Av. Ledio Braho: Gjykata Kushtetuese është organi kompetent për shqyrtimin e ankesave të subjekteve zgjedhore

423
Av.Ledio Braho
Sigal

Gazeta “Telegraf” në forumin për Reformën Zgjedhore, intervistoi Ledio Braho, avokat, ekspert i së Drejtës Kushtetuese.Av. Ledio Braho, ekspert i së Drejtës Kushtetuese, pohon se Gjykata Kushtetuese është kompetente për të gjykuar çështjet e zgjedhjeve, sepse, në rast se do të arrihet që të jetë Gjykata Kushtetuese organi kompetent për shqyrtimin e ankesave të subjeketeve zgjedhore, atëherë çështja e të drejtës së votës në aspektin kushtetues, do të gjykohet në mënyrën e duhur sipas kuptimit të saj kushtetues, dhe jo thjesht në aspektin administrativ siç e gjykon Kolegji Zgjedhor.

Jakup B. GJOÇA 

– PS kërkon depolitizimin e KQZ-së, duke emëruar komisionerët e numëruesit e votave me nëpunës të shtetit. PD-ja kërkon që krahas tyre, të ketë edhe vëzhguesit politikë. Përse nuk ka një dakordësi mazhorancë-opozitë për këtë? Në kushtet aktuale, cila është mënyra më e mirë e funksionimit të KQZ-së, që do t’i jepte besueshmëri procesit të votimeve?

-Në kushtet e një administrate publike të depolitizuar de facto, patjetër që edhe depolitizimi de jure e de facto do të ishte zgjidhja ideale për organet që administrojnë procesin zgjedhor në vend, por fakti që edhe struktura të tjera të depolitizuara siç është Policia e Shtetit , kanë treguar se gjatë periudhave zgjedhore përfshihen në mënyrë aktive në veprime tej kompetencave të tyre për të ndikuar në procesin zgjedhor, e bën këtë propozim të papranueshëm dhe jo të duhur për momentin.

– Cili është mendimi juaj për propozimin që në krye të KQZ-së të jetë një kryekomisioner? Cili duhet të jetë kriteri i përzgjedhjes së tij?

– Një qasje e tillë u ndoq edhe me organet e reja, duke përfshirë vetëm figura profesionistësh, por zgjedhja e tyre dhe funksionimi i organeve që nga krijimi i tyre ka treguar që ndikimi politik është pjesë e këtyre organeve dhe vështirë të garantohet pavarësia kushtetuese dhe ligjore e tyre. E njëjta pasojë mund të vijë edhe në rastin e një organi të tillë që do të administrojë procesin zgjedhor në vend. Nëse do të depolitizohet KQZ dhe do të krijohet një organ monokratik për administrimin e procesit zgjedhor që do të drejtohet nga një kryekomisioner, atëherë ky i fundit duhet të plotësojë kritere të tilla si mosmbajtja e funksioneve politike në administratën publike ose pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit apo mosqenia anëtar, bashkëpunëtor ose i favorizuar i ish-Sigurimit të Shtetit para 2 korrikut 1991 në kuptimin e ligjit “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”. Kriteret duhet të jenë të tilla që të garantojnë se kryekomisioneri do të jetë një personalitet profesionist në fushën e së drejtës dhe me integritet të lartë. Vetëm një figurë e tillë mund të ofrojë besim për garantimin e një procesi zgjedhor tej ndikimit politik nga partitë politike.

– A është i drejtë dhe i duhur propozimi i PD-së që çështjet zgjedhore t’i shqyrtojë Gjykata Kushtetuese? A duhet të shkrihet Kolegji Zgjedhor, dhe gjykimet t’i bëjë gjykata?

– Që në nenin 1 të Kushtetutës ku sanksionohen parimet themelore të saj parashikohet se “Qeverisja bazohet në një sistem zgjedhjesh të lira, të barabarta, të përgjithshme e periodike”. Në kreun e “Lirive dhe të drejtave politike” në Kushtetutë, parashikohet se “Vota është vetjake, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë”. Për aq kohë sa vota është themeli i funksionimit të republikës në përputhje me Kushtetutën, atëherë është mëse normale që edhe të drejtat e subjekteve në lidhje me zgjedhjet të gjykohen nga Gjykata Kushtetuese si organi i vetëm që zgjidh mosmarrëveshjet kushtetuese dhe bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës. Rasti tipik në lidhje me këtë çështje është ai i vendimmarrjes në lidhje me Dekretin e Presidentit për anulimin e zgjedhjeve të datës 30 qershor. Vendimi i Kolegjit Zgjedhor në lidhje me kërkesën e një prej subjekteve, që në mënyrë të tërthortë gjykoi edhe dekretin e Presidentit të Republikës, tregoi më së miri pamundësinë e këtij Kolegji për gjykimin e kësaj çështjeje në aspektin kushtetues të saj. Në rast se do të arrihet që të jetë Gjykata Kushtetuese organi kompetent për shqyrtimin e ankesave të subjeketeve zgjedhore, atëherë çështja e të drejtës së votës në aspektin kushtetuese do të gjykohet në mënyrë e duhur sipas kuptimit të saj kushtetuese dhe jo thjesht në aspektin administrativ siç e gjykon Kolegji Zgjedhor.

– A mendoni se identifikimi biometrik i votuesve do të kufizojë manipulimin e votës fiktive? A është i mundur të zbatohet kudo identifikimi biometrik i votuesve?

– Patjetër që identifikimi biometrik kufizon manipulimin e votës, sepse është e vetmja mënyrë që identifikimi i zgjedhësve të mos jetë pasojë e një gabimi njerëzor në rastin më të mirë apo manipulimit me dashje të vullnetit të votuesit në rastin më të keq. Në lidhje me mundësinë e zbatimit të tij, besoj se Shqipëria tashmë i ka të gjitha kapacitetet teknike për zbatimin e identifikimit biometrik, për më tepër që tashmë ka më shumë se 10 -vite që të gjithë shqiptarët janë të pajisur me letërnjoftime biometrike.