Ambasadori i OSBE në Tiranë/ Bochardt sulmon, sipas modelit marksist, median e lirë që kritikojnë qeverinë e Rilindjes për tenderat

267
Sigal

Pas Kim Yongut shfaqet edhe ambasadori  i OSBE-së në Tiranë

Bochardt sulmon median, sipas modelit marksist

Bochardt, ambasadori i OSBE-së në Tiranë, është ai, që u ngriti gishtin protestuesve në Tiranë, duke i injoruar për kauzën e tyre. Borchardt, duhet të ishte larguar për atë sjellje fashiste, pasi komprometoi qëllimisht TË DREJTAT E NJERIUT, të drejtën demokratike të çdo qytetari për të protestuar kundër qeverisë. Mirëpo, Borchardt, ndërsa paguhet si ambasador i OSBE-së ne Tiranë, me sjelljen, me veprimet e ulta, si gishti i mesit përpjetë ndaj protestuesve, por edhe me heshtjen e tij fajësore, ndaj vjedhjes dhe manipulimit të votave në zgjedhjet e 2015, 2016, 2017, ku Borchard nuk foli asnjë fjalë as kur BILD, dhe VOA publikuan dosjet 339 dhe 184. Vetë Bochardt, është i pabesueshëm edhe për OSBE-në, e cila në raportet e saj zyrtare për zgjedhjet e 2015 dhe 2017 në Shqipëri analizoi manipulimin e votës, ndërkohë, që Bochardt ka heshtur, duke u bërë paterica e kryeministrit dhe e qeverisë shqiptare.

Bochardt “bilbilfryrësi” i kryeministrit Rama

Sondazhet në Shqipëri tregojnë se media është një ndër aktorët më të besueshëm për luftën kundër korrupsionit në administratën publike. Por zyra e OSBE-së në Tiranë e konsideron median si një faktor që është bërë shkak për mungesën e denoncimeve të rasteve korruptive. Zyra e OSBE-së në Tiranë rendit raportimet “e medias joprofesionale” si shkakun kryesor për mos-funksionimin e ligjit për “bilbilfryrësit”, një mekanizëm që synon të përthithë denoncime për raste korruptive nga të punësuarit në institucionet shtetërore dhe kompanitë e mëdha private. Qëndrimi absurd i zyrës, së drejtuar nga Bernd Borchard, gjendet në raportin për vitin 2019 të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesave (ILDKPKI). Në dokumentin që ILDKPKI ka vendosur në dispozicion të deputetëve, ka një seksion të veçantë për problematikat e zbatimit në praktikë të ligjit “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”. (bilbilfryrësit) ILDKPKI citon në raport një vlerësim nga Prezenca e OSBE-së në Tiranë, mbi zbatimin e legjislacionit për “bilbilfryrësit”, duke renditur disa aspekte problematike të theksuara nga zyra e Boschard, ndër të cilat mungesën e besimit të publikut tek institucionet. Por, në krye të gjetjeve problematikave të OSBE-së, qëndron mënyra se si e ka trajtuar media ligjin për “bilbilfryrësit”.

Fajin e ka media?!

