Analisti Veton Surroi: Misionet fluturuese ndërkombëtare nuk janë zgjidhja

479
Sigal

Idetë për korrigjim të kufirit ose shkëmbim të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë nuk janë serioze.

Kështu shprehet analisti dhe publicisti i njohur Veton Surroi në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Surroi thekson se, legjitimiteti i këtyre ideve në rrafshin ndërkombëtar në masë të madhe ka vdekur.

Por analisti nga Kosova nuk harron të komentojë edhe situatën në Shqipëri.

“Është për të ardhur keq që ekziston një polarizim i tillë në Shqipëri, ekziston një mungesë përbashkësie ndaj një ideje të avancimit të shtetit. Kemi të bëjmë me pikëpyetje për legjitimitetin e demokracisë në Shqipëri. Por për fat të keq po shtrohet në diskutim edhe legjitimiteti i shtetit dhe institucioneve. Kjo gjendje tejkalohet me një përbashkësi përmes një dialogu, me një kornizë më të gjerë, që analizon jo vetëm zgjedhjet, por edhe shtetin si të tillë, çka është e nevojshme të ndryshohet në kornizën kushtetuese apo ligjet zgjedhore. Kjo më pas do prodhojë një dialog autentik, një ide të një Shqipërie europiane. Nuk mundet që çdo cikël zgjedhor të prodhojë dilemën e vitit 1989, pse shqiptarët të jenë të vetmit në Europë që vënë në pikëpyetje legjitimitetin e zgjedhjeve të tyre”, është shprehur Surroi.

I pyetur se nga mund të vijë zgjidhja, Surroi tha: “Unë mendoj se duhet të ketë një vullnet autentik të shqiptarëve, të palëve politike, të shoqërisë civile, të figurave intelektuale, që duhet të marrin pjesë në një aktivitet që u përket shqiptarëve, nuk është çështje e misioneve fluturuese ndërkombëtare, që vijnë dhe japin zgjidhje të shpejta dhe largohen. Me ato zgjidhje duhet të jetojnë shqiptarët”.