Një paqe e shpejtë, që të mos promovohen skenarë të kohës së Pinoçetit
( Demokracia si procedurë – kthehet në karikaturë nëse vijohet me lista)
Demokracia si substancë nuk ka më kuptim me deputetë përtej nr 82. Demokracia si procedurë, kthehet në karikaturë nëse vijohet me lista… Oferta e Presidentit është në kohë, por interesi ngushtë dhe dëshira për ta shkatërruar/karikaturizuar opozitën do të bëjnë që ta humbin edhe këtë shteg kompromisi. Këtu i kanë qejf shtigjet e marrëzisë..Në analizën e tij Andi Bushati zbërthen deklaratën e Metës për dorëheqje dhe mënyrat e zgjidhjes së krizës e cila duhet pranuar që është produkt i një njeriu të vetëm Edi Rama dhe jo krizë e socialistëve të thjeshtë. Ja analiza e plotë:
Andi Bushati: Si zbërthehet deklarata e Metës për dorëheqje, ku del oferta e Presidentit për zgjidhjen e krizës?
Ka një tendencë për t’i parë në një mënyrë tejet sipërfaqësore qëndrimet e forta që Ilir Meta mbajti sot. Deklaratat e tij janë shpjeguar si një përpjekje për thellimin e krizës, të bëra nga njeriu që deri më sot ka mbajtur veshur kostumin e liderit të LSI-së, parti të cilën ia la trashëgim bashkëshortes së tij. Pra, në këtë kuptim, togfjalëshat për vetësakrifikim alla Salvador Aliende, presidenti kilian që u rrëzua nga pushteti nga një bashkëpunim i turpshëm i segmenteve më fashistoide të CIA-s me manjatët milionerë që rrethonin Kisingerin, apo ato për djegie të mandatit presidencial, janë interpretuar si një bombë ‘Molotov’ më shumë në flakën që opozita po kërkon t’i vërë sistemit.
Andi Bushati: Në fakt, nuk është ekzaktësisht kështu
Po të lexohet me vëmendje mesazhi presidencial, aty mund të qëmtosh një kleçkë që mund të shërbejë për rihapjen e dialogut. Duke deklaruar se vetëm 82 deputetë të këtij parlamenti janë të ligjshëm, duke nënkuptuar se vendet e plotësuara nga listat janë anti -kushtetuese, Meta ka hedhur hipotezën e parë drejt një kompromisi të mundshëm. Ajo që ai do të kumtojë midis rreshtave është se kriza mund të shmanget, po të gjendet një konsensus politik, i cili pastaj, përmes një interpretimi ligjor do ti rikthente ish -deputetët e PD dhe LSI-së në parlament (shkrimi dhe faksimilja poshtë). Pra, ndonëse Basha dhe Kryemadhi janë betuar se i kanë djegur mandatet, ndonëse Rama dhe Gramoz Ruçi kanë rënë në paqe me këtë fakt, duke joshur me të gjitha format hyrjen e deputetëve të rinj, ndonëse diplomatët dhe burokratët e huaj i kanë përshëndetur si legjitimë këta të fundit, presidenti ka hedhur obsionin se e gjithë loja e deritashme është e paligjshme dhe duhet të kthehet mbrapsht. Natyrisht, sa më sipër, mund të jetë vetëm një interpretim ligjor personal apo politik, që mund të mbështetet apo hidhet poshtë nga kostuticionalistët, por në thelb, kjo ka pak rëndësi. Ajo që duhet theksuar, është se ndryshe nga sa po interpretohet, kreu i shtetit, nuk po sillet si Iliri i Monikës që do “luftë”, por si Meta president që kërkon zgjidhje. Ai nuk po tenton t’i hedhë benzin zjarrit, por po propozon një rrugë për ta fikur atë.
Andi Bushati: Është debat tjetër nëse propozimi i tij vjen në kohën e duhur
Liderët e opozitës akoma vazhdojnë të pretendojnë se nuk ka më kthim pas, as në atë kuvend dhe as në zgjedhje me Ramën. Shumë gazetarë (përfshirë edhe autorin e këtyre radhëve), apo zëra publikë, këmbëngulin se sa më shumë të shkohet drejt radikalizmit aq më i “lumtur” do të jetë fundi, por Ilir Meta ndoshta mendon ndryshe. Me sa duket ai parasheh një kompromis dhe nuk i ka hequr shpresat se opozita legjitime mund t’i rikthehet parlamentit, ose duke e konsideruar ligjërisht nul dorëzimin e mandateve (rruga më e thjeshtë) ose duke konsideruar nul parlamentin me 82 deputetë (rruga më e gjatë), gjë që do provokonte zgjedhje të reja. Prandaj mesazhi i tij nga Pogradeci kërkon lexim të kujdesshëm, si një nismë, që pavarësisht nëse dëgjohet apo jo, duhet parë si një përpjekje për paqe. Një paqe në emër të së cilës Meta, ka ofruar edhe mandatin e tij, në mënyrë që të mos promovohen skenarë të kohës së Pinoçetit.