Basha: Do ofrojmë norma, standarde të BE, në shërbimin ndaj fëmijëve të kryeqytetit

449
Sigal

Bashkia nis punën për rindërtimin e kopshtit nr.1 dhe 40 në Tiranë

Bashkia e Tiranës ka nisur rindërtimin e kopshtit nr.1 dhe nr.40. Në kopshtin nr.1, një investim prej 20 milionë lekësh, do të ndërtohet një shtesë, për të shtuar ambientet e ndenjes dhe ato për stafin, të cilat mungojnë. Në të dy kopshtet do të riorganizohen ambientet, do të ketë dhomë mjeku dhe psikologu, do të instalohet ngrohja qendrore, e cila mungon, do të realizohet hidroizolimi i tarracave dhe suvatimi i mureve dhe tavaneve që janë të dëmtuara nga lagështira, do të kryhet riparimi i sistemit të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve pasi është i amortizuar dhe ka rrjedhje të vazhdueshme si dhe riparimi i sistemit të rrjetit ekzistues elektrik, pasi është i amortizuar dhe nuk e përballon ngarkesën elektrike. Gjithashtu, do të sistemohen dhe përshtaten për fëmijët ambientet e jashtme. Vlera e investimit në kopshtin nr.40 është 19 milionë lekë. Rikonstruksioni i dy kopshteve do të përfundojë brenda  8 muajsh. Kryebashkiaku Lulzim Basha shprehu vendosmërinë e Bashkisë së Tiranës, për t’u ofruar fëmijëve të kryeqytetit kushte sa më të mira në kopshte. “Gjithsej, në qytet po investohet në 12 kopshte e çerdhe, të cilat jo vetëm do të rrisin mundësinë e Bashkisë së Tiranës, për t’u shërbyer më shumë vogëlushëve, sipas kërkesës së prindërve të tyre, por do të mbyllë një herë e mirë kapitullin në këto 12 çerdhe e kopshte, atë të standardeve të parealizuara, në raport me shërbimin ndaj fëmijëve, duke siguruar një standard bashkëkohor dhe në përputhje të plotë me normat e BE. Këto investime po kryhen nga Bashkia e Tiranës, me buxhetin e saj dhe do të vazhdojnë, për të përfunduar në një periudhë kohore 3 deri në 6 muaj. Në shkurt të vitit të ardhshëm, jo vetëm do të ketë përfunduar rikonstruksioni, ndërtimi, zgjerimi i plotë i këtyre 12 kopshteve dhe çerdheve, por do të bëjmë gati paketën tjetër, e cila do të synojë realizimin e objektivit tonë, që anembanë territorit të qytetit të Tiranës, shërbimi i kopshteve dhe çerdheve, të jetë në përputhje nga ana sasiore me kërkesën e prindërve për fëmijët e tyre, kërkesë e cila sot kënaqet vetëm në masën 60-70%, për shkak të situatës së akumuluar ndër vite, natyrisht edhe rritjes demografike të popullsisë së Tiranës dhe së dyti, për të vendosur në çdo rikonstruksion standard bashkëkohor, norma dhe standarde të BE, në raport me shërbimin që u ofrohet fëmijëve të kryeqytetit”,– u shpreh z. Basha.