Av. Dervishaj: KQZ dështoi me votën e diasporës! Rekomandimet e qeverisë për SPAK jo detyruese

35
Sigal

Juristi dhe avokati Bledar Dervishaj foli mbi rekomandimet e Ministrisë së Drejtësisë për SPAK-un dhe Prokurorinë e Përgjithshme tha se ato janë orientime jo detyruese.

Dervishaj tha që kujtesa e qeverisë për të rekomanduar zbutjen e masave të sigurisë është e dyshimtë, në një kohë që e njëjta qeveri ishte agresive në vendosjen e “arresteve me burg” ndaj atyre që s’paguanin energjinë elektrike.

I pyetur nëse rekomandimet janë detyruese, orientuese, apo praktikë burokratike, Dervishaj u shpreh:

“Ky parashikim është në ligjin e funksionimit të Ministrisë së Drejtësisë, që çdo vit në katër mujorin e parë, Këshilli i Ministrave u paraqet drejtuesve të prokurorisë rekomandimet ku duhet të fokusohet në politikën penale. Kjo ka derivuar nga fuqia që kishte ministri i Drejtësisë si anëtar i KLD, që kishte edhe fuqi inspektuese.

Sot kjo traditë e trashëguar është zbehur pak nga pak, sepse ekzekutivit i është hequr, që fuqia sesi e kërkon zbatimin e rekomandimeve, duhet të kalojë në shtratin ligjor dhe quheshin dhe quhen rekomandime. Këto rekomandimet për lehtësimin e masave të sigurisë, duket se bëhet e papranueshme për Prokurorinë, kur subjekt është qeveria, legjislativi, Presidenti, e kushdo tjetër.

Arresti me burg aplikohej edhe për mos pagimin e energjisë elektrike! Në atë periudhë qeveria ishte agresive. Kjo kujtesë tani e bën të dyshueshme. Mos harrojmë që Ministria e Drejtësisë dhe KM ka në varësinë e saj edhe Drejtorinë e Burgjeve. Ne realisht kemi ashpërsim të masave të sigurisë. Por mos harrojmë që janë prokuroritë e rretheve, që u pëlqen ta shkelin këmbën në gaz”.

I pyetur për futjen e inteligjencës artificiale, Dervishaj tha: “Kodi aktual nuk e parashikon, përveç komunikimeve elektronike. Për veprimet proceduriale s’ka nevojë për AI, por më shumë vëmendje dhe investime në teknologji”.

Dervishaj vuri në dukje se Task Forca e SPAK duhet të parandalonte krimet zgjedhore.  “KQZ ka dështuar me sukses në administrim e votës së diasporës”, u shpreh ai.