Sistem unik administrimi për biznesin e vogël

429
Sigal

Rama në Lushnjë me të rinjtë: “Viti 2013, viti i fitores së Shqipërisë Europiane”

Është zhvilluar në Divjakë, manifesti “Unë jam FRESSH”, projekti më i ri i të rinjve eurosocialistë shqiptarë. Gjatë fjalës së tij kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha se të rinjtë duhet të jenë inkurajuesit e prindërve të tyre në rrugën drejt fitores së vitit të ardhshëm.  “Unë besoj shumë se në betejën e vitit të ardhshëm ju duhet të jeni krahë për krahë me prindërit tuaj. Madje, jeni ju që duhet të inkurajoni prindërit tuaj që të mundin frikën, të mundin ndrojtjen, të mundin dëshpërimin dhe bashkë me ju të mund të dalin në rrugën e një fitoreje, që do të jetë fitorja e familjes së zakonshme shqiptare. Që do të jetë fitorja e çdo shqiptari, në qytet ose në fshat, që do një vend ku çdo qytetar të jetë i barabartë para ligjit dhe për çdo qytetar mundësitë të jenë të barabarta në rrugën e lirisë së konkurrencës edhe të meritës”- tha Rama. Më tej kryesocialisti u shpreh se, viti 2013 do të jetë viti i ndryshimit për të rinjtë dhe për Shqipërinë, do të jetë viti i Shqipërisë evropiane. “Viti 2013 do të jetë viti i ndryshimit për Shqipërinë, do të jetë viti i ndryshimit për të gjithë brezat. Por do të jetë në radhë të parë viti i ndryshimit për të rejat dhe të rinjtë e këtij vendi. Sepse ne duam të shkojmë në Europë, po duam të shkojmë në Europë duke e bërë Shqipërinë evropiane. Duke bërë që në Shqipëri të jetohet si në Europë dhe jo duke ju thënë njerëzve në qoftë se doni Europën ikni matanë se këtu Europa është një utopi”,- shtoi Rama.

Rama: “Sistem unik administrimi për biznesin e vogël”

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka zhvilluar takime me tregtarët që ushtrojnë aktivitetin e tyre në njësinë bashkiake nr. 1, në qytetin e Tiranës.  Rama u njoh nga afër me shqetësimet e tregtarëve dhe i siguroi ata se PS do të heqë taksën e biznesit të vogël sapo të vijë në pushtet. Lideri i opozitës është angazhuar se PS në programin e saj përveç heqjes së taksës së biznesit të vogël, do të ngrihet një administratë tatimore: “Do bëjmë një sistem unik administrimi. Jo shtatë palë xhandarë, po një administratë tatimore. Do bëjmë çmos që ta lehtësojmë biznesin e vogël.”

Partia Socialiste pritet të ofrojë në koalicion opozitar mbi 20 parti

Partia Socialiste pritet të ofrojë në koalicion opozitar mbi 20 parti aleate në fushatën për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Deklarata vjen nga anëtari i kryesisë socialiste, njëherësh deputet i kësaj partie Ethem Ruka. Në një intervistë për AS ai nuk mohon mundësinë e bashkëpunimit me LSI, duke theksuar se PS ka nisur kontaktet intensive për aleancat e reja. “Ka një platformë për komunikimin me të gjitha forcat e tjera politike të cilat pëlqejnë strategjinë e PS. Ne jemi në një komunikim intensiv dhe them se forcat politike të cilat do të bashkëpunojnë me PS-në do ta kalojnë të 20-n”, tha Et’hem Ruka.