Agim Nesho: Çfarë i duhet Sekretarit të Shtetit Blinken të krijojë legasinë e tij në Ballkanin Perëndimor

57
Sigal

Fitorja historike e Presidentit Biden dhe vizioni i tij ‘Amerika është kthyer’ u prit me shumë shpresë nga opinioni publik në të gjitha vendet e Ballkanit. Ishte pikërisht ky rajon që u prek më shumë nga indiferenca e Administratës Trump si dhe nga politika e tij transaksionale për të gjetur zgjidhje të reja gjeopolitike në Ballkan, me një konsensus të ri me fuqi kompetitive botërore, të cilat duke parë prishjen e balancave me aleatët europianë po përpiqen të shtrijnë influencat e tyre në rajon. Shembulli i diplomacisë pa bosht të Grenell-it, që luhatej midis influencave lobiste dhe pragmatizmit të një militanti brenda vendit, krijoi konfuzion, pasiguri dhe dyshim për rolin e SHBA-së në të ardhmen.

Ardhja e Presidentit Biden jo vetëm solli shpresë për rikthim në normalitet, një rikthim të vlerave dhe parimeve demokratike, të respektimit të shtetit të së drejtës por edhe të rikthimit të Aleancës Euro-Atlantike, e cila ka qenë frymëzim dhe pikësynimi i gjithë demokracive të reja europiane pas revolucionit demokratik të viteve 1990.

Gjatë administratës Trump, çështjet e demokracisë ishin në rënie të lirë në shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Problemet e shtetit ligjor, korrupsionit, krimit të organizuar dhe lidhjet e tij me politikën, klientelizmi janë problemet ekzistuese që kanë mundësuar kapjen e shtetit dhe krijimin e regjimeve të reja autoritare si në Serbi, Shqipëri, etj. Balancat e pushtetit janë thuajse mosfunksionuese dhe tendencat e liderëve autoritarë gjithmonë e më agresive për të kontrolluar shtypin e lirë dhe drejtësinë, në funksion të pushtetit të tyre personal. Venitja e lidershipit amerikan dhe apatia e BE-së gjatë viteve të fundit i dha mundësi këtyre regjimeve, hapësira të reja për zgjidhje alternative dhe bashkëpunim me fuqitë rajonale si Rusia, Kina dhe Turqia.

Pamundësia për të mbajtur pushtetin në mënyrë normale, problemet e thella të mosfunksionimit të institucioneve demokratike dhe margjinalizimin e opozitës i ka kthyer një pjesë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në vende klienteliste të fuqive rajonale. Aq të fuqishme po bëhen këto raporte ndërvarësie sa në disa raste liderët ballkanikë kanë marrë përsipër iniciativa për skenarë të sponsorizuar, si ai i ndryshimit të kufijve në vendet ballkanike, skema që mund të sillnin në prishjen e stabilitetit dhe kthimin e tensioneve etnike. Strategjia e këtyre regjimeve qëndron si një kundërpërgjigje ndaj Europës kritikuese dhe refuzuese ndaj regresit demokratik, duke e trembur atë me mundësinë e rritjes së influencave të fuqive jo europiane.

Sekretari i Shtetit Blinken është përpara një sfide të madhe në Ballkanin Perëndimor që me pak përpjekje mund të përbëjë një nga legasitë e tij në politikën e jashtme.

Së pari, në rikthimin e vlerave të demokracisë dhe shtetit të së drejtës duke goditur regjimet putineske të Ballkanit Perëndimor, të cilat po fuqizohen gjithmonë e më shumë me ndihmën e oligarkëve. Rotacioni i elitave nuk është më një nevojë por domosdoshmëri për të mos rritur më tepër disnivelin me funksionimin e shteteve demokratike perëndimore. Demokracia në vendet e Ballkanit Perëndimor është një sistem i ri politik dhe duhet përkrahur sidomos kur psikologjia shoqërore në këto vende është e prirur historikisht të pranojë diktatin e liderit dhe nënshtrimin ndaj pushtetit.

