Aleanca Konservatore për Shqipërinë – AKPSH, i ka drejtuar një letër Misionit të OSBE/ODIHR për pasaktësi të qëllimshme të fakteve thelbësore në Raportin Paraprak të dt 12 Maj 2025 të Zgjedhjeve Parlamentare të 11 Majit 2025.
Një njoftimin publik, AKPSH thekson se nesër do i niset OSBE/ ODIHR një letër me 5 anekse, ku janë evidentuar të gjitha pasaktësitë e qëllimshme të fakteve thelbësore në Raportin Paraprak mbi farsën zgjedhore të 11 majit në Shqipëri.
Njoftimi i plotë:
Përshëndetje, nesër nisim drejt OSBE/ODIHR këtë letër me 5 Anekse dhe nëse dëshironi mund të kontriboni në email [email protected] apo në ëhatsapp +355672004545 deri në orën 10:00 ditën e Hënë 26 Maj 2025.
DRAFT: “Letra e Aleanca Konservatore për Shqipërinë – AKPSH drejtuar Misionit të OSBE/ODIHR për pasaktësi të qëllimshme të fakteve thelbësore në Raportin Paraprak të dt 12 Maj 2025 të Zgjedhjeve Parlamentare të 11 Majit 2025”
Faleminderit
Letra e AKPSH drejtuar Misionit të OSBE/ ODIHR për farsën zgjedhore të 11 majit:
Aleanca Konservatore për Shqipërinë
Rr. B.Biba, P.75, Sh.2, Ap.5 (Kati i Parë), Tiranë, AL. www.aleancakonservatore.al www.pershqiperine.al +355672004545 [email protected]
DRAFT
Subjekti: Raportim qëllimisht i pasaktë i fakteve thelbësore lidhur me procesin e “Identifikimit Elektronik” të zgjedhësve në Zgjedhjet Parlamentare 2025 nga vëzhguesit afatgjatë të Misionit të OSBE/ODIHR
I nderuar Zotëri/Zonjë [Emri/Titulli i Përfaqësuesit të Vëzhguesve],
Aleanca Konservatore për Shqipërinë ishte subjekt elektoral në Zgjedhjet Parlamentare të 11 Majit 2025 në Shqipëri dhe përfaqësohej me kandidat Kryetarin e Partisë Z. Altin Goxhaj, të cilin ju e keni çituar në Raportin tuaj “Parliamentary Elections, 11 May 2025 Statement of Preliminary Findings And Conclusions” të International Election Observation Mission Albania, publikuar më 12 Maj 2025 në footnote33 në mënyrë të gabuar (33* “Gjatë testimit funksional të pajisjeve të verifikimit të zgjedhësve më 28 prill, aktivisti politik Altin Goxhaj ngriti pikëpyetje rreth besueshmërisë së tyre” duke iu referuar në një lajm të deformuar në publikuar në https://www.voxnews.al/politike/zgjedhjet-e-11-majit-kqz-teston-pajisjet-elektronike-altin-goxhaj-debat-i90704 ).
Po ju drejtohemi me shqetësim të thellë në lidhje me “Parliamentary Elections, 11 May 2025 Statement of Preliminary Findings And Conclusions” të International Election Observation Mission Albania, publikuar më 12 Maj 2025. Specifikisht, kërkojmë vëmendjen tuaj ndaj pohimeve të bëra në lidhje me përdorimin e teknologjisë në procesin zgjedhor, të cilat përshkruajnë përdorimin e “identifikimit biometrik” të zgjedhësve (9 herë çitohen në raport) si dhe me modalitetin e përdorimit të PEI (në raport çitohet përdorimi off-line ndërkohë që në realitet, siç dhe vetë KQZ i ka publikuar në manuale dhe video, ato kanë qenë në funksionalitetin on-line).
Ky komunikim ka për qëllim t’ju informojë se këto pohime, të cilat janë bazuar mbi vëzhgimet e misionit tuaj afatgjatë dhe ekipit bërthamë, nuk pasqyrojnë në asnjë mënyrë realitetin funksional të pajisjeve të përdorura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Shqipëri, të cilat KQZ-ja vetë i referohet si “Pajisje Elektronike të Identifikimit”.
Konkluzioni ynë, i bazuar në analiza të detajuara dhe testimet praktike publike, është se pajisjet në fjalë nuk kryejnë asnjë formë identifikimi personal të votuesit, e aq më pak “identifikim biometrik”. Ne dyshojmë fuqimisht se ky raportim i pasaktë nuk është thjesht një keqkuptim, por një paraqitje e qëllimshme e rreme e fakteve, pasi Misioni afatgjatë i OSBE/ODIHR ka qenë i lajmëruar dhe i paralajmëruar prej nesh (nëpërmjet shkresës së dërguar nga z. Armando Vrushi, me nr. protokolli ALB/2023_0515-007, datë 15 Maj 2023) për këtë problem thelbësor që prej dy vjetësh. Më tej, në demonstrimin konkret të funksionalitetit të pajisjeve, kryer në magazinat e KQZ-së në datën 28 Prill 2025, kanë qenë prezent edhe vëzhgues të ODIHR, ndër të cilët edhe znj. Liisa Past, të cilët kanë pasur mundësinë e drejtpërdrejtë të verifikojnë këtë problematikë.
Për të ofruar një pasqyrë të plotë dhe të argumentuar të kësaj çështjeje kritike, po ju bashkëlidhni katër anekse, të cilat detajojnë:
⦁ Aneksin 1: Një analizë të thelluar të koncepteve të “identifikimit elektronik” dhe “identifikimit biometrik” dhe pse pajisjet e KQZ-së nuk i përmbushin këto kritere.
⦁ Aneksin 2: Faktet dhe provat që dëshmojnë dijeninë e Misionit afatgjatë të OSBE/ODIHR për këtë problematikë.
⦁ Aneksin 3: Një analizë të hollësishme se pse mangësitë thelbësore të këtyre pajisjeve komprometojnë plotësisht integritetin e procesit zgjedhor duke krijuar tolerancë të plotë për manipulim masiv.
⦁ Aneksin 4: Kompromentimi i Zgjedhjeve të 11 Majit 2025 nga keqpërdorimi i të ashtuquajturave “Pajisjeve Elektronike të Identifikimit”
⦁ Aneks 5: Propozimet tona konkrete për të mbështetur një iniciativë kontrolli paszgjedhor, thelbësor për të verifikuar integritetin e përdorimit të pajisjeve dhe auditimin e pjesëmarrjes së qytetarëve në Zgjedhje.
Shpresojmë që ky informacion do t’ju ndihmojë të kuptoni natyrën serioze të këtij raportimi të pasaktë dhe implikimet e tij për besueshmërinë e procesit zgjedhor në Shqipëri, si dhe për integritetin e vëzhgimit ndërkombëtar të zgjedhjeve. Ne jemi në dispozicion për çdo sqarim apo diskutim të mëtejshëm.
