Avokat Idajet Beqiri: Ambasadori Lu të publikojë emrat e ministrave të korruptuar

563
Idajet Beqiri, kryetari i PUK, në intervistën për gazetën “Telegraf” i drejtohet ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu, që të thotë publikisht emrat e ministrave të korruptuar, sepse kriminletët janë konkretë. Zoti Beqiri thotë, që nëse nuk publikohen emrat, atëhere, këta ministra të korruptuar kanë imunitet, sa edhe vetë ambasadori Lu i takon. Zoti Beqiri thotë se ende Gjyqësori jep vendime skandaloze, duke mbrojtur ata që kanë pushtet dhe dënon njerëzit e pafuqishëm. Zoti Beqiri shprehet se pa zhbërë Sistemin Elektoral, nuk mund të ketë dekriminalizim, ndaj shprehet se ligji i dekriminalizimit, do të katandiset në një ligj të pavlerë, siç u bënë ligji për heqjen e imunitetit. Ndërkohë, “ Arrestimi i Albin Kurtit, posaçërisht ditën e festës së madhe të shqiptarëve të Pavarësisë së Shqipërisë, është simbolika më e keqe për kauzën e Shqipërisë së Bashkuar”. 

-Zoti Beqiri, mos vallë shpifi ambasadori amerikan Donald Lu që akuzoi për ministra të korruptuar, ndërkohë që kryeministri Rama po atë ditë deklaroi që nuk do bëjë ndryshime ne qeveri? 
– Nuk e di për kë ministër apo ish ministër e ka fjalën ambasadori Lu. Por di që ministrat kanë emra dhe mbiemra. Mirë ne shqiptarët jemi “rrahur qysh kur ishim këlish” dhe kemi frikë të flasim për çdo krim dhe kriminel që shohim, por ambasadori Lu, nga kush ka frikë që, edhe i di ministrat e korruptuar, edhe i lë ata anonim pa emra. Akuza ka plotë në këtë vend, por nëse të akuzuarit mbeten anonim, Rama, ashtu si Berisha dje, thonë “bjeri, bjeri, se i rënke mirë”! Në këtë vend, kryekriminelët që janë konkret, ata që kanë bërë krime monstruoze konkrete nga 2 prilli 91′, te ngjarjet e 1997, të Gërdecit, të rrugës së” Kombit”, të vrasjeve të 21 janarit, të shitjes grekut të 354 km2 territor shtetëror det, ajër dhe nëntokë me pasuri të çmuara, për këta që dënimi me burgim të përjetshëm do të ishte përsëri pak, nuk gjendet asnjë prokuror t’u ngrej akuza dhe t’i dërgoj në gjyq. Madje, ata kanë aq shumë “imunitet”, sa edhe vet ambasadori Lu, ky përfaqësues më i lartë diplomatike i SHBA në Shqipëri, jo vetëm që nuk jua zë atyre emrin me gojë, por përkundrazi takohet shpesh me ta dhe, për ironi të fatit, ata i bëjnë atij “leksione” dekriminalizimi, në një kohë që vet janë të inkriminuar gjer në grykë. 

– A mund të quhet drafti i reformës në drejtësi mbipartiak, kur atë e përgatitën ekspertë që u përzgjodhën vetëm nga PS, njerëz që i kanë shërbyer PS dhe kanë qënë edhe në diktaturë hetuesë e prokurorë? 
– Komisioni parlamentar për reformën në drejtësi është i përbërë nga të dyja grupimet kryesore politike në vend. Komisioni teknik është komision teknik. Pak rëndësi ka kush i propozon ata. Juristët e shquar, janë jurist të shquar. Ata nuk bëjnë kompromis me profesionalizmin dhe integritetin e tyre. Ato paketa ligjore kanë shkuar në Komisionin e ligjeve të Venecias. Të mos i paragjykojmë gjërat me mendjelehtësi dhe dashakeqësi. Aty ishte opozita, pse nuk propozoi teknicienët e vet për në Komisionin teknik? Vallë do presin shqiptarët, që kanë kaq vjet që vuajnë pasojat katastrofale prej drejtësisë së korruptuar, sa t’i mbushet mendja atyre që e kanë gatuar këtë krim shtetror, që të bëhet reforma në drejtësi?! Pastaj, boll me paragjykime banale, me gjyqtarë, prokurorë dhe juristë të Enverit! Sepse kështu, këta paragjykues banal, nuk po i afrohen as te maja e thoit Enverit, i cili megjithëse ishte diktator, megjithëse thoshte se shtetin e kishte diktaturë të proletariatit kundër borgjezëve dhe borgjezisë, megjithëse regjimin e Mbretit Zog e konsideroi deri në vdekje armiqësor, tradhtar, antipopullore, përsëri juristët më të shquar të asaj kohe, “borgjezët” Nathanaili, Sallabanda, Bulka, Çevi, Konomi e dhjetëra e dhjetëra të tjerë, i vendosi në pozicionin e duhur dhe ndërtuan sistemin e drejtësisë. Kurse pushteti famëkeq i Berishës e mbushi drejtësinë me plepaxhinjë dhe lloje lloje horri të paaftë, të korruptuar dhe të papërgjegjshëm, bëmat kriminale të të cilëve kemi mbi 20 vjet që i vuajmë sa më keq nuk ka. 