Sipas asaj që citon raporti vjetor i ILDKPKI-së, zyra e OSBE-së në Tiranë mendon se ka një perceptim të garuar nga një grup i madh aktorësh, përfshirë avokatë, media e profesionistë, të cilët prisnin rezultate të shpejta nga ky ligj, ndërkohë që nuk kanë marrë në konsideratë mungesën e besimit të qytetarëve tek institucionet. Dhe, ky perceptim ose “këto pritshmëri u transmetuan në mënyrë të gabuar për publikun përmes një media joprofesionale dhe jo të informuar, e cila në vend që të promovonte këtë mekanizëm, negativisht solli stigmatizim në dispozitat e ligjit dhe praktikën e sinjalizimit”. Kritikat dhe fjalori i përdorur nga Prezenca e OSBE-së në Tiranë ka një ngjashmëri të lartë me frymën linçuese që përdor shpesh ndaj gazetarëve kryeministri Edi Rama, i cili, për koincidencë, drejton edhe presidencën e radhës të Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin Europian. Organizata “Reporterët pa kufij”, në raportin e publikuar vetëm pak javë më parë, konstatuan regres në lirinë e medias në Shqipëri. Ligjet kundër medias online, kufizimi i qasjes së gazetarëve në informacion, arrestimi i gazetarëve dhe aktivistëve dhe mbyllja e mediave kritike ndaj qeverisë, janë vetëm disa nga problemet që sipas organizatës Reporterët pa Kufij kanë çuar në përkeqësimin e lirisë së medias në Shqipëri. Për vitin 2019 ajo renditet e 84-ta nga 180 vende. Përballë një kryeministri me prirje autoritare, media në Shqipëri merr një kritikë të ashpër dhe, me shumë gjasë, edhe të pavend, edhe nga zyra e OSBE-së në Tiranë. Në një sondazh të zhvilluar nga Instituti për Demokraci e Ndërmjetësim (IDM) dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, PNUD, media renditej e treta, pas institucioneve fetare dhe forcave të armatosura, si institucioni më i besuar nga qytetarët shqiptarë. Media në Shqipëri, raportojnë thuajse çdo ditë mbi raste të dyshuara korruptive në administratën publike, në procedura të prokurimit publik, si edhe për vendimmarrje në kushtet e konfliktit të interesave. Institucionet ligjzbatuese kanë informuar shpesh për nisjen e hetimeve për korrupsion, bazuar në indicjet mediatike. Vetëm pak ditë më parë, Prokuroria Speciale-SPAK, njoftoi se, falë indicjeve mediatike, ka nisur procedimet penale për ato që konsiderohen “tendera sekretë”, të zhvilluar gjatë periudhës së pandemisë Covid-19.

Ligj i ri, fonde të reja

Ligji për “Sinjalizuesit” (bilbilfryrësit) është miratuar në vitin 2016, me asistencën e ekspertëve dhe financimin e Delegacionit të Bashkimit Europian, të drejtuar në atë kohë nga ambasadorja Romana Vlahutin. Ligji hyri në fuqi një vit më vonë. Parlamenti ia ngarkoi përgjegjësinë e zbatimit të tij Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesave. Në 3 vitet e zbatimit të tij, ligji për “Sinjalizuesit” është shumë larg rezultateve të pritshme, me raste minimale të denoncimit të korrupsionit nga brenda radhëve të institucioneve. OSBE-ja në Tiranë, referuar asaj që citohet në raportin vjetor të ILDKPKI, ka identifikuar 9 gjetje për mos-zbatimin e ligjit për “bilbilfryrësit”. Përveç problematikës që sheh tek media, OSBE-ja ka renditur edhe një seri faktorësh të tjerë, përfshirë mungesën efektive të denoncuesve, ndërgjegjësimin e qytetarëve, mos-funksionimi si duhet i strukturave përgjegjëse në institucionet publike. Praktikisht, zyra e OSBE-së në Tiranë ka “rrëzuar” pjesën më të madhe të ligjit, duke nxitur nevojën për modifikime thelbësore në nenet e tij. Zyra e Borchard nxit, ndër të tjera, një debat publik, për “t’i paraprirë çdo nisme për ndryshime të shpejta në ligjin aktual”. Për Prezencën e OSBE-së në Tiranë, ligji duhet ndryshuar, megjithëse ka vetëm tre vjet në fuqi dhe për hartimin e tij u shpenzuan para nga fondet e Bashkimit Europian. Në atë kohë, OSBE-ja nuk kishte ekspertët e saj në hartimin e dispozitave të ligjit “Për Sinjalizuesit”. Por, shpreson që ndryshimet e mundshme ligjore të përfshijnë edhe ekspertët e saj në fondet që pritet të lëvrohen sërish nga Bashkimi Europian për të njëjtin ligj.