Akuzat e opozitës, reagon Manastirliu: Mos bëni politikë me koronavirusin, ndjekim strategjinë e ekspertëve më të mirë të shëndetit publik në vend

67

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu i është përgjigjur akuzave të opozitës sa i takon situatës me koronavirusin.

Përmes një mesazhi në ‘Facebook’ Manastirliu i bën thirrje opozitës që mos të bëjë politikë me pandeminë, por të japin shembuj person për zbatimin e masave.

Sipas saj, Shqipëria ka ndër shifrat më të ulëta të fataliteteve në rajon dhe Evropë.

POSTIMI I MANASTIRLIUT:
Për të gjithë “mjekët” e politikës dhe “politikanët” e mjekësisë, që shëndetin e qytetarëve e shohin veç si një armë për ta përdorur në sulmin politik të ditës:
Ne vazhdojmë t’u besojmë dhe të ndjekim strategjinë e ekspertëve më të mirë të shëndetit publik në vend dhe punojmë çdo ditë si ditën e parë, për të forcuar kapacitetet e sistemit shëndetësor, në përgjigje të epidemisë Sars-Cov2.
Ne vazhdojmë të besojmë fort në ofrimin me transparencë të të dhënave, në mirëkuptimin si dhe bashkëpunimin me qytetarët, për masat e domosdoshme që nevojiten për mbrojtjen e shëndetit në këtë situatë pandemie.
Sot, numri i qytetarëve të shtruar në spital është rreth 20% e kapacitetit të shtretërve të vëna në dispozicion. Po bëhet një punë heroike nga mjekët dhe infermierët që janë në vijën e parë të luftës në spitalin Infektiv në QSUT.
Numri i fataliteteve për një milion banorë, është shumë më i ulët se sa shumica e vendeve të Bashkimit Evropian, dhe i dyti më i ulët ndër vendet e rajonit.

Protokollet tona aktuale të survejancës janë të bazuara tërësisht në udhëzimet e OBSH dhe ECDC.
90 përqind e rasteve të dyshuara izolohen dhe konfirmohen brenda 48 orëve.
Ekipet e reagimit të shpejtë të shëndetit publik janë pa pushim në terren dhe janë funksionalë në të gjitha nivelet.
Strategjia jonë e izolimit, në një kohë kur virusi ishte në kulmin e fuqisë së vet goditëse dhe kur ekipet tona të shëndetit publik kishin shumë pikëpyetje dhe të panjohura mbi të, rezultoi një strategji E SUKSESSHME.
Kur ne vendosëm rihapjen e mirëmenduar dhe graduale, pas një izolimi ndër më të fortët dhe më të shpejtët, padyshim që kishim marrë parasysh se rritja e ndërveprimit dhe kontakteve do të sillte raste të infektimeve reja. Prandaj nuk e ndalëm asnjëherë komunikimin me qytetarët, duke kërkuar ndërgjegjësim për zbatimin e masave dhe protokolleve për çdo aktivitet.
Po kështu, ne nuk e ndalëm asnjë moment punën për forcimin e kapaciteteve spitalore dhe pajisjen me materiale të mbrojtjes personale për personelin mjekësor.
Raportimet mbi numrin e të infektuarve, për të cilat qytetarët dhe partnerët informohen çdo ditë, vijojnë të përcillen në mënyrë të saktë dhe mbi të gjitha TRANSPARENTE.
Ne i mirëpresim kritikat konstruktive të gjithësekujt, ashtu sikurse hedhim poshtë me neveri akuzat dhe sajesat e atyre, të cilët që nga dita kur virusi u shfaq, nuk kanë lënë ditë pa bërë politikë me të, me akuza shpesh herë kundërthënëse, duke njollosur PADREJTESISHT punën e mijëra ekspertëve të shëndetit, mjekëve, infermierëve, të cilët nuk e kanë ndalur asnjë çast luftën me Covid-19.
Ne u bëjmë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të zbatojnë të vetmet mjete që kemi në dispozicion në luftën me Covid-19, që janë distancimi social, vendosja e maskës kudo ku distancimi social nuk mund të ruhet.
Ndërsa kujt bën politike me coronavirusin, u bëjmë sërish thirrje të ndihmojnë duke dhënë pikësëpari shembullin personal për zbatimin e masave Anti-Covid, për të kontribuar edhe ata në luftën me këtë virus.