Basha: Reformë zgjedhore. PD në opozitë

513
Lulzim Basha konfirmon qëndrimin e PD në opozitë. Në mbledhjen e grupit të ri parlamentar, vetëm pak orë para çeljes së legjislaturës së re të Kuvendit, kreu i demokratëve tha se opozita ka përpara një mision të vështirë.
“Ne jemi opozita dhe do bëjmë opozitën. S’mund dhe s’do të ketë ndarje pushteti apo përfshirje të PD në qeveri në asnjë rrethanë. Opozita ka rol të madh në çdo shoqëri demokratike. Do përmbushim me dinjitet këtë mision. Opozita jonë s’do jetë e lehtë, sistemi ynë politik s’i jep opozitës asnjë pushtet real, ndërsa qeveria kontrollon çdo instrument”, deklaroi Basha. 
Basha foli përpara deputetëve të tij edhe për sfida, duke lajmëruar se ndryshimi do të vijë nga brenda radhëve, përmes një reformimi të PD. 
“Kjo është kohë kritike për Shqipërinë, do përcaktohet nëse do t’i rikthehet integrimit, demokracisë e shtetit ligjor apo do zhytet nën sundimin e krimit në bashkëpunim me elitën e korruptuar të vendit? Tre sfida kemi përpara. Na takon ne, PD, që të bëhemi pengesë që vendi të mos rrëshkasë në kaosin e korrupsionit, ndërsa droga e krimi po izolojnë vendin. Na takon ne të ndryshojmë politikën e të ofrojmë alternativën e lirisë. Do reformojmë PD që do t’i paraprijë reformimit të shtetit, duke nisur nga sistemi zgjedhor. Na takon të jemi edhe alternativë morale, shembull i ndershëmërisë, përgjegjshmërisë dhe moralit”, tha Basha. 
Në fund, Basha kishte një porosi edhe për deputetët e rinj, të dalë nga zgjedhjet e qershorit. “Urim të mbarë të misionit poliktik deputetëve të rinj. Mirësevini në botën e ashpër të politikës shqiptare. Do t’ju fyejnë e do t’ju sulmojmë, por ruani dinjitetin dhe durimin dhe luftoni për njerzit. Puna juaj do shpërblehet me mirënjohje”, u shpreh Basha. 
Në mbledhjen që vijoi me dyer të mbyllura, grupi i ri ka marrë vendime për ata që do drejtojnë jetën parlamentare të demokratëve. E vetmja rrokadë që ka ndodhur është ajo mes Edmond Spahos dhe Edi Palokës. 
Ndryshe nga legjislatura e shkuar kur ishte nënkryetar i Parlamentit, Spaho do të jetë kryetar i grupit demokrat. Ndërkohë Paloka, një nga demokratët luftarakë, nga ish-kryetar grupi do të jetë zëvendësi i Ruçit në krye të Parlamentit për katër vitetet e ardhshme. 
Sigal