Av. Artan Lazaj: Kryekomisioneri i KQZ të zgjidhet me kriteret e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë

720
Sigal

Gazeta “Telegraf” në forumin për Reformën Zgjedhore, intervistoi Artan Lazaj, avokat, ish anëtar i KQZ-së. Artan Lazaj, shprehet se administrata zgjedhore duhet të jetë e depolitizuar, por edhe të ketë vëzhgues partiakë në procesin zgjedhor, ndërsa kryekomisioneri duhet të zgjidhet me kriteret e anëtarit të Gjykatës së Lartë dhe të votohet në Kuvend me 140 vota, që të kthehet besimi mes palëve për rezultatin e ardhshëm zgjedhor. Ndërsa për gjykimin e çështjeve zgjedhore, Av. Lazaj shprehet se “për të rritur besimin e munguar unë mendoj, se më e udhës do të ishte, që këto konflikte t’i shqyrtonte Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, por në mungesë të kësaj Gjykate, e cila ndoshta do të dojë edhe shumë kohë për t’u formuar plotësisht, Gjykata e Apelit Administrativ do të ishte e mjaftueshme”.

Jakup B. GJOÇA

– PS kërkon depolitizimin e KQZ-së, duke emëruar komisionerët e numëruesit e votave me nëpunës të shtetit. PD-ja kërkon që krahas tyre të ketë edhe vëzhguesit politikë. Përse nuk ka një dakordësi mazhorancë-opozitë për këtë? Në kushtet aktuale, cila është mënyra më e mirë e funksionimit të KQZ-së, që do t’i jepte besueshmëri procesit të votimeve?

Përgjigja e kësaj pyetje qëndron tek besimi. Besimi mes partive politike ështe vrarë, kështu që çfarë do lloj reformimi zgjedhor është i vështirë. Teza se komisionerët zgjedhore duhet të jenë nëpunës shtetërorë, etj, por të depolitizuar, është një tezë e vjetër e imja dhe më vjen mirë që sot është shtruar për diskutim mes partive politike për reformimin e administratës zgjedhore. Nëqoftëse komisionerët zgjedhorë do të jenë të tillë jemi ok. Për më tepër nuk ka asgjë të keqe që të ketë vëzhgues politik gjatë procesit zgjedhor, si një garanci më tepër për mbarëvajtjen e këtij procesi. Përsa i përket funksionimit të KQZ-së, unë kam menduar dhe mendoj që ajo duhet të jetë jo në këtë formë që është aktualisht, por anëtarët e saj duhet të vetëafrohen dhe jo të propozohen nga partitë politike.

– Cili është mendimi juaj për propozimin që në krye të KQZ-së të jetë një kryekomisioner? Cili duhet të jetë kriteri i përzgjedhjes së tij?

Forma më e mirë e funksionimit të KQZ-së do të jetë me një anëtar, i cili është kryetar/krykomisioner/kryeinspektor, quheni si të doni, dhe në funksion të tij duhet të jetë një administratë zgjedhore tepër e kualifikuar, i cili do të nxjerrë vetëm udhëzime për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në zbatim të kodit zgjedhor. Kriteret e përzgjedhjes së tij do të jenë ndoshta ata që përmbushin kushtet të cilët do të jenë anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe për të duhet të votojnë ndoshta me konsensus 100% e deputetëve të Kuvendit. Ndoshta kështu do të kthehet besimi mes palëve për rezultatin e ardhshëm zgjedhor.

-A është i drejtë dhe i duhur propozimi i PD-së që çështjet zgjedhore t’i shqyrtojë Gjykata Kushtetuese? A duhet të shkrihet Kolegji Zgjedhor dhe gjykimet t’i bëjë gjykata?

Këtë herë vërejmë me kënaqësi se Partia Socialiste ka qenë ndoshta më tolerante ndaj kërkesave të partive të tjera opozitare, pjesë e tryezës politike të reformës zgjedhore në lidhje me kërkesat e ndryshme të reformimit zgjedhor. Pjesë e këtyre është edhe kjo pyetja juaj, por që mua nuk më duket normale që konfliktet zgjedhore t’i shqyrtojë Gjykata Kushtetuese, pasi nuk është në misionin e saj. Konfliktet zgjedhore janë me natyrë administrative. Si rrjedhojë, është më e logjikshme që këto konflikte t’i shqyrtojë Gjykata e Apelit Administrativ. Për të rritur besimin e munguar, unë mendoj se më e udhës do të ishte që këto konflikte t’i shqyrtonte Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, por në mungesë të kësaj Gjykate, e cila ndoshta do të dojë edhe shumë kohë për t’u formuar plotësisht. Gjykata e Apelit Administrativ do të ishte e mjaftueshme.

– A mendoni se identifikimi biometrik i votuesve do të kufizojë manipulimin e votës fiktive? A është i mundur të zbatohet kudo identifikimi biometrik i votuesve?

Kam menduar dhe mendoj kështu. Po këtu ka vështirësitë e veta teknike, të cilat duhet të zgjidhen. Këto janë: mundësia e implementimit në gjithë vendin, edukimi zgjedhor i shtresave të veçanta votuese, programi i cili do të përdoret, etj. Ka një të mirë të madhe se ndoshta për herë të parë do të dalë rezultati zgjedhor shumë shpejtë, do të votojnë për herë të parë emigrantët. Por ka një të keqe të madhe, që unë si avokat më duhet ta vë në dukje, garancia e përdorimit të të dhënave personale, sidomos gjurmët e gishtave të shtetasve që do të votojnë, duhet të jetë maksimale. Ndryshe, keqpërdorimi i tyre do të ulë ndjeshëm besimin e publikut ndaj procesit zgjedhor.