Presidenti Meta pret në takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, z.Mevlüt Çavuşoğlu

425
Sigal

Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta priti sot në një takim të ngrohtë Ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, z. Mevlüt Çavuşoğlu.Presidenti Meta e falenderoi për solidaritetin dhe ndihmën e menjëhershme të dhënë nga autoritetet turke pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, si dhe i shprehu ngushëllimet për viktimat e tërmetit dhe ortekut në Turqi.

Kreu i Shtetit vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera tradicionale mes dy vendeve dhe popujve tanë, si dhe theksoi rëndësinë e përmirësimit të mëtejshëm të klimës së biznesit dhe rritjes së investimeve turke në veçanti në vendin tonë.

“Shqipëria dhe Turqia kanë ende një potencial të jashtëzakonshëm për të forcuar më tej marrëdhëniet në të gjitha fushat, veçanërisht ekonomike-tregëtare. Investimet turke janë të mirëpritura!”, – u shpreh Presidenti Meta.

Gjithashtu, Kreu i Shtetit nënvizoi domosdoshmërinë e forcimit të bashkëpunimit në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit, si dhe vlerësoi rolin e rëndësishëm të Turqisë për stabilitetin dhe sigurinë në rajonin tonë.