Me respekt,
Altin Goxhaj
Kryetar në detyrë i
Aleanca Konservatore për Shqipërinë Armando Vrushi
NënKryetar i
Aleanca Konservatore për Shqipërinë
Aleanca Konservatore për Shqipërinë
Kontakt
Adresa: Rr. B.Biba, P.75, Sh.2, Ap.5 (Kati i Parë), Tiranë, AL.
www.aleancakonservatore.al www.pershqiperine.al
+355672004545 [email protected]
Aleanca Konservatore për Shqipërinë
Rr. B.Biba, P.75, Sh.2, Ap.5 (Kati i Parë), Tiranë, AL. www.aleancakonservatore.al www.pershqiperine.al +355672004545 [email protected]
DRAFT Aneksi 1: Interpretimi i Koncepteve – Identifikimi Elektronik vs. Identifikimi Biometrik
Titulli: Interpretimi i Koncepteve – Diferencimi midis Identifikimit Elektronik dhe Identifikimit Biometrik në Kontekstin e Zgjedhjeve Shqiptare 2025
Qëndrimi i shprehur në “Deklaratën e Gjetjeve dhe Përfundimeve Paraprake” të Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve në Shqipëri, se në zgjedhje u përdor “identifikimi biometrik” i zgjedhësve, pasqyron një keqkuptim thelbësor të teknologjisë dhe funksionimit real të pajisjeve të përdorura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Megjithëse KQZ-ja vetë i referohet këtyre pajisjeve si “Pajisje Elektronike të Identifikimit”, analiza jonë tregon se edhe ky term është i ekzagjeruar për funksionin real të tyre si mjete identifikimi personal. Qëllimi i këtij aneksi është të sqarojë kuptimin e këtyre termave dhe të shpjegojë pse termi i përdorur në raportin e OSBE/ODIHR është i pasaktë dhe i rremë, dhe pse as termi PEI i përdorur nga KQZ nuk e pasqyron funksionalitetin e vërtetë.
1. Identifikimi Biometrik: Çfarë Nënkupton Realisht?
Identifikimi biometrik është një metodë sigurie që përdor karakteristikat unike fizike ose të sjelljes së një individi për të verifikuar ose njohur identitetin e tij. Këto karakteristika (biometria) mund të jenë gjurmët e gishtave, njohja e fytyrës (si në rastin e dokumenteve biometrike shqiptare, të cilat përmbajnë si foto ashtu edhe gjurmë gishtash), skanimi i irisit, zëri, etj. Thelbi i identifikimit biometrik është krahasimi i drejtpërdrejtë dhe në kohë reale i të dhënave biometrike të marra nga personi që paraqitet, me një shabllon biometrik të regjistruar paraprakisht për atë individ (p.sh., në bazën e të dhënave të identitetit) dhe të lidhur me NID-në e tij. Qëllimi është të konfirmohet pa asnjë dyshim se personi që ndodhet para pajisjes është me të vërtetë personi që ai pretendon të jetë. Një sistem i vërtetë biometrik do të refuzonte vazhdimin e procesit të pranimit në votim të një personi, nëse biometria e kapur nuk përputhet me biometrinë e regjistruar për NID-në e deklaruar.
2. Identifikimi Elektronik: Kuptimi i Gjerë dhe Specifik
Identifikimi elektronik (e-ID) është procesi i verifikimit të identitetit të një individi duke përdorur mjete dhe sisteme elektronike. Ky term është më i gjerë dhe mund të përfshijë metoda të ndryshme, nga thjesht përdorimi i një fjalëkalimi, deri te kredencialet dixhitale të avancuara të ruajtura në karta me çip. Në kontekstin e një sistemi verifikimi identiteti, “identifikimi elektronik” i një personi kërkon që pajisja të sigurojë një lidhje të vërtetë dhe të verifikueshme midis të dhënave elektronike të lexuara (p.sh., nga një dokument ID) dhe individit fizik që i prezanton ato. Kjo mund të arrihet përmes:
⦁ Përdorimit të një çipi të sigurt në dokumentin ID, i cili autentifikon dokumentin dhe mban të dhëna të lidhura në mënyrë kriptografike me pronarin.
⦁ Një mekanizmi autentifikimi të dytë (p.sh., PIN, fjalëkalim) të njohur vetëm nga pronari i ligjshëm.
⦁ Integrimit të një komponenti biometrik, ku biometria e lexuar në kohë reale krahasohet me atë të ruajtur në çip, si një nënsistem i identifikimit elektronik.
3. Funksionimi Real i Pajisjeve të KQZ-së dhe Pse Termat janë të Pasaktë
Në bazë të vëzhgimeve tona të drejtpërdrejta dhe testimeve praktike ku përfaqësuesit tanë kanë marrë pjesë aktivisht (demonstrimi konkret i funksionalitetit të pajisjeve, kryer në magazinat e KQZ-së në datën 28 Prill 2025, ku kanë marrë pjesë edhe vëzhgues të ODIHR, ndër të cilët edhe znj. Liisa Past, të cilët kanë pasur mundësinë e drejtpërdrejtë të verifikojnë këtë problematikë), “Pajisjet Elektronike të Identifikimit” të përdorura nga KQZ-ja funksionojnë si më poshtë:
⦁ Leximi i Shiritit MRZ: Pajisja përdor një skaner optik për të lexuar shiritin MRZ (Machine Readable Zone) nga dokumentet e identitetit. Testimi i kërkuar nga përfaqësuesit tanë dhe i kryer nga stafi i KQZ, kanë treguar se pajisja aktivizon procesin edhe nëse shiriti MRZ është thjesht i printuar në një copë letër, dhe dyshohet se ajo nuk verifikon elementë sigurie të MRZ-së (si p.sh. “check-digits” që shërbejnë për vlefshmërinë dhe integritetin e të dhënave).
⦁ Kërkimi në Bazë të Dhënash: Pasi lexon NID-në (Numrin Personal të Identifikimit) nga shiriti MRZ, pajisja kërkon këtë numër në bazën e saj të të dhënave (e ruajtur offline në pajisje).
⦁ Verifikimi i Eligjibilitetit të NID-së: Rezultati i kërkimit tregon në ekran të dhënat që pajisja ka për NID-në e lexuar dhe verifikon:
⦁ Ngjyrë jeshile: NID-ja është e vlefshme dhe i përket një zgjedhësi të regjistruar në atë qendër votimi. Procesi “lejohet” të vazhdojë.