– Kjo qeveri në buxhetin e 2016 parashikon shkurtime të mëdha fondesh në Arsim, në Shëndetësi, në ndihmesën sociale, shkurtime të vendeve të punës, por ndërkohë, rriten shpenzimet e lustrokracisë së fasadave. Sipas jush, përse ndodh kjo?
– Buxheti ndërtohet mbi bazën e thesit me para që ke në arkën e shtetit. Për këto 25 vjet në Shqipëri është ndërtuar një shtet “i privatizuar” prej banditëve që erdhën në pushtet në vitin 1991 me urën e zjarrit në dorë. Kam vërejtjet e mia serioze për këtë qeveri, e cila pavarësisht se në cilën gjendje katastrofale e mori në dorëzim vendin në tërësi dhe ekonominë e financat në veçanti, përsëri nuk është në drejtimin e duhur, nuk ka ekspertizën e duhur për të ringritur ekonominë dhe financat e vendit. Lidhur me “luksokracinë” më duket se i jepet më shumë peshë, nga sa ka. Të mos abuzojmë në këtë drejtim. Populizmi nuk na çon askund. Një vend kandidat për BE, një shtet serioz 100 vjeçar, nuk mund të shkoj në Europë vetëm me “krrabën dhe gunën e çobanit” dhe as me kasollen e tij me kashtë! 

– A duhet të besojmë ne shqiptarët se projektligji për dekriminalizimin do të bëjë katharsin e politikës nga krimi, pa u zhbërë ky sistem elektoral aktual? 
– Reforma zgjedhore është e para. Kthimi i sistemit zgjedhor në mazhoritar-propocional si para vitit 2008 dhe heqja nga duartë e kryetarit të partisë të emërimit të deputetëve, e bënë dekriminalizimin. Pastaj dekriminalizimi kudo në botë bëhet me Kodin Penal dhe me Kodin e Procedurës Penale, jo me ligje të stisura antikushtetuese. 

– Zoti Beqiri, ju si e shpjegoni që prokurori që akuzoi Fullanin ka të drejtë, po kështu, po kaq të drejtë ka edhe gjykatësit që i dhanë pafajësinë, sikurse kanë të drejtë edhe gjykatësi që liroi nga paraburgimi deputetin Prenga dhe po të drejtë ka edhe gjykatësi që lë njëkohësisht në burg viktimat e deputetit? 
– Në një sistem horrash, klanesh, xhepaxhinjësh, hajdutërish dhe të papërgjegjshmërish, siç është ndërtuar gjatë këtyre 25 vjetëve, ku Berisha i djeshëm dhe i sotëm, me bandën e tij, është “Luigji i 14”, dhe me një fjalë të tij komandohen prokurorët dhe gjykatësit, prej këtij “stani” të helmuar, veç absurde të tilla do të shohim e dëgjojmë! Dhe kjo situatë u jep krahë gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuarëve, të cilët i bëjnë një të mirë korruptive politikës, duke përfituar për vete dhjetë fishin nga ky korrupsion.

– Ju si e gjykoni: Për drejtësinë shqiptare është më i rrezikshëm Ballist Morina që mbahet në burg nga deputeti që u lirua nga burgu? 
– Si njeri, ashtu edhe tjetri akuzohen se kanë kryer krime. Armbajtje pa leje në vendet publike e ka masën e dënimit minimumi 7 vjet burg. Para ligjit të gjithë janë të barabartë. Sistemi berishist që ende sundon në Shqipëri funksion sipas parimit “cironkat dhe të vobektit në burg, peshkaqenët dhe super kriminelët në det të hapur”! 
– Mos vallë reforma në drejtësi do të vendosë drejtësi? Si do bëhet ajo mrekulli, ku drejtësia nuk do ndikohet nga politika? 
– Reforma në drejtësi është domosdoshmëri historike. Ajo do bëhet, do apo nuk do politika kriminale shqiptare e derisotme. BE dhe aleatët strategjik të Shqipërisë, me peshë të madhe përgjegjësie ndaj fateve të popujve fatkeq në botë, ndër të cilëve edhe populli shqiptar, SHBA, nuk do e lënë më drejtësinë shqiptare të ec ende në rrugën e degradimit total, nuk do të lejoj shtetin shqiptar të bjerë në skëterrë, për të mos u ngritur më, pas 103 vjet të ekzistencës së tij. Reforma në drejtësi do të bëhet dhe do t’i zërë si “miun në çarke” të gjithë zullumqarët 25 vjeçar! – 

Çdo të thotë arrestimi i Albin Kurtit? Kujt i shërben kjo qeveri e sotme e Kosovës? 
– Arrestimi i Albin Kurtit, posaçërisht ditën e festës së madhe të shqiptarëve të Pavarësisë së Shqipërisë, është simbolika më e keqe për kauzën e Shqipërisë së Bashkuar. Shqiptarët sot kanë të drejtë të shqetësohen, sepse për fatin e tyre të keq, rruga e tyre për në BE nuk qenka një vij ujë, nga Italia, por qenka nga Beogradi! Europa e Bashkuar është e shteteve dhe kombeve të territorit të saj. Nëse ne shqiptarët nuk do të shkojmë në BE si komb shqiptar i bashkuar në një shtet kombëtar, fatet tona do të mbeten në dorë të “hasmit”, të ndarë dhe të përçarë në shumë shtete , e të kufizuar me kufij artificial tokë shqiptare! Albin Kurti duhet të lihet urgjentisht i lirë dhe të lihet i qetë të udhëheq më tej kauzën e ribashkimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve në territoret e tyre në Ballkan në një shtet të vetëm shqiptar.
– Faleminderit!
Sigal