AK-ja dhe VV-ja, protestë te Ura e Dragotit dhe Manastiri i Këlcyrës kundër homazheve greke

437
Sigal

Dhjetëra aktivistë të Aleancës Kuq e Zi kanë protestuar gjatë ditës së diel në Urën e Dragotit dhe Manastirin e Këlcyrës kundër festimeve dhe ceremonive të organizuara nga Konsullata Greke në Gjirokastër. Fillimisht aktivistët e Aleancës Kuq e Zi në urën e Dragotit kanë pritur me thirrje kombëtare dhe banderola përfaqësuesit e Konsullatës greke të Gjirokastrës si dhe 4 autobusë me shtetas grekë të cilët u shoqëruan në masa të forta sigurie nga të gjitha strukturat e policisë. Rreth orës  11 e 15 minuta aktivistët e Aleancës Kuq e Zi të shoqëruar nga dhjetëra qytetarë kanë marshuar drejt Manastirit të Këlcyrës. Përfaqësuesit e Aleancës Kuq e Zi fillimisht kanë falënderuar disa nga drejtuesit e VetëVendosjes në Kosovë të cilët përshëndetën nismën e Aleancës Kuq e Zi që protestuan kundër shovinizmit grek i cili vazhdon të krijojë incidente diplomatike në vendin tonë. Më tej  përfaqësuesit e Aleancës Kuq e Zi deklaruan: ” Jemi sot këtu, ishim edhe një ditë më parë, dhe çdo ditë do të jemi në çdo cep të Shqipërisë kur integriteti moral dhe territorial do të cenohet nga qarqet anti- shqiptare. Kjo nuk është Shqipëria që duan shqiptarët, e cila drejtohet nga një qeveri e cila pasi grabiti votat shiti, dëmtoi dhe poshtëroi integritetin e shqiptarëve duke bashkëpunuar me qarqet anti-kombëtare. Të gjithë jemi dëshmitarë ku një ditë më parë ndërsa Aleanca Kuq e Zi protestonte në urën e Dragotit shtetas grekë dhunuan qindra varre të të parëve tanë në Boboshticë për të nderuar 2 ushtarë grekë. Ne kërkojmë dhe do ta bëjmë sapo të marrim drejtimin e qeverisë Kuq e Zi parimin e reciprocitetit me Greqinë ku mijëra shqiptarë dhunohen verbalisht dhe nuk lejohen të kalojnë kufirin prej origjinës së tyre. Nëse Greqia nuk ndryshon politikat ndaj kombit dhe shtetit shqiptar, për çdo shqiptar të kthyer mbrapsht në kufi ne do të kthejmë mbrapsht një shtetas grek. Shqipëria në çdo cep të saj është tokë Kuq e Zi dhe nuk do të jetë kurrë Greqi.”- deklaruan përfaqësuesit e Aleancës Kuq e Zi. Për rreth 60 minuta gjatë mbajtjes së ceremonisë në Manastirin e Këlcyrës aktivistët e Aleancës Kuq e Zi kanë kënduar këngë patriotike, duke i prishur organizatorëve grekë ceremoninë fetare në manastir.

Protesta e Klubit të Patriotëve të Rinj

Protesta e zhvilluar nga Klubi i Patriotëve të Rinj, e afiluar me PDUI-në, rezultoi në moslejimin e kalimit në Këlcyrë të deputetit neonazist.