KE ka vlerësuar se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, duhet të rrisin përpjekjet për të ndaluar migracionin e paligjshëm dhe për të luftuar krimin e organizuar
Komisioni Evropian raportoi dje për përmbushjen e vazhdueshme të standardeve për liberalizimin e vizave nga vendet e Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Mali i Zi dhe Serbia). Raporti tregon se, ndërsa kërkesat për liberalizimin e vizave për vendet në fjalë vazhdojnë të përmbushen, kërkohet veprim në një numër fushash specifike për të ruajtur zbatimin e tyre të qëndrueshëm. Dimitris Avramopoulos, Komisioner për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë ka folur dhe për Shqipërinë. “Jemi plotësisht të përkushtuar për të ruajtur udhëtimin pa viza për qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të Partneritetit Lindor dhe po punojmë së bashku me qeveritë e tyre drejt këtij qëllimi”. “Por garantimi i kësaj shoqërohet me përgjegjësi, si për qytetarët ashtu dhe për autoritetet përkatëse. Ndërkohë që i njohim përpjekjet e këtyre vendeve për të siguruar që progresi i bërë është i qëndrueshëm dhe që reformat të vazhdojnë të japin rezultate konkrete, nevojitet punë e mëtejshme. Ne presim që të gjitha vendet të rritin përpjekjet e tyre për të trajtuar migracionin e parregullt dhe për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin në veçanti”. Raporti i djeshëm është vlerësimi i parë në kuadrin e mekanizmit të ri të monitorimit për tetë vendet që kanë kryer dialog për liberalizimin e vizave me BE-në. Vlerësimi tregon se të tetë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe të Partneritetit Lindor kanë demonstruar një angazhim për të përmbushur kërkesat e nevojshme dhe kanë ndërmarrë përpjekje të rëndësishme për të zbatuar një numër reformash me ndikim të gjerë, që janë përcaktuar në kuadrin e procesit të liberalizimit të vizave. Tani është e domosdoshme që këto reforma të jenë të qëndrueshme dhe që vendet të mos tërhiqen në arritjet e tyre. Raporti fokusohet në fushat ku nevojiten veprime të mëtejshme, në veçanti migracioni i parregullt dhe ripranimi, lufta kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave, si dhe rendi dhe siguria publike. Megjithatë, sfidat ende vazhdojnë, veçanërisht në Shqipëri, vendi me numrin më të madh të aplikimeve të pabazuara për azil mes shteteve pa viza. Me një numër të ndryshueshëm refuzimesh të hyrjes dhe qëndrimesh të parregullta, Komisioni u bën thirrje të gjitha vendeve të interesuara që të ndërmarrin veprime specifike, duke filluar nga forcimi i kontrolleve kufitare deri tek organizimi i fushatave informuese për udhëtimin pa viza. Bashkëpunimi për riatdhesimin vazhdon normalisht për të gjitha vendet pa viza të Ballkanit Perëndimor dhe të Partneritetit Lindor me përqindje të përgjithshme të larta të kthimit. Për të përmirësuar më tej bashkëpunimin për kthimin, Komisioni u bën thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor që të vazhdojnë zbatimin efektiv të marrëveshjeve të riatdhesimit dhe po të jetë e nevojshme, të përfundojnë protokolle zbatuese me Shtete Anëtare shtesë.



















