Ahmetaj: Fatet ekonomike të rajonit mund të ndryshojnë

408
Sigal

Gjermania është prapa kësaj iniciative, çka tregon qartësi e garanci që vendimmarrja do të jetë solide

Intervistë e Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, z. Arben Ahmetaj, me rastin e Konferencës së Ballkanit Perëndimor, organizuar nga Kancelarja gjermane Merkel, që do të mbahet në Berlin, më 28 gusht.

z. Ministër, ku do të përqendrohet në rrafshin ekonomik Konferenca Ballkanike, e cila do të zhvillohet me Kancelaren Merkel më 28 gusht në Berlin?

-Konferenca në Berlin në datën 28 Gusht me Kancelaren Merkel dhe me vendet e rajonit, në prezencën e Komisionit Europian, me vetë Presidentin Barroso, i ka të gjitha gjasat që të jetë një ndryshim njëherë e përgjithmonë për fatet ekonomike të rajonit. Konferenca do të fokusohet në katër pika kryesore: në infrastrukturën rajonale, ku vendet e Ballkanit do të bëjnë propozimet e tyre për projektet për infrastrukturën rrugore, hekurudhore gjithashtu, të cilat do të nisin integrimin e tregut ballkanik brenda vetes dhe në integrim me tregun e Bashkimit Europian. Elementi i dytë i rëndësisë së veçantë është infrastruktura energjetike, për të integruar sektorët energjetikë, dhe infrastrukturën energjetike të vendeve brenda Ballkanit Perëndimor dhe për ta bërë pjesë të tregut europian të energjisë. Shtylla e tretë është promovimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe arsimit profesional për të krijuar atë zinxhir të vazhduar të forcës së punës brenda Bashkimit Europian nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Shtylla e katërt është turizmi. Ballkani Perëndimor dhe Shqipëria përbëjnë një nga diamantet e mundshëm të turizmit europian dhe jo vetëm dhe do të jetë një nga fokuset e pjesës ekonomike të Konferencës së Berlinit.

z. Ministër, përse znj. Merkel në konferencën e shtypit, ku do t’ i bëjë një rezyme gjithë konferencës, së bashku me Presidentin Barroso, ka zgjedhur Kryeministrin Rama dhe jo kryeministrat e tjerë të Ballkanit?

-Jam në dijeni se Kryeministri shqiptar do të jetë i vetmi Kryeministër i Ballkanit që do të flasë në mbyllje të Konferencës së organizuar nga Kancelarja gjermane Merkel dhe kjo është një ngjarje e veçantë për Shqipërinë, është një vlerësim i drejtpërdrejtë për qeverinë shqiptare, është një vlerësim i drejtpërdrejtë për Kryeministrin, por mbi të gjitha është një vlerësim për vendin tonë. Si një nga të pranishmit në takimin dhe drekën e zhvilluar me Kryeministrit shqiptar dhe Kancelares Merkel, mund të them se ishte një takim ndryshe, i veçantë, tejet miqësor, edhe pse ishte i pari midis të dyve. Besoj që promovimi që Kryeministri Rama i bëri Shqipërisë dhe Ballkanit, si dhe fokusit tek nevoja e bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit, ishte një pikë kthese në marrëdhëniet mes dy vendeve tona, të cilat sot janë në pikën më të mirë. Pra, e theksoj që fakti që Kryeministri i Shqipërisë do të jetë i vetmi Kryeministër nga Ballkani që do të flasë në përfundim të Konferencës, është një vlerësim i drejtpërdrejtë për vendin tonë, për Qeverinë dhe Kryeministrin.

 z. Ministër, përse e merr këtë rol Gjermania dhe jo ndonjë vend tjetër? Cili është interesi i Gjermanisë tek Ballkani Perëndimor dhe tek organizimi i kësaj konference?

-Ballkani Perëndimor merr rëndësi të veçantë në ngjarjet globale qoftë në periferi të Bashkimit Europian apo edhe më tej. Sigurisht që, Ballkani tani konceptohet drejtpërsëdrejti pjesë integrale e Europës dhe fakti që Gjermania është prapa të gjithë kësaj iniciative tregon qartësi dhe mbi të gjitha garanci që vendimmarrja do të jetë solide dhe e ekzekutueshme.