Ambasadori i Italisë viziton Vlorën, takohet me drejtues vendorë

532
Ambasadori i Italisë në Tiranë, Alberto Cutillo, zhvilloi të premten një vizitë në qytetin e Vlorës, ku u takua mes të tjerash, me drejtuesit vendorë.
Sigal

Gjatë kësaj vizite një ditore, që ishte e para jashtë kryeqytetit, pas emërimit të tij në këtë detyrë, Cutillo pa nga afër investime të rëndësishme të Italisë dhe biznesit italian në Vlorë, mes të cilave në “Petrolifera Italo-Shqiptare”, Portin Turistik të Orikumit, ndërkohë që ndoqi nga afër edhe punën që po bëhet për rikonstruksionin e portit, përmes një investimi prej rreth 15 milionë euro, akorduar nga qeveria italiane.

Po ashtu, gjatë takimeve që zhvilloi me Kryetarin e Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, Prefekten e Qarkut, Etjona Hoxha, Kryetarin e Këshillit të Qarkut, Sadrit Danaj, Ambasadori i Italisë, Alberto Cutillo, garantoi mbështetjen e vendit të tij në fusha të ndryshme, ndërkohë që u ndal veçanërisht në sektorin e turizmit dhe pritshmëritë pozitive për Vlorën. Ai tha se, gjatë sezonit të ardhshëm veror, pritet një fluks në rritje i turistëve nga Italia.

Leli, vlerësoi faktin që, vizitën e parë të tij jashtë Tiranës, Ambasadori i Italisë e zhvillon në Vlorë, çka reflekton vëmendjen që vendi fqinj ka për qytetin jugor bregdetar. Ai falenderoi Italinë për mbështetjen me investime, ndërkohë që u ndal tek marrëdhëniet e shkëlqyera tradicionale mes dy vendeve, të cilat vazhdojnë të jenë dhe do të jenë të tilla edhe në të ardhmen.

Gjatë këtyre takimeve, titullarët vendorë bënë një pasqyrë të zhvillimeve në Bashkinë dhe në Qarkun e Vlorës, duke u fokusuar tek resurset e zhvillimit të turizmit, punën dhe politikat që po ndiqen për zhvillimin e tij. Në to u theksua rëndësia e marrëdhënieve mes dy vendeve tona, çka ka reflektuar edhe gjatë këtyre viteve.

Në këto takime, ishte i pranishëm edhe Konsulli i Përgjithshëm i Italisë në Vlorë, Stefano Bergesio. Në një intervistë për median, Ambasadori i Italisë, Alberto Cutillo, deklaroi qëndrimin e vendit të tij për reformën në drejtësi, e cila, sipas tij është shumë e rëndësishme për Shqipërinë.

“Bashkimi Evropian ka kërkuar shumë reforma në Shqipëri, por reforma në Drejtësi është më e rëndësishmja. Komisioni i Venecias, ashtu si edhe vendet mike të BE-së, do ta mbështesin Shqipërinë në këtë drejtim, por e rëndësishme është që reformën duhet ta bëjë politika, duhet ta bëjë vetë populli shqiptar”, theksoi Cutillo