të bëhet me rrënues.

Personalitetet historike të Partisë Socialiste

Prandaj angazhimi i personaliteteve të PS dhe të majtës shqiptare, si Fasos Nano, Servet Pëllumbi, Gramoz Ruçi, Zabit Brokaj, Skënder Gjinushi, Paskal Milo, Arta Dade, Ermelinda Meksi, Valentina Leskaj, Xhevat Lleshi, Anastas Angjeli, Ben Blushi, Ethem Ruka, Moikom Zeqo, Bardhyl Agasi, Gëzim Tushe, Eva Allushi, Saemira Pine, Edlira Haxhiymeri, Rajmonda Stefa, Natasha Paço, Petro Koçi, Flamur Rrogu, Mezan Malaj, Ndre Legisi, Fatmir Xhafaj,Viktor Doda, Marko Bello, Koço Broka, Koço Barjaba dhe shumë personalitete në nivel vendor dhe kombëtarë që e themeluan, modernizuan dhe e bënë fituese Partinë Socialiste dhe të majtën, të cilët së bashku me kolegët në PS dhe gjeneratën e re të përfaqësuesve të saj në qeveri dhe parti të mund të thellojnë analizën dhe të ndërtojnë strategjinë e e thellimit të modernizimit të PS, të ndarjes dhe kontrollit të pushteteve, të kufizimit të mandateve në duart e një individi reduktimit të kohëzgjatjeve të mandateve, të rikthimi i përzgjedhjeve konkurruese në strukturat drejtuese në çdo nivel dhe forum të PS. Së bashku mund të prodhohet një për diskutim publik me anëtarësinë e PS, mbështetësit e saj por edhe me opinion publik një dokument strategjik me hapat konkrete të demokratizimit të PS, të rritjes së transparencës dhe kontrollit dhe përgjegjësi ndaj kujtdo që i besohet një mandat publik e politik në qeverisjen vendore, në qeverisjen e vendit dhe në drejtimin e institucioneve kushtetuese.

Qeveritë e shokëve dhe për shokët e gërryen rëndë partinë socialiste

Qeveritë e shokëve dhe për shokët e gërryen rëndë partinë socialiste spanjolle nën drejtimin e Partitë politike tradicionale, aktualisht më shumë se kurrë më parë, kanë nevojë për dashurinë dhe përkushtimin e sinqertë të çdo anëtari të tyre. Ato duhen shëruar nga sëmundjet e:

  • mungesës së demokracisë së brendshme;
  • mungesës së transparencës dhe
  • të keq qeverisjeve të tyre dhe të vendit të tyre.

Këto sëmundje kanë kalbëzuar parti shumë më të mëdha dhe me rrënjë historike shumë më të thella dhe më të gjata se partitë politike tradicionale shqiptare. Kjo vërtetohet lehtësisht me humbjet, tkurrjet dhe rrënimin e partive tradicionale, në Francë, Itali, Greqi, Gjermani dhe shumë vende të tjera ku dështimi partive tradicionale ka favorizuar lindjen dhe rritjen e partive ku tkurrja dhe shpërbërja e tyre po zëvendësohet nga lindja e partive të reja moderne si Siryza në Greqi apo nga euro-skeptikë, populistët deri edhe radikale në vendet e tjera. Pra risqet janë të qarta për partitë politike tradicionale shqiptare, rastet konkrete të dështimit deri në shpërbërje të simotrave të tyre janë konkrete. Sfida është, nëse tkurrja apo shpërbërja e tyre do të zëvendësohet nga parti të reja moderne apo do të ushqej një proces lindjesh të partive euro-skeptike, populiste apo radikale. Në fund dhe me pak humor, bazuar në historinë e grindjeve dhe luftërave të brendshme në partitë politike shqiptare, luftë brenda llojit në PS dhe” kërcënime me varje për armiqtë e partisë” mund të sjellë dy risqe potenciale. Së pari, Veliaj mund të ndërpresë mbjelljen e pemëve, edhe pse ai ka mbjellë më shumë pemë se anëtarësia e PS dhe e dyta shumë nga të kërcënuarit për veprimtari antiparti, (numër që në situata frike vjen e rritet me progresion gjeometrik), mund të fillojnë të presin pemët e Veliajt për të ulur riskun që në një prej tyre një mëngjes dhe pa pritur pa e ditur asnjë udhëheqës tjetër mund të gjenden të varur. Mos mbjellja e pemëve të shpresës dhe aq më keq prerja e tyre e pengon dhe e dëmton përmirësimin ekologjik të ambientit toksik në partitë tona politike.