⦁ Ngjyrë portokalli: NID-ja është e vlefshme, por i përket një zgjedhësi të regjistruar në një qendër votimi tjetër. Pajisja tregon qendrën e saktë, por procesi “nuk duhet” të vazhdojë në atë qendër.
⦁ Ngjyrë e kuqe: NID-ja i përket një personi që ka votuar tashmë në atë qendër votimi, proçesi i votimit “nuk duhet” të vazhdojë.
⦁ Theksojmë: Pajisja vetë nuk bën asgjë për të penguar fizikisht vazhdimin e procesit në rastet portokalli ose të kuqe; ajo vetëm shfaq një status.
⦁ Mungesa e Identifikimit të Personit në Kohë Reale:
⦁ Kjo është pika thelbësore: Në asnjë moment të këtij procesi, pajisja nuk kryen një krahasim biometrik (as të gjurmës së gishtit, as të fotos së fytyrës) apo ndonjë formë tjetër verifikimi për të konfirmuar se personi që ka paraqitur NID-në është me të vërtetë pronari i atij NID-je. Për rrjedhojë, një person mund të paraqitet me NID-në e një tjetri (p.sh., të printuar në letër) dhe procesi i pajisjes do të zhvillohet normalisht, duke e regjistruar NID-në si të “identifikuar”.
⦁ Regjistrimi i Gjurmës së Gishtit për Audit: Pajisja kërkon depozitimin e një gjurme gishti. Megjithatë, kjo gjurmë nuk krahasohet me asnjë të dhënë biometrike të ruajtur për atë NID në kohë reale. Funksioni i saj është vetëm për auditim paszgjedhor, me qëllim zbulimin e votimit të shumfishtë në bazën e të dhënave të agreguara. Edhe më shqetësuese, pajisja nuk është e aftë të dallojë se shenjën e cilit gisht po depoziton personi (psh mund të përdorësh gishtat e dorës së djathtë apo të majtë), duke lejuar depozitimin e gjurmëve të ndryshme nga i njëjti individ për të mashtruar sistemin e auditimit.
Përfundimi i Aneksit 1: Në dritën e funksionimit real të pajisjeve, shpjegimet e dhëna më lart tregojnë qartë se sistemi i KQZ-së nuk kryen “identifikim biometrik”. Për më tepër, edhe termi “identifikim elektronik” i individit është i ekzagjeruar, pasi pajisja kryen vetëm një verifikim elektronik të eligjibilitetit (plotësim i kushteve për të votuar) të një numri identifikimi (NID), pa verifikuar lidhjen e sigurt midis NID-së dhe personit fizik që e paraqet atë. Kjo diferencë thelbësore duhet të reflektohet saktë në çdo raport për integritetin zgjedhor, duke shmangur përdorimin e terminologjisë së rreme që është shkruar në Raport.
Aleanca Konservatore për Shqipërinë
Rr. B.Biba, P.75, Sh.2, Ap.5 (Kati i Parë), Tiranë, AL. www.aleancakonservatore.al www.pershqiperine.al +355672004545 [email protected]
DRAFT Aneksi 2: Faktet dhe Provat e Dijenisë së Misionit Afatgjatë
Titulli: Faktet dhe Provat e Dijenisë dhe Njoftimit të Misionit Afatgjatë të OSBE/ODIHR për Mangësitë Themelore të Pajisjeve të Identifikimit dhe mënyrës së përdorimit të tyre.
Raporti juaj, si vëzhgues afatshkurtër, bazohet mbi gjetjet e vëzhguesve afatgjatë apo ekipit bërthamë të Misionit të OSBE/ODIHR. Ne jemi thellësisht të shqetësuar se ky raport përmban informacion thelbësisht të pasaktë në lidhje me “identifikimin biometrik” të zgjedhësve (9 herë çitohen në raport) si dhe me modalitetin e përdorimit të PEI: në raport çitohet përdorimi off-line I këtyre pajisjeve (fusnote 29 tek Raporti “Parliamentary Elections, 11 May 2025 Statement of Preliminary Findings And Conclusions”) ndërkohë që në realitet, siç dhe vetë KQZ i ka publikuar në manuale dhe video, ato kanë qenë në funksionalitetin on-line).
Ne besojmë, që ky informacion i pavërtetë, nuk janë një gabim i thjeshtë, por një raportim i rremë i qëllimshëm i brendshëm në strukturat e OSBE/ODIHR nga ana e stafit të misionit afatgjatë të cilët kanë qenë në dijeni të plotë jo vetëm të problematikës por edhe e kanë mbuluar të vërtetën me veprime aktive.
⦁ Komunikimet Zyrtare me OSBE/ODIHR dhe KQZ:
⦁ Që prej datës 15 Maj 2023, misioni i OSBE/ODIHR është informuar zyrtarisht mbi shqetësimet tona thelbësore. Një shkresë e detajuar, e dërguar nga z. Armando Vrushi (qytetar i angazhuar në atë kohë, aktualisht nënkryetar i Partisë Aleanca Konservatore për Shqipërinë, subjekt elektoral në Zgjedhjet e 11 Majit 2025), me numër protokolli ALB/2023_0515-007, i është drejtuar OSBE/ODIHR, duke sqaruar funksionimin real dhe mangësitë e “Pajisjeve Elektronike të Identifikimit” të përdorur nga KQZ në Zgjedhjet e 2021 dhe 2023. Për shkak të mosreagimit nga ana e OSBE/ODIHR ndaj kësaj shkrese, nuk kemi zhvilluar dot takime të drejtpërdrejta konsultative me ta.
⦁ Më tej, në datën 27 Shtator 2023, i kemi dërguar një shkresë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (e marrë nga KQZ me nr. 7017 prot. datë 29 Shtator 2023), ku kërkonim mundësinë e realizimit të një testi praktik me Pajisjet Elektronike të Identifikimit (PEI) për të verifikuar dyshimet tona mbi funksionalitetin e tyre, pasi në atë kohë nuk kishim ende mundësinë e një prove konkrete.
