Ministria e Shëndetësisë, tender 800 milionë lekë për të vrarë mushkonjat e plazheve Shkodër-Lezhë në dimër

503
Përparim HALILI 
Babëzia e shfrenuar dhe e pa ndaluar prej drejtësisë, vazhdon intensivisht prej atyre që drejtojnë mjekësinë falas në Shqipëri në këto 3 vite e gjysmë. Kjo babëzi e klanit “Beqja” që ka uzurpuar sektorin e shëndetësisë shqiptare, ka lidhje me batërdinë që ata po bëjnë me fondet publike, të cilat janë taksa shqiptarësh që zhvaten me dhunë policore për ujin, dritat, televizorin, pastrimin e mjediseve të qelbura, për gjelbërimin që nuk ekziston, për kolaudimin e makinave, për plumbin e naftës e deri për ajrin që e ndotin bizneset mafioze e “vrasëse” të shtetarëve dhe politikanëve. Janë mijëra tenderë, që kupola e Ministrisë së Shëndetësisë, i sajon dhe i finalizon çdo javë, muaj e vit për shërbime e blerje, për riparime e koncesione, për investime e udhëtime brenda dhe jashtë vendit. Këto tenderë, kanë vlera në miliona lekë e miliona euro , aq që të evidentohen duhet një ekip i madh financiar, për të bërë listat dhe llogaritë e këtyre tenderëve, që zhvillohen në sektorin e shëndetësisë shqiptare. Siç dihet, këto tender janë monopolizuar në dorën e ministrit Ilir Beqja, me një urdhër të veçantë po të ministrit Beqja,të legalizuar me urdhër të veçantë edhe prej kryeministri Rama, duke u zhvilluar jo më nëpër spitale e qendra shëndetësore, por vetëm në zyrën e ministrit, prej komisionit (KVO) të emëruar prej tij! Një nga këto tenderë sa absurd, skandaloz e komik në përmbajtje, ka lidhje me një shërbim dizifektimi në plazhet e Shkodrës e Lezhës. Mos u çuditni, por sipas informacionit tonë, tenderi ka si objekt asgjësimin e mushkonjave tani në dimër! Sipas shpalljes së objektit të këtij tenderi në “Buletinin e Prokurimeve Publike” Nr. 3, datë 23 Janar 2017, rezulton se Ministria e Shëndetësisë nuk ka mundur t’i asgjësoj dot të gjitha mushkonjat në muajt nëntor-dhjetor 2016 paçka se ka harxhuar 60.497.188,48 (gjashtëdhjetë milionë e katërqind e nëntëdhjetë e shtatë mijë e njëqind e tetëdhjetë e tetë lekë me TVSH. Vlera e mbetur nga 800 milionë lekët e fondit limit, sipas ministrisë do të përdoret me “urgjencë” në 10 ditshin e parë të muajit shkurt 2017, që është përcaktuar si faza e dytë e “luftës” për asgjësimin e mushkonjave! Nuk e dimë, nëse në plazhet shqiptare e sidomos në zonën veriore Lezhë Shkodër, ka apo jo mushkonja në këtë dimër të ashpër e me ngrica kur nuk del në pyll as ariu, por ja që “shushunjat” e tenderëve të kësaj ministrie, deklarojnë se ka pasur e ka mushkonja edhe pse nuk ka pushues! Kujtojmë, që edhe në muajt e dimrit në vitet 2013, 2014 e 2015, ministri Beqja ka firmosur tenderë të tillë me vlerë deri në 1 miliardë lekë, për asgjësimin e mushkonjave në Divjakë, duke i “sulmuar” me avionë, por që as në dimër, as në vjeshtë e as në verë nuk u dëgjua asnjë uturimë avioni mbi Divjakë!
Ja njoftimi zyrtar i tenderit
MINISTRIA E SHËNDETËSISË 
1. Emri dhe adresa e autoritetit kontraktor: Ministria e Shëndetësisë 
2. Lloji i procedurës: E Hapur, me mjete elektronike-Shërbime 
3. Objekti marrëveshjes kuadër: “Shërbim dezinfektimi në zonat bregdetare dhe urbane”
4. Fondi limit (i planifikuar për vitin 2016): 80.000.000 (tetëdhjetë milionë) Lekë me TVSH, ndarë në 4 lote. 
5. Vlera totale përfundimtare e kontratave të lidhura mbi bazën e Marrëveshjeve Kuadër për vitin 2016 është: 60.497.188,48 (gjashtëdhjetë milionë e katërqind e nëntëdhjetë e shtatë mijë e njëqind e tetëdhjetë e tetë lekë, me TVSH 
Sigal