“Air Albania”, qeveria miraton marrëveshjen mes tre ortakëve për statutin e shoqërisë

Qeveria ka miratuar të martën e kësaj jave një vendim të veçantë që lidhet me marrëveshjen mes tre ortakëve të shoqërisë “Air Albania” për statutin e kësaj të fundit. Marrëveshja është lidhur mes Albkontrol, që është autoriteti shtetëror që përfaqëson shtetin në këtë sipërmarrje, ndërkohë që dy kompanitë e tjera janë Turkish Airlines dhe MDN Investment. “Air Albania” prej kohësh lakohet nga ana e qeverisë si një zgjidhje low cost për fluturimet në disa destinacione, por edhe pse janë dhënë një sërë afatesh për nisjen e këtyre fluturimeve ende nuk ka asgjë të saktësuar. Referuar statutit Albkontrol zotëron 10% të aksioneve, MDN Investment 41% dhe Turkish Airlines 49%. Më poshtë, vendimi i fundit i qeverisë.

V E N D I M PËR MIRATIMIN E MARRËVESHJES SË ORTAKËVE PËR STATUTIN E SHOQËRISË “AIR ALBANIA”, SH.P.K.

NOA

Nё mbështetje tё nenit 100 tё Kushtetutës, të ligjit nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar, të ligjit nr.10040, datë 22.12.2008, “Kodi Ajror i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe në vijim të vendimit nr.309, datë 16.5.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave të krijimit të shoqërisë “Air Albania”, sh.p.k., me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë dhe të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

  1. Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet ortakëve “ALBCONTROL”, sh.a., që përfaqëson palën shtetërore shqiptare, dhe “Turkish Airline” e “MDN Investiment”, sh.p.k., për statutin e shoqërisë “AIR ALBANIA”, sh.p.k., sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.2. Autorizohet shoqëria “ALBCONTROL”, sh.a., të ndjekë procedurat përkatëse për regjistrimin e marrëveshjes sipas pikës 1, të këtij vendimi, në regjistrin tregtar. 3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe shoqëria “ALBCONTROL”, sh.a., për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.