⦁ Në dt 9 Shkurt 2024, përfaqësuesit e Lëvizja ShpresON (një ndër grupimet themeluese të Partia Aleanca Konservatore për Shqipërinë) paraqitën në seancën dëgjimore me shoqërinë civile në Komisionin Parlamentar të Reformës Zgjedhore 15 propozime të dala nga dëgjesat me publikun ku pika 4 i referohej ekskluzivisht “HEQJES NGA PËRDORIMI TË PAJISJEVE TË RREME TË IDENTIFIKIMIT BIOMETRIK”:
⦁ Linku i video live të Kuvendit të Shqipërisë: https://www.facebook.com/kuvendishqiperise/videos/959422628910672 Prezantimi nga Av Altin Goxhaj në emër të Lëvizja Shpreson në Komision 2:11:50 – 2:29:42 (Propozimi nr 4 për të hequr nga përdorimi PEI si pajisje të rreme të identifikimit 2:17:30 – 2:18:00)
⦁ Linku i dokumentit zyrtar të depozituar në Kuvendin e Shqipërisë https://drive.google.com/file/d/1v0TZVfd90FdCfRyC2T0-7z7Umb3AFNQG/view?usp=sharing
⦁ Në 25 Shkurt 2025, Partia Aleanca Konservatore për Shqipërinë, u paraqit në Seancën Publike të KQZ për miratimin e përdorimit të Pajisjeve Elektronike të Identifikimit. Përfaqësuesi ynë, Nënkryetari i i Partisë, Z. Armando Vrushi paraqiti shqetësimet dhe qëndrimin e partisë sonë, në lidhje me paaftësinë e PEI për të realizuar identifikimin. Kjo seancë, në të cilën vëzhguesit ndërkombëtarë duhej të ishin të vëmendshëm dhe të raportonin, shërbeu si një platformë për të ngritur të gjitha shqetësimet tona. Theksojmë që, kjo është e vetmja seancë e Komisionit Rregullator që nuk u transmetua as live dhe as me video (siç është procedura në çdo rast) por vetëm u paraqitën fotografitë dhe vendimi përfundimtar siç tregohet në këtë link: https://www.facebook.com/KQZShqiperi/posts/pfbid0rDmpyqn8uGpieewpj6zH8bwcJLchabuct1mPJVwmThTjEXkDnuwZkZaBGAuhxFvcl (prezenca e Z. Vrushi ⦁ https://www.facebook.com/photo/?fbid=1114699420692739⦁ &⦁ set=pcb.1114699700692711)
⦁ Përfshirja në Proceset Publike dhe Ndërgjegjësimi i Gjerë Publik:
⦁ Shqetësimet tona janë ngritur dhe argumentuar në mënyrë të vazhdueshme në forume publike si forumi qytetar (9 Shtator 2023) në Amfiteatrin e Universitetit të Arteve në Tiranë ⦁ https://www.youtube.com/watch?v=g6FEEh8wXWk⦁ &⦁ t=939s
⦁ Përveç kësaj, problematika e funksionalitetit të PEI-ve është trajtuar dhe sqaruar shterueshëm në disa platforma mediatike dhe podkaste të ndryshme, duke theksuar natyrën e mashtrimit. Këtu përfshihen, por nuk kufizohen në:
⦁ Podcast-i i lëvizjes ShpresON (Shtator 2023)
⦁ Podcast-i Tik Talk (Gusht 2024)
⦁ Podcast-i ShpresON (Shtator 2024)
⦁ Tru Media Podcast (Shkurt 2025) Këto paraqitje publike kanë siguruar që informacioni mbi mangësitë e pajisjeve të ishte gjerësisht i njohur dhe i aksesueshëm, përfshirë edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë.
⦁ Intervista të vazhdueshme në Fax News TV dhe TVA (JOQ Albania) përgjatë vitit 2023-2025.
⦁ Dëshmia Konkrete dhe Direkte para Vëzhguesve të ODIHR:
Në raportin e “Parliamentary Elections, 11 May 2025 Statement of Preliminary Findings And Conclusions” të International Election Observation Mission Albania, publikuar më 12 Maj 2025, në fusnote 33 çitohet: “During the functional testing of voter verification devices on 28 April, political activist Altin Goxhaj questioned their trustworthiness…” “Gjatë testimit funksional të pajisjeve të verifikimit të zgjedhësve më 28 prill, aktivisti politik Altin Goxhaj ngriti pikëpyetje rreth besueshmërisë së tyre…”
⦁ Sa pari, sqarojmë, se Z. Altin Goxhaj ndodhej me statusin e Kandidatit për Deputet dhe Kryetarit të Partisë Aleanca Konservatore për Shqipërinë, sëbashku me NënKryetarin Z. Armando Vrushi.
⦁ Së dyti, Z. Goxhaj nuk ngriti pikëpyetje siç citohet në Raport dhe as iu referua votimit elektronik siç citohet në lajmin e referuar në Raport (https://www.voxnews.al/politike/zgjedhjet-e-11-majit-kqz-teston-pajisjet-elektronike-altin-goxhaj-debat-i90704), por demonstroi konkretisht si më poshtë:
Pika kulmore e njoftimit tonë dhe dëshmisë konkrete ndodhi në datën 28 Prill 2025, kur KQZ organizoi një seancë publike për “demonstrimin e funksionaliteteve të PEI” në magazinat e saj. Ne morëm pjesë në këtë demonstrim, ku ishin prezentë përfaqësues administrativë dhe teknikë të KQZ-së, trupa e gazetarëve dhe kameramanëve nga disa televizione kombëtare, si dhe vëzhgues të OSBE/ODIHR. Ndër këta vëzhgues, identifikuam dhe kontaktuam znj. Liisa Past, analiste e teknologjisë së re të votimeve pranë ODIHR, e cila ishte prezente dhe vëzhguese aktive e demonstrimit (e cila i dorëzoi Z. Armando Vrushi kartëvizitën e saj). Gjatë kësaj seance, ne krijuam një situatë të simuluar, ku theksi ishte vendosur te funksionaliteti i pajisjes dhe jo te ndërhyrja manuale (video live nga profili i kandidadit Altin Goxhaj https://www.facebook.com/altingoxhaj.al/videos/23864532759832159 , dallohet në minutën e 22:45 në sfond)
Duke i kërkuar operatorit të pajisjes të mos reagonte ndaj parregullsive që vërente, por të vepronte normalisht sipas rregullores së KQZ-së, ne demonstruam qartë se sistemi i pajisjes dhe rregullorja lejojnë:
⦁ Dëshmi e Votimit të Shumfishtë/Me Kartë Tjetër: I njëjti person (Altin Goxhaj) finalizoi me sukses dy procedura “identifikimi”, njërën për Altin Goxhaj (minuta 10:40) dhe tjetrën për një person tjetër, Armando Vrushi (minuta 12:00), duke përdorur dy karta identiteti të ndryshme dhe duke depozituar shenjat e dy gishtave të ndryshëm. Ky veprim demonstroi qartë aftësinë e sistemit për të regjistruar votime të shumfishta ose votime në emër të tjetërkujt pa asnjë verifikim personal në kohë reale.
⦁ Dëshmi e Aktivizimit me MRZ të Printuar: Gjithashtu, u demonstrua se procesi i “identifikimit” mund të aktivizohej dhe të zhvillohej po njëlloj, duke përdorur thjesht një copë letre ku ishte printuar shiriti MRZ i një karte ID, pa nevojën e dokumentit origjinal apo verifikimit të sigurisë së tij (minuta 14:30).
