ASNJË SHTET NUK NDËRTON VARREZA MONUMENTALE PËR USHTRITË PUSHTUESE

449
– Ngritja e varrezave greke në Shqipëri cënon sovranitetin dhe dinjitetin e Shqipërisë dhe nxit më tej nacional-shovinizmin e verbër të qarqeve antishqiptare.
Diplomacia e Qeverisë “Rama 2″ duket se ka kapitulluar pa kushte. Ministri ynë i Jashtëm, duke përcjellë direktivat e pakonsultuara të Kryeministrit,që vetë vendos e vetë vulos(madje pa u konsultuar as me Presidentin e Republikës) ka cënuar interesat kombëtare të shqiptarëve duke lëkundur nga themelet marrdhëniet me partnerët strategjik, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vota”kundër” në OKB ishte qartësisht një Akt Antikombëtar, siç e konsideron deklara e Kryetarit të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, z. Dritan Mishto.
Ky akt foshnjor në Diplomaci, u parapri nga një tjetër akt antikombëtar siç është Vendimi i Qeverisë “Rama 2” i 13 Dhjetorit për ndërtimin e varrezave greke në Shqipëri. Qeveria shqiptare ka deklaruar se bisedimet e fundit greko-shqiptare kanë dhënë shenja pozitive për heqjen e Ligjit të Luftës, por duket se çmimi do të jetë tepër i kripur. Qëndrimi servil i qeverisë shqiptare me lëshimet që po bën për ndërtimin e varrezave greke në Jugun e vendit do të jetë me pasoja të pariparushme. Diplomacia shqiptare duhej të kishte këmbëngula fort se Ligji i luftës është një mbetje historike e njëanshme pasi Shqipëria kurrë nuk i ka shpallë Luftë Greqisë. Nga ana tjetër ushtarët grek që ranë në tokën shqiptare hynë për ta pushtuar Jugun e Shqipërisë. A mund të nderohen pushtuesit me varreza monumentale apo mauzole?
Qeveria e Kryeministrit Rama duhet të shohë edhe pasojat e vendimit të saj antikombëtar. Mirë është që të dëgjojë dhe historianët e krahut të vet, që këmbëngulin se ndërtimi i varrezave do të ligjërojë njohjen e të ashtuquajturit Vorio Epir.
Federata Panshqiptare e Amerikës përherë ka qenë e ndjeshme ndaj akteve të tilla që cënojnë sigurinë kombëtare dhe hapin plagë të vjetra siç janë ato të pretendimeve njëshekullore greke për Vorio-Epirin. Qëllimi strategjik i fqinjit tonë Jugor është që ta bëjë fakt të kryer atë që ajo e cilëson Vorio-Epir dhe të faktojë pretendimet e qarqeve antishqiptare, duke plotësuar me varreza kufirin e shtetit të pretenduar, një fantazmë që mbanë ngritur rrethe antishqiptare në Greqi e brenda Shqipërisë.
Vendimi i Qeverisë që tashëm është bërë publik(Dielli e ka këtë vendim) duket se ka shumë pika të errta dhe mbjell pasiguri Kombëtare. Vendimi nuk zbardh vendgërmimet për të gjetë eshtrat e ushtarëve grekë të rënë gjatë luftës Italo-greke, gjë që mund të çojë të përsëriten ngjarjet e turpshme të Kosinës në Përmet, ku prifti bënte pazare me eshtrat e të vdekurëve dhe në varrezën gjoja të ushtareve grekë u gjetën eshtra fëmijësh dhe pleqësh shqiptar, pa përmendur eshtrat e kafshëve.
Qeveria lipset të jetë trasparente dhe të tregojë publikisht se ku do të bëhen gërmimet , ku do të ndërtohen varrezat e reja dhe sa do të jetë numri i tyre?!
Qeveria Rama në Vendimin e publikuar u drejtohet edhe vendimeve të qeverivë paraardhëse, duke iu referuar Qeverisë Berisha në vitet 2010, 2011 dhe në 2012-tën. Në Vendim shkruhet se ky Vendim i tanishëm mbështetet në neni 100 të Kushtetutës dhe u referohet neneve 4-5, të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Greqisë, për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarakëve grekë, të rënë në Shqipëri gjatë luftës greko-italiane të viteve 1940-1941, dhe për ndërtimin e vendprehjes për ta, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, ratifikuar me ligjin nr, 10256, datë 25.3. 2010. Në vendim janë përcaktuar detyrimet e Ministrive përkatëse si e mbrojtjes, Infrastrukturës dhe energjisë,detyrimet e pushtetit vendor, por nuk përcaktohen saktësisht vendgërmimet dhe vendvarrimet.
Vendimi i qeverisë dikton Shqipërisë që çdo vit të organizojë me 28 tetor ceremonitë zyrtare për të nderuar ushtarakët grekë!
