Balla kërkon shkarkimin e kreut të KQZ/ Ruçi e fut për votim

488
Sigal

Grupi Parlamentar i PS është i vendosur, që edhe pse situata politike mes mazhorancës dhe opozitës është teje e acaruar, të rikthejë sërish në Kuvend kërkesën për shkarkimin nga detyra të Kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri. Vendimi është marrë gjatë punimeve në Konferenca e Kryetarëve, e cila ka përfshirë në kalendarin e punimeve 3 javore kërkesën e depozituar nga kreu i grupit socialist, Taulant Balla, që në seancën më të shpejtë të votohet shkarkimi i Zgurit, me motivacionin, “shkelje të rënda në ushtrimin e detyrës”.

Akuza ndaj Zgurit është se në vitin 2017, kur PS dhe PD ishin në një marrëveshje që doli pas “Çadrës”, më 18 Maj, kreu i KQZ i propozuar nga opozita nuk respektoi ligjin e dekriminalizimit në rastin e një kryebashkiaku. Që nga viti 2017, Klement Zguri, drejton këtë institucion pasi zëvendësoi ish-kryetarin Denar Biba, i cili dha dorëheqje dhe kaloi në postin e nënkryetarit, por që u përball me hetim dhe gjykim për shkelje të rënda në drejtimin e KQZ-së.