⦁ Përdorimi i PEI në modalitetin on-line:
Siç rezulton nga manualet, prezantimet dhe konstatimet në QV të ndryshme, PEI kanë qenë në modalitetin on-line për shkak se të gjitha kanë qenë të lidhura me një modem online me kartë SIM (që sipas të dhënave mediatike janë të kompanisë Vodafone Albania). Mjafton ti referohemi videos së publikuar nga KQZ në dt 12 Prill, 2025, në faqen zyrtare të KQZ në youtube në momentin 2 minuta e 55 sekonda (https://youtu.be/VuvmWZwY3uI?si=uQ6lr7z5C-04QPx2) dhe nevoja e përdorimit të tij online shpjegohet në fq 23 të Manualit të publikuar nga KQZ “Program i Temave të Trajnimit “Për Operatorët e Pajisjes Elektronike të Identifikimit (PEI)” (https://kqz.gov.al/media/documents/DLD_KURRIKULA_Trajnim_Operator_PEI_mkY6PEK.pdf) ku citohet kjo fjali bashkë me figurën përkatëse: “7. Modem USB Pajisja e cila bën të mundur lidhjen midis PEI-t me serverin kryesor të KQZ që transmeton pjesëmarrjen e zgjedhjeve. Gjendet brenda ne fole (figura 7)”.
Këto të dhëna janë publike dhe lehtësisht të verifikueshme tek pajisja për pdo vëzhgues, ndërkohë që në Raportin tuaj (fusnote 29) konsiderohen se janë “Each VC has one offline device containing the voter lists from all VCs…”
Mosreflektimi në Raportim – Mungesë e Qëllimshme: Pavarësisht këtyre komunikimeve të përsëritura, pjesëmarrjes në seanca publike dhe dëshmisë konkrete të ofruar drejtpërdrejt para vëzhguesve të ODIHR, përfshirë znj. Liisa Past, Analiste e Teknologjisë së re të votimeve, raporti përfundimtar vazhdon të përmendë një “identifikim biometrik” të supozuar dhe të suksesshëm, të garantuar “offline”, pa adresuar apo reflektuar asnjë nga këto shqetësime thelbësore. Ky mosreflektim i informacionit kritik dhe i vërtetuar ngre dyshime të forta mbi objektivitetin dhe integritetin e raportimit nga stafet e misionit të OSBE/ODIHR në Tiranë.
Fakti që Misioni OSBE/ODIHR në Tiranë ka qenë në dijeni prej kohësh të këtij informacioni thelbësor publik dhe të komunikuar nga ne vazhdimisht dhe me prova të dokumentuara, dhe nuk e ka ngritur si shqetësim në raport (madje edhe kur është referuar ngjarja me prezencën e Altin Goxhaj në fusnote 33 është interpretuar qëllimisht gabim), për ne krijon dyshim për një neglizhencë të qëllimshme ose një përpjekje për të fshehur të vërtetën mbi mangësitë e sistemit të identifikimit, duke vënë në pikëpyetje besueshmërinë e Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve.
Aleanca Konservatore për Shqipërinë
Rr. B.Biba, P.75, Sh.2, Ap.5 (Kati i Parë), Tiranë, AL. www.aleancakonservatore.al www.pershqiperine.al +355672004545 [email protected]
DRAFT Aneksi 3: Analiza e Mundësive të Keqpërdorimit të Mangësive të Pajisjeve në Zgjedhje
Titulli: Analiza e Mundësive të Keqpërdorimit dhe Mashtrimit Zgjedhor për Shkak të Mangësive në “Pajisjet Elektronike të Identifikimit” të KQZ-së
Mungesat thelbësore dhe funksionaliteti i kufizuar i “Pajisjeve Elektronike të Identifikimit” të KQZ-së, siç u detajua në Aneksin 1, krijojnë një rrezik të lartë keqpërdorimi dhe minojnë integritetin e procesit të votimit, duke cenuar parimin themelor “një votues, një votë”. Kjo analizë bazohet në prezumimin se personat përgjegjës për mbikëqyrjen e procesit në qendrën e votimit (operatori dhe Kryetari i KQV) janë të predispozuar të keqpërdorin ose të mos reagojnë ndaj parregullsive, duke e lënë efektivisht gjithë barrën e kontrollit tek funksionaliteti i vetë pajisjes, e cila është e paaftë për këtë funksion.
Kjo prirje forcohet edhe nga propagandimi i gjerë i “Identifikimit Biometrik”, i cili duke krijuar përshtypje të rreme se procesi është elektronikisht i garantuar, ka shërbyer si pretekst ligjor për ti hequr kompetencën, të drejtën dhe përgjegjësinë anëtarëve të komisioneve të qendrave të votimit.
Kujtojmë se, pas vendimit për të përdorur PEI, i vetmi person që ka të drejtën të kontrollojë dhe verifikojë “dokumentin e identitetit” është Kryetari i Komisionit duke i hequr të drejtën sekretarit të Komisionit, ndërkojë që sipas Kodit Zgjedhor, ½ e qendrave të votimit kanë kryetar nga partia në pushtet dhe Sekretar nga Opozita, ndërsa operatorët caktohen ekskluzivisht nga KQZ.
1. Votimi i Paligjshëm përmes “Zëvendësimit” ose “Votimit me Dokument Joautentik”:
⦁ Mangesia: Pajisja nuk kryen asnjë verifikim të personit fizik që paraqitet dhe nuk krahason pamjen e personit me foton e ruajtur. Ajo thjesht lexon një NID nga shiriti MRZ dhe verifikon ekzistencën dhe eligjibilitetin e tij në bazën e të dhënave lokale. Për më tepër, demonstrimet tona kanë treguar se pajisja aktivizohet edhe nga një shirit MRZ i printuar në letër, pa verifikuar autenticitetin e dokumentit bazë.
⦁ Mundësia e Keqpërdorimit: Kjo mangësi hap rrugën për “votim me dokument tjetër” ose “votim me dokument joautentik/falsifikuar”. Një operator keqdashës në bashkëpunim me Kryetarin e KQV, mund të lejojë paraqitjen në pajisje të një dokumenti identiteti që i përket një personi tjetër, ose thjesht të një letre ku është printuar shiriti MRZ i një NID-je të vlefshme. Në këtë rast, pajisja do ta regjistrojë NID-në si të vlefshme (statusi jeshil), duke lejuar vazhdimin e procesit edhe pse personi fizik nuk është pronari i ligjshëm i NID-së. Ky mashtrim mund të përfshijë NID-ra të votuesve që ndodhen jashtë vendit, janë të sëmurë, nuk marrin pjesë në votim (me dëshirë apo të detyruar), apo edhe NID-ra të personave të vdekur (në rastet kur listat e votuesve nuk janë pastruar dhe ky manipulim ndodh në një nivel më të lartë, duke përfshirë edhe hartuesit e bazës së të dhënave, pasi pajisja vetë nuk do të gjente rekord nëse NID-ja nuk ekziston në listën e saj). Votuesi i vërtetë nuk do të jetë kurrë në dijeni të këtij votimi të kryer në emër të tij.
