Basha: “Top Channel” dhe “TV Klan”, veglat qorre të Edi Ramës, paguhen me paratë që u vidhen shqiptarëve

589
Sigal

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka qenë sërish mjaft i ashpër me dy televizionet kombëtare, “Top Channel” dhe “Tv Klan”. Basha ka thënë se këto dy televizione janë “veglat qorre të Edi Ramës”, madje televizioni “Top Channel”, sipas kreut të PD-së, nuk i transmeton më aktivitetet e opozitës.

Asnjë nga televizionet kombëtare nuk e pasqyron lëvizjen #edheune, dy veglat qorre të propagandës së Edi Ramës, nuk e pasqyrojnë. Top Channel ka rënë brënda fare, se ka tre ditë që nuk jep asnjë aktivitet të opozitës, duke vërtetuar që nuk është gjë tjetër veçse një vegël qorre e paguar me paratë që u vidhen shqiptarëve. Klani është treguar pak më i zgjuar, se na ka pasqyruar. Por, rruga mbarë i qoftë, perfekt për ne, vetëm se ka provuar se ku ka rënë media shqiptare, në çfarë bataku ka rënë media shqiptare. Jemi të vendosur ta çlirojmë këtë media, sikur asgjë tjetër, edhe në respekt të profesionalizmit dhe punë vetëmohuese të gazetarëve që kam përreth dhe të operatorëve që kam përballë“, u shpreh Basha.

Kujtojmë se pak ditë më parë, ish kryeministri Sali Berisha, sulmoi ashpër drejtorin e televizionit “Top Channel”, duke e quajtur atë “të pabesë, të lig, shpifë dhe person që vdes për shpërblimet”, ndërsa paralajmëronte presidenten e televizionit, Vjollca Hoxha, se ky televizion, mund të ketë fatin e partisë Libra.