Belind Këlliçi: PD kërkon dorëheqjen e menjëhershme të qeverisë, mafia mbërriti deri në azilet e të moshuarve për grabitjen e parave

143
Sigal

Partia Demokratike kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi mori rastin e dy të moshuarve në azilin e pleqve. Ai u shpreh se mafia e inceneratorëve ka mbërritur deri në azil duke shtuar se aty kanë shkuar dy prokurorë fatet të cilët i kanë marrë firmën për t’i zhbllokuar lekët e pensionit. Në emër të PD-së, Këlliçi u bën thirrje të gjithëve, të djathtë e të majtë, të ngrihen në protestë. Deklarata e Këlliçit: Haxhire Gurakuqi është një shqiptare e moshuar, që jeton në azil. Ajo priste që Edi Rama dhe Arben Ahmetaj t’i ndërtonin shtëpinë e shembur nga tërmeti. Për Mafian e inceneratorëve nuk dinte gjë, sepse nuk i ndiqte lajmet. Deri ditën kur mafia mbërriti edhe në azilin e saj, dhe zonja Gurakuqi u bë vetë lajmi. Dy prokurorë ‘fals’ shkojnë dhe i marrin firmën për ‘t’i zhbllokuar’ lekët e pensionit. Letrat e firmosura prej saj janë, në fakt, leja që ata të përdorin llogarinë bankare të së moshuarës dhe të qarkullojnë 30 milionë eurot e inceneratorëve të ‘biznesmenëve fals’ Mirel Mërtiri dhe Stela Gugallja. ‘Fals’ sepse, pas tyre janë Ahmetaj, dhe Rama. Partia Demokratike përçmon me neveri mashtrimin e një të moshuare, të braktisur në azil nga inkompetenca e pushtetit, dhe dënon me forcë vjedhjen e radhës në serialin “Mafia e inceneratorëve’. Ne i bëjmë thirrje SPAK-ut të hetojë kokën e aferës qindra milionë euroshe dhe të mos merret më me bishtat. Deklarata e këtij institucioni, pas skandalit të fundit, se po ndjek paratë, kur hetimet kanë filluar prej 1 viti, nuk është serioze. Nën dritën e fakteve të reja, skandalit të radhës dhe traditës në hajdutëri të kësaj qeverie, Partia Demokratike kërkon dorëheqjen e menjëhershme të Edi Ramës. Partia Demokratike i bën thirrje të gjithëve, të djathtë e të majtë, të ngrihen në mbrojtje të dinjitetit të tyre dhe të Shqipërisë. Duhet menjëherë ndalur marshimi mbi shpinat e shqiptarëve i bandës në pushtet. Pasi çon 500 mijë shqiptarë në azilet e botës në 9 vjet qeverisje, ordinerët e tij u shkojnë atyre që kanë mbetur, deri në azilet e pleqve, dhe u marrin kacidhet e shpenzimeve funerale. Ju rikujtojmë shprehjen famëkeqe “Nuk keni parë asgjë, akoma!”. Pas Haxhire Gurakuqit nuk ka mbetur më asgjë për të parë. Ndaj, Të nderuar qytetarë, Bashkohuni me shoqërinë civile dhe Partinë Demokratike më 7 korrik! Për një Shqipëri në rrezik. Për një Shqipëri që kalon nga duart e hajdutëve në të shqiptarëve.