2. Votimi i Shumëfishtë pa Zbulim të Menjëhershëm:
⦁ Mangesia: Ndërsa pajisja regjistron një gjurmë gishti, ajo nuk e përdor atë për identifikim në kohë reale (nuk e krahason me një bazë të dhënash biometrike) dhe nuk e detyron operatorin/votuesin të përdorë një gisht specifik. Demonstrimet tona treguan se një person mund të depozitojë gjurmë të ndryshme gishtash në raste të njëpasnjëshme.
⦁ Mundësia e Keqpërdorimit: Ky mungesë funksionaliteti lejon një person të votojë disa herë. Duke përdorur NID-ra të ndryshëm (siç u shpjegua më sipër) dhe duke depozituar gjurmë gishtash të ndryshëm për çdo votim, individi mund të kryejë votime të shumfishta. Kjo e bën të pamundur zbulimin e votimit të shumëfishtë nga gjurma e gishtit, duke lënë hapësirë për manipulim masiv.
3. Mungesa e “Pengimit Aktiv” nga Pajisja në Rrethana Jo të Rregullta (Megjithë Statusin e Pranimit):
⦁ Mangesia: Pajisja vetëm shfaq një status (jeshile, portokalli, e kuqe) por nuk ka mekanizma të brendshëm për të penguar fizikisht apo elektronikisht vazhdimin e procesit, edhe kur procesi në fakt është i parregullt si në rastet e përshkruara më sipër. Pajisja nuk bën asgjë për të parandaluar vazhdimin e procesit, pikerisht sepse tregon nje status “jeshil”:
⦁ Kur është përdorur një dokument jo autentik ose një letër me MRZ të printuar.
⦁ Kur depozitohet një ndër 10 gishtat e përdorur nga dikush që kërkon të votojë në emër të një apo disa të tjerëve.
⦁ Mundësia e Keqpërdorimit: Kjo lë të gjithë përgjegjësinë dhe kontrollin në dorën e operatorit të pajisjes dhe kryetarit të komisionit në qendrën e votimit. Nëse këta individë janë të predispozuar për keqpërdorim ose thjesht injorojnë anomalitë (si në rastin e demonstruar prej nesh), pajisja nuk do të ofrojë asnjë barrierë për kryerjen e votimeve të paligjshme, pikerisht sepse tregon një status “jeshil”. Mungesa e një pengese aktive nga pajisja, kur kombinohet me mosreagimin e personelit, e zhvlerëson rolin e saj mbrojtës dhe e bën statusin jeshil të pasigurt.
4. Kontrolli i procesit i paautorizuar në distancë
Në raport është evidentuar shqetësimi në lidhje me ekzistencën e rrjeteve të patronazhimit të Partisë Socialiste. Këto rrjete do të kishim ndikim të jashtëzakonshëm gjatë ditës së votimit nëse do të kishin informacion në kohë reale mbi pjesëmarrjen e çdo votuesi individualisht. Të qenurit online të PEI e bën të mundur këtë informacion.
Përfundim i Aneksit 3: Këto mangësi të qenësishme në funksionalitetin e “Pajisjeve Elektronike të Identifikimit” të KQZ-së, nëse shfrytëzohen nga individë apo grupe të organizuara, mund të deformojnë në mënyrë thelbësore rezultatin zgjedhor. Ato krijojnë një vulnerabilitet serioz ndaj mashtrimeve zgjedhore, duke cenuar parimin e votës së lirë, të ndershme dhe të fshehtë, dhe duke minuar besueshmërinë e gjithë procesit demokratik.
Aleanca Konservatore për Shqipërinë
Rr. B.Biba, P.75, Sh.2, Ap.5 (Kati i Parë), Tiranë, AL. www.aleancakonservatore.al www.pershqiperine.al +355672004545 [email protected]
DRAFT Aneksi 4: Kompromentimi i Zgjedhjeve të 11 Majit 2025 nga keqpërdorimi i të ashtuquajturave “Pajisjeve Elektronike të Identifikimit”
Ky aneks paraqet fakte dhe gjetje konkrete që mbështesin tezën se dobësitë dhe rreziqet e identifikuara në përdorimin e PEI, siç janë analizuar në anekset e mëparshme, janë materializuar dhe kanë ndikuar drejtpërdrejt në integritetin e zgjedhjeve. Këto të dhëna dhe argumenta vijnë nga burime publike dhe zyrtare.
Mungesa e Transparencës së KQZ për Numrin e Votuesve
Një nga pikat kyçe shqetësuese është mungesa e vazhdueshme e deklarimit zyrtar nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) të numrit të votuesve që kanë marrë pjesë në çdo qendër votimi (nga dt 11 Maj dhe deri në momentin që është shkruar ky Aneks, 25.05.2025, ende paraqitet në faqen zyrtare të KQZ të dhëna të marra nga 3037 QV kundrejt 5225 total). Edhe pse kjo shifër është e evidentuar në çdo pajisje elektronike votimi, dhe sipas detyrave të operatorëve dhe KQV, duhej të ishte raportuar çdo 1 orë përgjatë intervalit kohor 07:00-19:00 të dt 11 Maj) dhe në procesverbalet përkatëse (kur është përdorur procedura manuale), KQZ vazhdon të mos e publikojë atë paraprakisht, duke deklaruar vetëm numrin e votave të numëruara dhe rezultatin përfundimtar. Deklarimi paraprak i pjesëmarrjes shërben si një element thelbësor kontrolli gjatë dhe në përfundim të numërimit të votave, pasi numri i votave të numëruara duhet të përkojë me numrin e votuesve. Mosdeklarimi i pjesëmarrjes si një e dhënë e pavarur dhe e verifikueshme tregon potencialisht dijeninë e KQZ-së për manipulimin e votave në kuti. Kjo mungesë transparence minon besimin publik dhe ngre pikëpyetje serioze mbi ndershmërinë e procesit.
Votimi me Gjurmë Gishti të Personit tjetër
Gjatë procesit të votimit, qytetarët dhe vëzhguesit kanë evidentuar, filmuar dhe publikuar në rrjetet sociale (https://www.facebook.com/reel/1903230433765879) raste të shumta ku është përdorur shenja e gishtit e një personi tjetër në vend të atij që duhej të votonte. Kjo gjetje është vërejtur në praktikë nga persona të ndryshëm në shumë qendra votimi, anekënd Shqipërisë, duke konfirmuar se dobësia e pajisjeve dhe procedurave, të identifikuara nga ne, ka qenë objekt shfrytëzimi. Këto incidente tregojnë një manipulim të drejtpërdrejtë dhe të organizuar të procesit të votimit, duke lejuar votimin në emër të personave të tjerë, shpesh pa dijeninë e tyre.