Federata VATRA i ka kundërshtuar në vijëmësi vendimet e qeveritarëve shqiptarë, qofshin të majtë a të djathtë duke këmbëngulur se pas strategjisë greke fshihen qëllime të qarqeve antishqiptare që kanë pretendime ndaj të ashtuquajturit Vorio-Epir. Është i njohur qëndrimi mospajtues i Vatrës edhe gjatë kohës kur në pushtet ishin demokratët. Në atë kohë ish kryetari i Federatës Panshqiptare VATRA, dr. Gjon Buçaj, pat shkruar një Letër publike ish presidentit Bamir Topi, ku i kërkonte publikisht që të mos e dekretonte Ligjin e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë me 25 mars 2010 , për ngritjen në territorin e Shqipërisë të varrezave për ushtarët grekë të vrarë gjatë Luftës Italo-Greke në periudhën e viteve 1940-1941.
Ish Kryetari i Vatrës, shkruante në letrën drejtuar presidentit se vatranët, si të gjithë shqiptarët kudo në botë, të cilët e duan kombin e atdheun, janë thellësish të shqetsuar nga ky veprim i kryer në ditën kur, gjatë paradës në Athinë duke kremtuar pavarësinë e Greqisë, njësi ushtarake greke thërrisnin se do të pinin gjakun e shqiptarëve. Ky nuk është një episod i izoluar, por nji akt i rëndë provokues, i përsëritur disa herë, edhe në 2007-ën. Qeveria dhe shteti grek nuk kanë bërë asgjë për të parandaluar përsëritjen e dukurive të tilla armiqsore kundër Shqipërisë e shqiptarëve.
VATRA mbështet marrëdhënje të vërteta miqësie midis Shqipërisë dhe Greqisë. Ne besojmë se dy vendet dhe popujt tanë kanë shumë vlera të përbashkëta që shkojnë deri në lashtësi. Por miqësia e vërtetë vendoset në barazi, dinjitet dhe interes të ndërsjelltë. Asnjëherë dinjiteti shtetëror dhe kombëtar nuk mund t’i bëhet dhuratë një vendi të huaj, sado mik që të jetë ai.
Asnjë shtet sovran nuk i ngre përmendore apo varreza një ushtrie të huaj pushtuese. Është fakt historik se Shqipëria e pushtuar nga Italia fashiste kishte humbur pavarësinë dhe personalitetin juridik si subjekt i së drejtës ndërkombëtare. Pavarësisht nga kjo, edhe pse dy vendet tona janë tashmë anëtarë të NATO-s, Parlamenti Grek mban në fuqi Ligjin e Gjendjes së Luftës me Shqipërinë, duke u shkaktuar dëme të mëdha pasurore shtetasve shqiptarë me interesa ekonomike në Greqi.
……….Është e vërtetë se në vitin 1940-1941 trupat greke mbrojtën me heroizën vendin e tyre nga fashistët italianë. Mirëpo ato u kthyen vetë në trupa pushtuese kur hynë në trojet shqiptare, përfshirë Korçën, Gjirokastrën, Himarën, Sarandën etj. Qeveria greke vendosi një regjim të vërtetë pushtimi në Shqipërinë e jugut, duke mos lejuar ngritjen e flamurit shqiptar, duke futur në qarkullim monedhën greke e duke ndërmarrë veprime të tjera aneksuese. Madje, qeveria greke refuzoi edhe thirrjet e Mbretit Zog dhe të patriotëve shqiptarë për krijimin e forcave të përbashkëta ushtarake që do të ndërmerrnin çlirimin e plotë të Shqipërisë nga Italia fashiste dhe rikëthimin e qeverisë së ligjshme shqiptare në vend.Shembulli më i qartë i synimeve aneksioniste të Athinës ishte vendimi i shtatmadhorisë greke për të mos tërhequr trupat pushtuese nga Shqipëria e jugut, megjithë kërcënimin që i vinte vendit të tyre nga ndërhyrja gjermane në Maqedoni. Për më tepër, edhe para kapitullimit ndaj gjermanëve, gjeneralët grekë u përpoqën të hyjnë në pazarllëk me nazistët që Shqipëria e Jugut t’i mbetej Greqisë.
Praktika ndërkombëtare tregon se për raste të tilla do të mjaftonte një monument i thjeshtë dhe jo ndërtimi i varrezave masive në tokën shqiptare. Eshtrat e ushtarëve grekë le të varrosen me nderime në Peloponez apo Atikë, por kurrsesi në tokën tonë. Ngritja e varrezave për ta në Shqipëri cënon sovranitetin dhe dinjitetin e Shqipërisë dhe nxit më tej nacional-shovinizmin e verbër greko-madh.
– KOMENT I GAZETËS DIELLI”, ORGAN I FEDERATËS PANSHQIPTARE TË AMERIKËS”VATRA”/1 Varrezat Greke
Sigal