Air Albania zhduket përsëri, premtimi i pambajtur i ministres Balluku

483
Sigal

Air Albania zhduket përsëri. Linja ajrore nën emrin shqiptar që sipas premtimeve të qeverisë Rama do të ngrihej në qiell disa muaj më parë vijon të jetë një fantazmë. Pas prezantimit me bujë në verën e vitit që shkoi të avionit të parë, i cili bëri disa udhëtime provë Tiranë-Stamboll avioni u parkua në Turqi për të pritur licencimin. Tetori 2018 si afati i vendosur nga kryeministri Edi Rama për të nisur fluturimet “fluturoi” pa avion duke lënë shumë pikëpyetje për ecurinë e kësaj kompanie. Por sapo mediat nisën të hedhin dyshime për problemet në licencimin e kësaj kompanie ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku doli në Rinas, më 15 shkurt 2019 pranë avionit me mbishkrimin Air Albania dhe deklaroi, se për 10 ditë do të merrej licenca e fluturimit mirëpo akoma kjo kompani nuk e ka marrë licencën e fluturimeve as për fluturimet drejt Turqisë, ku është e vendosur dhe kompania mëmë Turkish Airlines. Disa fluturime që avioni Air Albania ka bërë i ka pajisur qytetarët shqiptarë me bileta që mbajnë mbishkrimin Turkish Airlines. Ndërkohë burime pranë Aviacionit Civil thanë, se procesi i certifikimit mund të kërkojë 1 deri në 3 vite kohë.