Gjetja e Kartave të Identitetit Autentike dhe të Falsifikuara
Në ditët para votimit, si dhe në vetë ditën e votimit, janë raportuar në media raste ku janë gjetur sasi të konsiderueshme kartash identiteti, si autentike ashtu edhe të falsifikuara, në vende që dyshohet se përdoreshin nga grupe të organizuara për manipulimin e votave. Kjo gjetje sugjeron se grupet manipuluese ishin në dijeni të thellë të dobësive të pajisjeve dhe procedurave dhe ishin përgatitur për t’i shfrytëzuar ato. Përdorimi i kartave të identitetit të personave të tjerë (qoftë origjinale, qoftë të falsifikuara) shërben si mjet për të realizuar votime të shumta në emër të individëve që nuk ishin të pranishëm ose nuk votuan. Kjo tregon që si KQZ ashtu edhe njerëzit e partisë në pushtet, kishin planifikuar bashkërisht shfrytëzimin e mangësive që vetë i kishin përgatitur.
Pjesëmarrja Absurde e Lartë në Zgjedhje
Referuar të dhënave të Censusit të dhjetorit 2023 (numri i qytetarëve banues në Shqipëri me të drejtë vote) dhe votave të numëruara në çdo qendër votimi, rezulton që pjesëmarrja në rang vendi ka qenë rreth 87.3% e zgjedhësve me banim në Shqipëri sipas Censusit 2023. Madje, në disa qarqe të veçanta, pjesëmarrja ka arritur mbi 100%. Sigurisht, lëvizja demografike e brendshme mund të korrigjojë disi këto rezultate (të paktën duke eliminuar absurdin +100%), por gjithsesi, një pjesëmarrje kaq e lartë justifikon plotësisht dyshimin se dobësitë që kemi konstatuar në anekset e tjera janë përdorur në mënyrë të organizuar për të lejuar votimin në emër të një personi tjetër. Kjo shifër e paprecedentë, e cila sfidon logjikën statistikore, shërben si një tregues i fortë i shkallës së manipulimit të votavedhe dëshmon aktualizimin e rreziqeve të identifikuara. Nisur nga kjo pjesëmarrje, numri i votuesve për qendër votimi po ashtu do duhej të krijonte intensitet pjesëmarrje madje duke krijuar edhe radha në orare të caktuara por kjo nuk u vërejt as në rang kombëtar as në rang lokal.
Qëndrat e fshehta të patronazhimit të shpërndara në gjithë territorin
Sipas raportimeve të medias, pranë një qendre votimi, gazetarja e Syri TV, Ambrozia Meta bashkë me operatorin, zbuluan live një qendër të fshehtë patronazhimi të Partisë Socialiste (https://youtu.be/–PdJAcLWS4?si=DMmm011f3pYv1utI) që drejtohej nga zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste midis të cilëve ishte edhe Znj. Enkelejda Imeraj, Drejtoreshë e Përgjithshme e Agjencisë së Inovacionit dhe Ekselencës (https://aie.gov.al/titullari/ ). Këto qendra të fshehta sipas shumë raportimeve janë të përhapura pranë qendrave të votimit në të gjithë territorin. Aksesi në kohë reale ndaj informacionit të pjesëmarrjes individuale në votime (i mundësuar nga raportimi online i PEI) krijon kushtet për kontroll masiv kombëtar të patronazhimit të votuesve nga Partia në pushtet, si dhe në votimin e paligjshëm në emër të atyre që nuk votojnë që realizohet nëpërmjet përdorimit të PEI në QV ku kryetar i Komisionit është përfaqësuesi i PS.
Aleanca Konservatore për Shqipërinë
Rr. B.Biba, P.75, Sh.2, Ap.5 (Kati i Parë), Tiranë, AL. www.aleancakonservatore.al www.pershqiperine.al +355672004545 [email protected]
DRAFT Aneksi 5: Propozimi për një Iniciativë Kontrolli Paszgjedhor
Titulli: Propozimi i Thjeshtuar dhe Transparenca e Lartë e Një Iniciative Kontrolli Paszgjedhor për Verifikimin e Integritetit të Votimit Elektronik dhe Rritjen e Transparencës
Një verifikim i thelluar paszgjedhor i të dhënave të mbledhura nga Pajisjet Elektronike të Identifikimit (PEI) është thelbësor për të siguruar integritetin e procesit zgjedhor dhe për të rritur besimin e publikut. Ndërsa proceset tradicionale të auditimit paszgjedhor mund të jenë komplekse dhe të kushtueshme, ne propozojmë një qasje shumë më të thjeshtë dhe efikase, kostot e së cilës jemi të gatshëm t’i mbulojmë vetë. Megjithatë, për realizimin e këtij propozimi, është thelbësor bashkëpunimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ndaj të cilit duhet ushtruar presion, pasi nuk ka kthyer ende përgjigje ndaj kësaj nisme.
Qëllimi i Propozimit: Qëllimi kryesor është krijimi i një mekanizmi transparent dhe të aksesueshëm për çdo qytetar shqiptar, pavarësisht vendndodhjes, për të verifikuar nëse rezulton të ketë votuar apo jo, sipas rekordeve të grumbulluara nga PEI-t në të gjithë vendin. Kjo do të ndihmonte në zbulimin e menjëhershëm të rasteve të votimit në emër të tjetërkujt (p.sh., personave që ndodhen jashtë vendit ose të vdekurve) dhe do të rriste ndjeshëm besimin publik në saktësinë e të dhënave të regjistruara nga PEI-t.
Propozimi Specifik: Ne i kemi kërkuar KQZ-së që të na bëjë të disponueshëm një ekstrakt të thjeshtë nga baza e të dhënave që ata krijojnë gjatë procesit të tyre të verifikimit paszgjedhor të shenjave të gishtave të mbledhur. Kjo bazë të dhënash bashkon të gjitha rekordet e “identifikimit” nga të gjitha PEI-t e përdorura në një të vetëm, dhe krijimi i saj është një kosto e parashikuar tashmë nga KQZ, ndaj kërkesa jonë nuk ndikon në buxhetin e tyre për këtë proces.
