Arrestimi i shefi të Interpol-it Jep dorëheqjen kryepolici Didi

832
TIRANE – Bllokimi që dy drejtues të lartë të Intepol Tiranës i bënë kërkesave të ardhura nga Belgjika për arrestimin e deputetit Mark Frroku, çoi në dorëheqjen e parevokueshme të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Artan Didi. Pak orë pas arrestimit të shefit të Interpol Tiranës Artan Bajraktarit dhe specialistes në këtë institucion Laureta Alla, kryepolici Didi i paraqiti zyrtarisht dorëheqjen ministrit të Punëve të Brendshme dhe kryeministrit Edi Rama.
“Duke vlerësuar këtë ngjarje si të papranueshme për prestigjin e institucionit të Policisë së Shtetit, të cilin unë e drejtoj, duke e vlerësuar që nuk pata kapacitetin e mjaftueshëm për të parandaluar një fakt të tillë, vendosa të jap dorëheqjen e parevokueshme nga funksioni i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit”, shkruan Didi në kërkesën drejtuar Tahirit dhe Ramës. 
Këtë mëngjes Partia Demokratike përmes Arben Ristanit akuzoi se kërkesa për arrestimin e Frrokut nga autoritetet belge kishte rënë në dorën e policisë shqiptare me dy kërkesa të njëpasnjëshme në janar të 2015-ës, por që u mbajtën të fshehta dhe u bënë publike vetëm pak ditë më parë (më 18 mars) kur sipas Ristanit, qeveria kishte garantuar dëshminë e Frrokut në favor të kryeparlamentarit Meta në lidhje me akuzat e Tom Doshit për atentat ndaj tij.
Sipas burimeve Didi ia ka përcjellë vendimin drejtuesve më të lartë të Policisë në një mbledhje me dyer të mbyllura në drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Artan Didi mbante postin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit që nga tetori i vitit 2013. 
Ora 11:20 Tahiri mbledh drejtuesit e policisë
Rreth 40 minuta para konferencës për shtyp të parashikuar në orën 12:00, në lidhje me dorëheqjen e kreut të Policisë së Shtetit, Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri është duke zhvilluar një takim krerët e policisë në qarqe.
Takimi i Tahirit është duke u zhvilluar në ambientet e Ministrisë e Brendshme.
Ora 10:50 Tahiri deklaratë për mediat në orën 12:00
Pas kërkesës për dorëheqje që Didi i ka dërguar zyrtarisht ministrit të Brendshëm dhe kryeministrit, Saimir Tahiri do të mbajë një deklaratë për mediat në institucionin që ai drejton.
Ora 10:45 Arrestimi i kreut te Interpol, Didi: Ngjarja e papranueshme, s’pata kapacitetin per ta ndaluar
“Modelin e punës që u mundova të fus në institucion po e shoqëroj me modelin e dorëheqjes kur diçka nuk ecën sipas pritshmërisë që ti ke dhe të asaj pritshmërie që kanë të tjerët për punën e institucionit që t’i drejton. 
Shkelja e procedurave ligjore të specialistit të Interpolit dhe të shefit të këtij sektori, shkelje që i vuri ata përpara përgjegjësisë penale, cenoi në një farë mase imazhin e Drejtorisë së Përgjithshme të policisë, ndonëse ishte po ky institucion që e korrigjoi gabimin.
Për këtë arsye, duke vlerësuar këtë ngjarje si të papranueshme për prestigjin e institucionit të Policisë së Shtetit, të cilin unë e drejtoj, duke e vlerësuar që nuk pata kapacitetin e mjaftueshëm për të parandaluar një fakt të tillë, vendosa të jap dorëheqjen e parevokueshme nga funksioni i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Punonjësit e ndershëm të policisë të më gjykojnë për këtë vendim!”
Ora 10:35 Dorëheqja e Didit përgjegjësi morale ndaj cështjes “Frroku”
Sipas zyrës së shtypit të Policisë së Shtetit, vendimi i Didi për dorëheqje lidhet me përgjegjësinë morale ndaj rastit të fundit në çështjen “Frroku”. Bëhet fjalë për arrestimin gjatë orëve të mbrëmjes të kreut të Interpol Tirana Artan Bajraktarit dhe oficeres Laureta Alla të cilët dyshohet se fshehën provat nga Belgjika që implikonin Mark Frrokun në akuzën që ai ka për vrasje në këtë shtet. Dorëheqja është e parevokueshme dhe i është dërguar zyrtarisht ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri dhe kryeministrit Edi Rama.
Ora 10:10 Dorëheqja, Didi letër Ramës: Ndjej përgjegjësi morale
Kryepolici Artan Didi i ka dërguar letër kryeministrit Edi Rama dhe ministri Saimir Tahiri, ku mësohet se ka sqaruar arsyet e dorëheqjes së tij nga Policia e Shtetit. “Ndjej përgjegjësi morale”, mësohet t’i ketë shkruar Didi kreut të qeverisë.

Sigal