Ambasadori rus sqaron bisedën me Bashën, pas akuzave të Ramës për “armiqtë e jashtëm”

455
Situata politike në Shqipëri ka qenë temë diskutimi mes Lulzim Bashës dhe Aleksandër Karpushin në datën 13 mars, por në njoftimin zyrtar të ambasadës nënvizohet se Rusia respekton parimin e mosndërhyrjes në punët e brendshme të vendeve të tjera.

“Bashkëbiseduesit diskutuan për zhvillimet e fundit në politikën shqiptare, si dhe për situatën aktuale në rajon, përfshirë këtu në Maqedoni dhe Kosovë. Një vëmendje e veçantë iu kushtua marrëdhënieve dypalëshe Rusi-Shqipëri. Në këtë kontekst Ambasadori rus nënvizoi se parimi bazë i politikës së jashtme të Rusisë është ai i mosndërhyrjes në punët e brendshme të vendeve të tjera” thuhet në njoftimin e ambasadës.

Sqarimi bëhet pas një deklaratë për armiq të jashtëm që mbështesin protestën e opozitës nga Edi Rama.

“Partnerët tanë do të dëshpëroheshin nëse zhvillimet në Shqipëri nuk do të ecnin mirë por ndërkohë disa të tjerë do të gëzoheshin. Kryetari i opozitës mund të mos i dallojë miqtë dhe armiqtë e Shqipërisë”, tha Rama gjatë një interviste në Top Channel.

Pas tij, Lulzim Basha hodhi poshtë akuzat duke i quajtur përralla.

“Këto deklarata janë përralla. Këto i thotë njeriu që deshi të bëhej diktator por që shqiptarët ja prishën ëndrrën. Unë sot kam patur një takim me ambasadorin e Rusisë në një takim publik. Është një takim në kuadrin e një kontakti normal që PD ka me gjithë përfaqësuesit e huaj në Shqipëri. Kontakte me qarqe të huaja që të diskutoj fatet e Shqipërisë PD nuk ka dhe nuk do të ketë” ishte reagimi i Bashës pas akuzave që iu bënë nga kryeministri.
DEKLARATA RUSE
Ambasadori Karpushin zhvilloi një takim me Kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë z. Lulzim Basha.
Bashkëbiseduesit diskutuan për zhvillimet e fundit në politikën shqiptare, si dhe për situatën aktuale në rajon, përfshirë këtu në Maqedoni dhe Kosovë. Një vëmendje e veçantë iu kushtua marrëdhënieve dypalëshe Rusi-Shqipëri. Në këtë kontekst Ambasadori rus nënvizoi se parimi bazë i politikës së jashtme të Rusisë është ai i mosndërhyrjes në punët e brendshme të vendeve të tjera.

Z. Karpushin theksoi gjithashtu se Federata Ruse vlerëson se ekzistojnë mundësi të pashfrytëzuara për të rritur bashkëpunimin ekonomik pragmatik mes dy vendeve tona dhe shpreson se në të ardhmen të punohet për të rritur nivelin e këtij bashkëpunimi. Ambasadori shprehu besimin se një impuls të fortë shkëmbimeve dypaleshe ekonomike do t’i japë takimi në muajin prill në Tiranë i bashkëkryetarëve të Komisionit Ndërqeveritar Rusi-Shqipëri për Tregtinë, Bashkëpunimin Ekonomik dhe Tekniko-Shkencor, si dhe sesioni i ardhshëm i këtij Komisioni qe pritet të mbahet ne vjeshtë, kur të formohet qeveria e re shqiptare.

Ambasadori Karpushin dhe z. Basha e vlerësuan si konstruktiv një komunikim të tillë dhe ndanë një bindje të përbashkët se pikëpamjet e ndryshme në disa çështje nuk duhet të pengojnë përpjekjet për të eksploruar fusha të bashkëpunimit reciprok.
Sigal