Ekstrakti që ne kërkojmë është një tabelë e thjeshtë që përmban:
⦁ NID-të e anonimizuara (të hash-uara me SHA256)
⦁ Qendrën e Votimit ku është regjistruar votimi
⦁ Statusin e votimit (Po/Jo)
Formati i Rekordeve të Kërkuara: Rekordet e prodhuara duhet të jenë si në vijim:
Sha256 HASH of NID|Voting Centre|Voted (Yes/No)
520754A434CEA15308830A42DEDB9D10FC791BEDD83C77688DE51364FD56B72C|192700|Yes
5119B898897F32DF8951255EFAB9CFEFE07A4632049C6C7EEFF187570D9D6836|192700|Yes
Këto dy rekorde i përkasin votuesve realë (z. Armando Vrushi dhe bashkëshortes së tij) dhe shërbejnë si shembull i shkëlqyer i anonimitetit dhe sigurisë së të dhënave personale. Ne mund t’i bëjmë publike këto dy rekorde, pasi askush nuk mund të gjejë se cili rekord i përket z. Vrushit dhe cili bashkëshortes së tij, duke garantuar kështu privatësinë.
Analiza e Sensitivitetit dhe Sigurisë së të Dhënave Personale: Propozimi ynë është hartuar me përparësi maksimale ndaj mbrojtjes së të dhënave personale dhe privatësisë së votuesve.
⦁ Anonimitet i Garantuar: Duke përdorur funksionin hash SHA256 mbi NID-në, identiteti i vërtetë i votuesit mbetet tërësisht i panjohur dhe i paaksesueshëm. HASH-i SHA256 është një funksion me një drejtim, që do të thotë se është praktikisht e pamundur të kthehet NID-ja origjinale nga vlera e hash-it. Kjo garanton anonimitetin e plotë të secilit individ në bazën e të dhënave të publikuar. Siç u demonstrua me shembujt e NID-ve të hash-uara të z. Armando Vrushi dhe bashkëshortes së tij, askush nuk mund të deduktojë identitetin e tyre nga të dhënat e publikuara.
⦁ Minimizimi i të Dhënave: Ekstrakti përfshin vetëm informacionin thelbësor: NID-in e anonimizuar, qendrën e votimit dhe statusin e votimit. Nuk ekspozohen të dhëna të tjera personale si emri, mbiemri, adresa apo informacione biometrike. Kjo minimizon çdo rrezik të mundshëm për privatësinë.
⦁ Akses i Kontrolluar dhe Vetë-Verifikim: Qytetarët do të mund të verifikojnë statusin e tyre vetëm duke llogaritur vetë SHA256 HASH-in e NID-së së tyre dhe duke e krahasuar me bazën e të dhënave. Kjo siguron që askush tjetër nuk mund të kërkojë të dhënat e një personi tjetër pa patur akses në NID-në origjinale të tyre.
Kostoja dhe Përgjegjësia e Ekstraktit: Kostoja e vetme për KQZ-në në këtë propozim është ekzekutimi i një komande të thjeshtë në bazën e të dhënave dhe pritja jo më shumë se 30 minuta (në një kompjuter të zakonshëm; në servera të specializuar kjo kohë është disa herë më e shkurtër) për të realizuar ekstraktin. Të gjitha kostot e zhvillimit, mirëmbajtjes së platformës online dhe shpërndarjes së informacionit do të mbulohen nga ne.
Për të ilustruar thjeshtësinë e procesit të ekstraktimit të të dhënave, komanda SQL që duhet ekzekutuar në bazën e të dhënave (mund të variojë lehtësisht në varësi të llojit specifik të bazës së të dhënave) do të ishte si më poshtë:
SQL
INSERT INTO anonymized_data (hash_id, voting_centre, voted_flag)
SELECT SHA2(personal_id_field, 256), voting_centre, voted_flag
FROM original_people_table;
Analiza e Gjetjeve Potenciale nga Zgjidhja e Propozuar: Implementimi i kësaj platforme do të prodhonte disa gjetje thelbësore dhe do të shërbente si një audit i pavarur dhe transparent:
⦁ Zbulimi i Votimit në Emër të Tjetërkujt: Individët (ose familjarët e tyre) që nuk kanë votuar (p.sh., ndodhen jashtë vendit, janë të sëmurë, apo janë të vdekur) do të mund të verifikojnë nëse NID-ja e tyre rezulton e regjistruar si “ka votuar”. Kjo do të nxirrte në dritë në mënyrë të menjëhershme rastet e manipulimit dhe votimit në emër të personave të tjerë.
⦁ Identifikimi i Anomalive në Shkallë: Megjithëse nuk identifikohen votues individualë, analizimi i shifrave agregate dhe i shpërndarjes gjeografike të rasteve të zbuluara mund të tregojë nëse manipulimi është i izoluar apo ka ndodhur në shkallë të gjerë, duke ndihmuar në identifikimin e qendrave të votimit problematike.
⦁ Konfirmimi i Besueshmërisë së Votimit: Nëse një numër i madh qytetarësh verifikojnë dhe gjejnë se të dhënat përputhen me realitetin, kjo do të rriste ndjeshëm besimin e publikut te procesi dhe saktësia e regjistrimeve të PEI-ve.
⦁ Bazë për Veprim Ligjor dhe Llogaridhënie: Gjetjet konkrete të bëra publike përmes kësaj platforme do të shërbenin si prova të forta për çdo veprim ligjor të mundshëm lidhur me mashtrimin zgjedhor. Identifikimi i një rasti të tillë do të mundësonte izolimin e shenjës së gishtit të depozituar për atë rast specifik në bazën e të dhënave të KQZ-së, dhe si pasojë, identifikimin e abuzuesit real dhe, nëpërmjet tij, edhe të urdhëruesit/përfituesit të këtij manipulimi. Kjo rrit ndjeshëm potencialin për llogaridhënie penale.
⦁ Presion për Përmirësim: Publikimi i të dhënave dhe zbulimi i çdo parregullsie do të ushtronte presion mbi institucionet përgjegjëse për të përmirësuar sistemet e sigurisë dhe për të garantuar integritetin e zgjedhjeve të ardhshme.
Shënim i Rëndësishëm: Ky propozim nuk synon të zëvendësojë asnjë nga auditimet apo proceset e verifikimit paszgjedhor të parashikuara dhe të kryera nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Përkundrazi, ai shërben si një shtesë e pavarur, duke ofruar një shtresë shtesë transparence dhe llogaridhënieje direkte ndaj publikut, e cila është thelbësore për ndërtimin e besimit në procesin zgjedhor.
Përfundim i Aneksit 4: Ky propozim ofron një mënyrë të thjeshtë, të shpejtë dhe pa kosto shtesë për KQZ-në, për të rritur ndjeshëm transparencën paszgjedhore dhe për të adresuar shqetësimet e ngritura mbi integritetin e procesit të votimit elektronik. Ne i bëjmë thirrje Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të ushtrojë ndikimin e tij te KQZ-ja për të siguruar bashkëpunimin e tyre në këtë nismë thelbësore për demokracinë në Shqipëri.