Basha: Paratë që duhej të merrnin qytetarët, i marrin 5 oligarkë

283
Sigal

Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka zhvilluar sot takime me biznese në Njësinë Administrative numër 1 në Tiranë.

Basha është shprehur me banorët se paratë që duhej të jepeshin për qytetarët, kanë përfunduar në xhepat e 5 oligarkëve.

‘Kriza ekonomike po thellohet çdo ditë. Në çdo takim dhe bashkëbisedim në qytete dhe zona rurale mbizotëron një gjendje e rëndë, vështirësi që sa vijnë e shtohen, pamundësi dhe pasiguri për mbijetesë që thellohen përditë.

Banorë dhe sipërmarrës të vegjël në Njësinë Nr.1 në kryeqytet janë të frustruar nga rënia e fuqisë blerëse dhe konsumit, faturat e rritura të energjisë dhe ujit dhe presioni i përditshëm i inspektorëve që sillen si banda dhe jo si punonjës shtetërorë.

Përballë kësaj Shqipërie reale të halleve dhe problemeve që janë shtuar prej dështimit të qeverisë vazhdon propaganda e shplarë dhe presioni i tatimorëve që u zhvat bizneseve dhe qindarkën e fundit.  Paratë që duhet të shkonin për të nxitur konsumin, për të ndihmuar sipërmarrësit përfundojnë te 5 oligarkë përmes tenderave e PPP-ve korruptive.

RAMAVIRUSI me paaftësinë dhe arrogancën e tij i ka braktisur qytetarët dhe bizneset, duke i lënë pa mbështetje ekonomike, teksa nuk heziton t’i zhvasë dhe përdorë në mënyrë  korruptive taksat e qytetarëve.

Kjo braktisje do të marrë fund. Shqiptarët meritojnë dhe do të kenë në krah një qeveri që kujdeset për interesin dhe mirëqenien e tyre dhe jo për xhepat e një grushti oligarkësh.

Biznesi i vogël është shtylla kurrizore e ekonomisë  ndaj në planin tonë do të ketë një detyrim të vetëm, që do të jetë 0.5 % të xhiros vjetore. Çdo biznes do të ketë pullën tatimore dhe asnjë punonjës shteti qëndror apo bashkiak nuk do të lejohet të hyjë në biznes. Ne do ta heqim bandën e tatimorëve dhe inspektorëve nga qafa e biznesit.

Ne do t’i rikthejmë qytetarëve paratë e zhvatura duke investuar gjithçka për një ekonomi të fortë dhe të qëndrueshme, për të stimuluar punësimin dhe rritur mirëqënien’, deklaroi kreu i PD-së Lulzim Basha në takimet me banorët.