Basha: Qeveria të marrë më shumë masa për të ndihmuar njerëzit dhe ekonominë e prekur nga pandemia e koronavirusit

331
Sigal

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha kërkoi sot nga qeveria të marrë më shumë masa për të ndihmuar njerëzit dhe ekonominë e prekur nga pandemia e koronavirusit.

Gjatë një konference për mediat, kreu i PD-së u shpreh se emergjenca kryesore është rritja e numrit të testimeve për të shmangur përhapjen e sëmundjes. Ndërkoha shtoi se sfida  dytë është ndihma ekonomike ndaj familjeve në nevojë dhe gjithë qytetarëve të prekur nga bllokimi i ekonomisë.

Në lidhje me mënyrën sesi po ndihmon qeveria njerëzit dhe bizneset, Basha u shpreh se paketat ekonomike janë të pamjaftueshme.

Duke analizuar ndihmat ekonomike, Basha tha “se të krijohet ideja sikur qeveria nuk po lufton virusin, por qytetarët”. Kreu i PD-së shtoi se qeveria duhet të kuptojë se njerëzit duhet të ndihmohen dhe virusi duhet të luftohet.

Basha tha se Kosova ka dhënë më shumë ndihma se Shqipëria për ekonominë dhe bizneset. “Të dyja paketat trajtojnë më pak se 10 % të popullatës”,- tha Basha.

Lidhur me mënyrën sesi po përballohet epidemia, Basha shtoi se rritja e numrit të testimeve nuk është tekë e opozitës, por një mënyrë për të kuptuar se në çfarë faze ndodhet virusi në Shqipëri.

“Harta e të infektuarve është zgjeruar. Kjo sjell domosdoshmëri për rritjen e numrit të testimeve dhe ndryshimin e strategjisë së qeverisë. Duhet nisur nisur me testimet e stafit mjekësor dhe të atyre që janë në vijën e parë të punës. Testimi na jep shifrat e sakta dhe përmasat e infeksionit real në Shqipëri”,- tha kreu i PD-së.