Ambasadorëve s’u del “falli i filxhanit” për dhunën e protestës

478
Sigal

Ambasadat japin deklarata copy paste për parashikime të dhunës në protesta

Jakup B. GJOÇA

Çuditërisht, në të njëjtën kohë, dje, para fillimit të protestës së paralajmëruar nga Opozita e Bashkuar shumë ambasada të akredituara në Tiranë dhanë, secila më vete, deklarata shtypi, ku u bëjnë thirrje qytetarëve, protestuesve, madje, ambasada e SHBA në Tiranë, përmendi me emra edhe Lulzim Bashën dhe Monika Kryemadhin, që nuk duhet të lejojnë të përdoret dhunë kundër institucioneve dhe kundër policisë. Ajo që të bën përshtypje, është se të gjitha ambasadat në Tiranë, kanë të njëjtën përmbajtje në deklaratat e tyre, thua se teksti është copy paste, i diktuar nga një zyrë e vetme, e ndërsa ambasadat, thua se janë zëdhënëse të asaj zyre që u dërgoi tekstin copy paste. Pardje, televizionet dhanë live dhunën e pashembullt të policisë së Shtetit ndaj sekretarit Organizativ të PD, sa edhe VOA në transmetimin live theksoi se koordinatori i Opozitës për protestën kishte në duar vetëm një telefon dhe maskën kundërgaz, e megjithatë u dhunua egërsisht nga policia. Mirëpo, ambasadat në Tiranë, as atëkohë, as një ditë më vonë, por as dje në deklaratat e tyre (copy paste) nuk përmendën dhunën e policisë së Shtetit kundër protestuesve, as përdorimin pa kriter të gazit lotsjellës nga Policia e Shtetit, as arrestimet e qytetarëve në kundërshtim me ligjin, sikurse deklaroi edhe Avokati i Popullit.

Një tjetër pyetje është: Përse paraprakisht, ambasadat në Tiranë në deklaratat e tyre bënë fjalë për dhunë (të mundshme), kur organizatorët e protestës deklaronin se protesta do të zhvillohet paqësisht? Nga e kishin ambasadat në Tiranë informacionin për dhunë të imagjinuar në protestë? Thua nga Ministria e Brendshme? Qëndrime të tilla të njëanshme politike të ambasadave të akredituara në Tiranë, irritojnë qytetarët shqiptarë, humbasin tek shqiptarët atë shpresë dhe reputacion për diplomatët e vendeve demokratike, nuk ndihmojnë në ndërtimin e standardeve demokratike në Shqipëri, por përkundrazi, i japin oksigjen një qeverie që është e korruptuar, e inkriminuar, një qeverie, që e ka shndërruar Shqipërinë, sikurse theksojnë raportet e DASH, institucionet shtetërore të qeverive të këtyre ambasadave, si edhe mediat e tyre në “Kolumbinë e Kokainës” në parajsën e pastrimit të parave të korrupsionit dhe krimit. Protesta e mbrëmshme e opozitës, përgënjeshtroi parashikimet e deklaratave copy paste të ambasadave në Tiranë për dhunë në protesta, sepse vetë protesta u zhvillua paqësisht, përjashto disa hedhje tymuesesh dhe fishekzjarrësh.