Aksident i rëndë në minierë, ministria dhe policia e fshehin!

507
Sigal

BULQIZË-Pa u varrosur ende viktimat e tragjedisë së rëndë në minierë, një tjetër aksident regjistrohet në galeritë e Bulqizës, por është mbajtur ‘i fshehtë’ nga strukturat policore të Saimir Tahirit, dikasteri që drejtohet nga Damian Gjiknuri dhe firma shfrytëzuese e kromit në këtë zonë. Si pasojë e këtij aksidenti në punë, një minator 48-vjeç është gjymtuar përjetësisht (ka thyer shtyllën kurrizore) dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën në spital në Tiranë. “Ngjarja ka ndodhur tre ditë më parë në nivelin 14, pusi nr.2 në minierë që shfrytëzohet nga një pronar kryeqytetas. Viktimë e këtij aksidenti është 48-vjeçari G. L., nga Fushë-Bulqiza. Ai ka qenë duke punuar për nxjerrje kromi nga thellësia, në momentin kur është shkëputur një masiv shkëmbor dhe e ka zënë poshtë. Shokët i kanë afruar ndihmë, por ai është plagosur rëndë. Pas ndihmës në spitalin e Bulqizës, për shkak të gjendjes së rënduar, ai është nisur për në spital në Tiranë. Mjekët e kryeqytetit, nën përkujdesjen e të cilëve ndodhet 48-vjeçari, kanë konfirmuar dëmtimin e rëndë në shtyllën kurrizore të minatorit. Megjithëse ngjarja e rëndë ka tronditur qytetin, është konstatuar një përkujdesje për ta mbajtur të fshehtë atë. Nuk ka pasur asnjë komunikim publik as nga firma shfrytëzuese, as nga policia lokale, as nga strukturat e ministrisë përkatëse”,- konfirmojnë burimet për “Telegraf”. Në shumë raste, janë po këta struktura të lidhura me industrinë minerare, veçanërisht kur aksidentet rezultojnë pa të vdekur, përkujdesen ‘ta mbajnë të fshehtë.

Luan Qafoku