BE mbyll sërish kufijtë me Shqipërinë, deri në 14 gusht

344
Sigal

BE-ja shtyn sërish mbylljen e kufijve për Shqipërinë

Bashkimi Europian ka përditësuar  listën e vendeve për të cilat duhet të hiqen kufizimet e udhëtimit, duke  “fshirë”  totalisht  vendet e Ballkanit  Perëndimor.  Kufijtë e vendeve anëtare të BE-së  do të qendrojnë të mbyllur jo vetëm për  Shqipërinë, por edhe për Malin e Zi dhe Serbinë, të cilat ishin të përfshira  fillimisht në këtë listë. BE-ja  nuk ka hapur kufijtë me Shqipërinë  dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, pasi kanë një numër më të madh rastesh të reja me COVID-19,  në krahasim me nivelin mesatar evropian,  gjatë 14 ditëve të fundit, i cili është 16 raste për 100 000 banorë. Kjo listë nuk është një instrument ligjërisht i detyrueshëm,  por deri më tani, të gjitha shtetet anëtare fqinjë,  kanë kufizuar udhëtimet drejt dhe nga Shqipëria. Italia ka vendosur karantinën e detyrueshme për udhëtarët  nga  Shqipëria.  Por vendimi më i ashpër ka ardhur  nga Greqia, e cila do të mbajë edhe për dy javë kufijtë  e mbyllur  për qytetarët nga  vendi ynë. Kështu, deri më 15 gusht,  në territorin grek nuk do të lejohen të hyjnë turistë nga Shqipëria,  Maqedonia e Veriut,  Serbia, Turqia, Kosova, etj. Në pikat kufitare me  Greqinë lejohen të hyjnë  vetëm rezidentët, ndërkohë që pritet  të bllokohet  totalisht  hyrja e punëtorëve sezonalë. Nga dita e djeshme, kufijtë grekë janë hapur edhe për shtetasit britanikë, charterat me të cilët mbërritën në zonat turistike, duke i dhënë një frymëmarrje turizmit në vend. Një sërë vendesh,  si Gjermania,  Holanda,  Austria dhe  Greqia kanë mbyllur kufijtë  për qytetarët serbë, për shkak  të numrit të lartë të të infektuarve. Gjermania dhe Austria nuk këshillojnë  udhëtimin në asnjë prej vendeve të Ballkanit, duke lëshuar  një paralajmërim  udhëtimi kundrejt rajonit. Për pasojë, shqiptarët nuk mund të rezervojnë as udhëtime transit,  që kalojnë në një prej vendeve të BE-së,  sepse nuk lejohen të ulen në aeroporte. Vetëm rezidentët mund të udhëtojnë drejt Italisë dhe Greqisë, por për qytetarët e tjerë,  kufijtë e vendeve fqinjë janë të mbyllura. Për momentin shqiptarët mund të udhëtojnë  pa paraqitur tampon,  drejt Maqedonisë së Veriut, Kosovës, Malit të Zi  dhe Turqisë.  Listës së mëparshme  të 14 vendeve të treta, qytetarët e të cilëve kanë të drejtë të udhëtojnë drejt Bashkimit Europian i është shtuar  Australia dhe Kina, pasi autoritetet australiane kanë bërë përpjekje  të konsiderueshme për menaxhimin e pandemisë së koronavirusit.