Bardhyl Berberi/ Kriza dhe treni, ku duhet të hipin shqiptarët

406
Çdo krizë në shoqëri, krijon mundësi të reja për zhvillim. Dhe çdo krizë sado të zgjasë, e ka një fund. Retë e bllokojnë diellin, por kurrsesi nuk mund ta mbajnë të bllokuar, edhe pas një shiu dhe furtune hapet koha. ‘Në kohë krizash lindin ide të reja edhe si rezultat i një ngërçi që kërkon një dritare. Pse lindin krizat në demokraci? Kriza vjen edhe si pasojë e ballafaqimit dhe të fërkimit të ideve, qëndrimeve, pikëpamjeve dhe botëkuptimeve. Në këtë mënyrë marrëdhëniet shoqërore marrin formë të re, përmes një kompromisi që arrihet në fund. Kjo luftë idesh pjell kontratën e re në shoqëri. Në këtë shtet ka skaduar afati i kontratës sociale; mbase është harxhuar, drita në fund të tunelit duket shumë larg. Edhe kur ka koalicion midis aleatëve në qeveri PS dhe LSI, që ky koalicion të funksionojë mbi bazën e një kontrate qeverisje, kontrata nuk duhet të jetë hileqare. Çfarë ka kërkuar lideri i LSI z. Meta, impulse të reja në qeveri se nuk ka ritmin e duhur, çfarë ndodhi? U bënë disa ndryshime të vogla kozmetike. Tani ka dalë në plan të parë nga LSI, që koncesionet aq shumë të përfolura në opinion të kalojnë në parlament për të pasur një transparencë… PSE?, – populli thotë: “Po bëri pula ka ka ka, o e bëri vezën ose e ka…”. E pra, në opinion ka zëra se një koncesion ka favore dhe klientelizëm…

 Asimetria e shpërndarjes së tyre padyshim që ka krijuar një lloj pakënaqësie. Prandaj, ka ardhur koha për një drejtim të ri, pasi koalicioni qeverisës ka hyrë në vitin e fundit të tij, pasi premtimet në fushatë janë sa një mal dhe në fund gjithsecili do të bëjë bilancin e asaj që u premtua dhe asaj që u realizua: Gjithsecili do të bëjë bilancin, a jam më mirë tani se para katër vjetësh, çfarë avantazhesh pata nga kjo qeverisje, a janë kënaqur nevojat e qytetarëve dhe si janë harmonizuar marrëdhëniet shoqërore? Duhet thënë troç, se elitat politike në parlament me një nivel nën atë mesatar intelektual kanë shpërfillur vullnetin e sovranit në atë foltore, nuk kanë qenë më të mirët që mund t`i shërbenin shumicës së qytetarëve për t’ia u rritur atyre cilësisht jetën. Kjo shumicë nuk e gjen veten falë elitës politike të korruptuar, që mendon vetëm për interes të saj… Për shqiptarët nuk ka pasur demokraci të vërtetë! Ende koncepti i fjalës “Demokraci” “shtrembërohet”. Ku dinë politikanët tanë se ç’është demokracia… Përderisa kanë mbi kokë politikanë të paaftë, të cilët emërojnë nëpër karrige drejtuese një elitë të paaftësh jo me diploma, por me tesra partie. Realisht, shqiptarët jetojnë në zemër të Europës, por ende janë larg saj. Gjënë më të thjeshtë, reformën në drejtësi dhe dekriminalizimin e hedhin dhe e presin. Duket sikur komisionet luajnë lojën e kungulleshkave. Unë kam një kungulleshkë thotë njëra parti dhe unë kam dy kungulleshka, thotë tjetra…dhe kështu si loja e kungulleshkave vazhdon në pafundësi arsye pas arsyesh vetëm që ta eliminojnë realizimin e saj. PSE? – janë të trembura të dyja palët nga zullumet që kanë bërë! Një sherrnajë e paparë midis pozitës dhe opozitës.


 Zotërinj, ne jemi të detyruar të jetojmë bashkërisht, doni apo s’doni ju kjo është demokracia: Pozitë – opozitë?! Ç’të keqe ka këtu, për një bashkëjetesë normale të merreni vesh si njerëz me njëri-tjetrin, të pini një kafe së bashku dhe të dialogoni normalisht si njerëz? Kush nga ju të dy e do izolimin e Shqiptarëve? Izolimi dhe urrejtja sjellin vetëm fatkeqësi. Boll me gënjeshtra dhe përçarje! Por e gjithë kjo vjen, sepse ka nivel të ulët kulturor dhe profesional të deputetëve, mungojnë të mençurit, ata kanë ardhur me lista të fshehta. Nëse do të kishte parlamenti kapacitete me njerëz të ditur, akademikë dhe profesorë, atëherë nuk do të ndodhnin këtë skena skandaloze, ku deputetët shahen me libër shtëpie…Ju me humorin e zi që prodhoni në atë sallë, ja keni kaluar ‘Portokallisë’ dhe ‘Al – pazarit’. Pjesëmarrja e qytetarëve në zhvillimin demokratik është e domosdoshme, zëri i tyre duhet të dëgjohet. Demokracia është ilaçi i shoqërisë, sepse çdonjëri ka hise dhe ka obligim të merr pjesë në kuvendim. Kjo është loja. Zotërinj politikanë Shqipërisë në stacion i ka mbërritur treni që do ta çojë në Europë. Por për të prerë biletën që të hipni në këtë tren duhet të bëni reformën në drejtësi, aq të domosdoshme. Ka ardhur ai çast final: – O hipim në tren ose mbetemi jashtë Europe”. Treni i demokracisë ka arritur në stacionin tonë. Mos ngurroni të na hipni në këtë tren, mjaft na çmendet me marrëzira, se mallkimet e këtij populli fukara do t’ju ndjekin për të gjithë jetën!
Sigal