Begaj takim me Koordinatoren e OKB-së në Shqipëri, në fokus të bisedës Samiti i shtatorit

35
Sigal

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj do të marrë pjesë në debatin e 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në datat 17-23 shtator 2023.

Sot ai priti Koordinatoren Rezidente të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, Fiona McCluney, e cila e informoi Presidentin Begaj edhe mbi samitin që do të organizojë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres.

Gjithashtu, McCluney ndau me Presidentin Begaj informacionin mbi pritshmëritë e samitit si dhe nivelin e pjesëmarrjes. Në fund të debateve dhe trajtimit të temave më të rëndësishme për të ardhmen e njerëzimit dhe të planetit, pritet që liderët pjesëmarrës të miratojnë një deklaratë politike, për të shprehur angazhimet në arritjen e Objektivave të Axhendës 2030.

Presidenti Begaj e vlerësoi shumë pozitive dhe të ardhur në kohën e duhur nismën e Sekretarit të Përgjithshëm Guterres “Plani i Shpëtimit për Njerëzit dhe Planetin”, për përmbushjen e Objektivave për një Zhvillim të Qendrueshëm 2030 (SDG), si dhe shprehu vullnetin dhe përfshirjen e institucioneve shqiptare në realizimin e angazhimeve kombëtare.