Së dyti, vlerësimi për vendet Ballkanike duhet bërë realisht nga ecuria dhe përparimi i vendit dhe jo nga sjellja klienteliste e regjimeve ndaj fuqive të mëdha perëndimore. Regjimet ballkanike janë të prirura të shërbejnë në realizimin e politikave prioritare të SHBA- dhe BE-së në këmbim të harrimit dhe faljes së mëkateve të tyre gjatë ushtrimit të pushtetit të tyre. Të kënaqur nga ky qëndrim dhe me një stabilitet në vazhdim, në shumë raste politika e jashtme perëndimore mbetet peng e prioriteteve të saj si reforma në drejtësi, pa vlerësuar që reforma të tilla madhore dhe të nevojshme për vendin përdoren nga regjimet jo si qëllim por si mjet për të mbajtur pushtetin e tyre.

Një rast i tillë është Shqipëria ku regjimi i partisë-shtet të zotit Rama akoma përkrahet si nevojë për të realizuar reformën në drejtësi të filluar gjatë qeverisjes së tij. Kjo reformë është zgjatur nga regjimi për të fuqizuar pushtetin autoritar duke e lënë vendin pa Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë për afro tre vite. Mirëbesimi i perëndimit se mund të bëjë një veprim në favor të interesave të popullit dhe të funksionimit të shtetit demokratik jo gjithmonë shkon paralelisht me interesat e politikanëve që pushtetin e shikojnë si qëllim final. Shembull i këtij qëndrimi është vlerësimi kohët e fundit nga Departamenti Amerikan i Shtetit i një gjyqtari me një të shkuar kontroversiale, dhe i përdorur nga pushteti për të shkelur Kushtetutën dhe kontrolluar drejtësinë në mënyrë të njëanshme. E gjitha kjo në një kohë kur opozita Shqiptare po lufton të rikthejë balancat demokratike në vend.

Sekretari Blinken, një politikan me eksperiencë të madhe në politikën e jashtme dhe me një vizion të qartë për rolin e SHBA-së në botë në mbrojtje të demokracisë duhet ta udhëheqë këtë proces me vendosmëri. Nga këndvështrimi Shqiptar i ndryshimeve ai ka një Ambasadore të re, aktive që punon me devocion për zbatimin e politikës Amerikane në Shqipëri, por edhe individë të caktuar të nivelit të mesëm në Byronë Europiane të cilët mbështesin politikën e status quo-së dhe e shohin politikën Amerikane si vazhdimësi të administratës së kaluar. Në thelb ky qëndrim ka gjetur vend nga politikat lobuese të regjimeve të vendeve ballkanike dhe aktorëve të tjerë jo-shtetërorë që përkrahin veprimtarinë e këtyre regjimeve për interesa tregjesh dhe përfitime personale.

Kur Presidenti Biden thotë që ‘Diplomacia është rikthyer’, qëndrimet e ardhshme nuk kryhen për të justifikuar qëndrimet e mëparshme të atyre që i kanë konsideruar regjimet e Ballkanit si element stabiliteti në rajon, por duhet të lëvizin drejt një politike të re ndryshimi dhe rivendosje të funksionimit të demokracisë në një Ballkan të etur për t’i parë. Ballkani Perëndimor është rajoni ku Sekretari Blinken mund të sjellë një ndryshim të shpejtë.

Opinioni publik është pro frymës së re të Administratës Biden. Me pak përpjekje dhe vendosmëri, duke bashkëpunuar me BE-në, Gjermaninë dhe vizionin e zonjës Merkel për demokracinë, Ballkani Perëndimor mund të shërbejë si model suksesi për Konferencën e ardhshme për demokracinë që Presidenti Biden e ka konsideruar si prioritet të politikës së jashtme Amerikane.