Agim Jazaj: Parlamenti surrogato, komercialistët dhe idealistët…

597
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Këto ditë i nderuari dhe i respektuari Abaz Hoxha, një burrë me emër, publikoi një analizë të hollësishme. E falenderojmë dhe çmojmë jo vetëm ne, por shumë lexues të haberosur, për analizën e buruar nga burrëria dhe arsyeja, fisnikëria e një njeriu: mendjeartë dhe shpirtndritur. Duke hyrë në thellësinë e gjithë kësaj historie 30- vjeçare, çfarë ka ndodhur përgjatë këtij udhëtimi të vështirë nëpër gropa e humnera të shkatuar nga njerëz të vështirë, dhe të pështirë, të cilët e synojnë dhe e realizojnë: hyrjen dhe marrjen me politikë si përfitim personal e jo si shërbim kombëtar.

Këta njerëz i nderuar dhe i ndritur, janë specie komercialiste dhe aspak idealiste.

Ata e duan si i themi ne labët, “Lopën vetëm ta mjelin për vete, pa i’a bërë hyzmetin”, dhe të tjerëve t’u thahet buza!

Këta komercialistë nuk kanë shkatuar plagë e dhimbje vetëm në atë subjekt politik, po i kanë shkaktuar plagë të thella shoqërisë shqiptare, me fragmentarizimet, përçarjet, largimet, lëndimet dhe rikthimet në stallën e politikës, të cilën e kanë ndotur edhe më shumë.

Partia Demokratike dhe gjithë partitë shqiptare, janë pronë e gjithë shqiptarëve, dhe ata që janë brenda asaj stalle, kurrë nuk kanë më shumë arsyetim, atdhetari e kontribut se sa edhe kjo analizë e  z.Abaz Hoxha!

Ata nuk duan pushtet për shqiptarët, po duan pushtet për vete. Ata nuk duan mirëqenie për shqiptarët, po duan mirëqenie vetëm për vete. Ata nuk duan të shërbejnë, po duan të rrëmbejnë. Ndaj dhe jemi në këtë derexhe. L. Basha nuk humbi, po humbën shqiptarët. Edhe vota referendare e vjedhjeve të 25 Prillit e çmoi, e veçoi ndër më të votuarit në shkallë vendi, madje edhe mbi k/ministrin.

Sërish u vodhën, u deformua vota e shqiptarëve. Ka 30 vjet në vendin tonë hallemadh  që nuk bëhen zgjedhje, po realizohen VJEDHJE…

Ne jemi shumë larg, – 7 male kaptuar edhe me bashkëkombasit tanë, shqiptarëve të Kosovës, shtetit 13- vjeçar! Ndonëse realizoi zgjedhje të parakohëshme, më 14 shkurt, kur kurba e Covidit ishte në pikë, nuk i ndaloi bijtë e saj të vinin për të votuar në vendin e tyre!  Nga të 4 anët e botës shkuan në Kosovë bijtë e bijat e tyre dhe votuan qeverinë për t’i qeverisur!

“Shteti” baxhellë shqiptar, më 23 prill, kur kurba e Covidit ishte edhe më e ulët, i ndaloi bijtë e vendit, u mbylli derën të mos vinin, për të votuar në shtëpinë e tyre, për shtëpinë e tyre! Qeveria e ka tmerr, frikë “Votën e Arsyes” të emigrantëve.

Ata nuk i blen dot as me thesin e miellit, as me padronazhistët, as me vendin e punës- kanalet e zeza, duke ndotur ujërat e bardha!  Ja dallimi!

Në vend që gjithë shqiptarët të ishin bashkë kundër kësaj hataje, për këtë plagë të shkatuar dhe të përsëritur, komercialistët e thellojnë edhe më plagën…

Ju falenderojmë, i nderuar atdhetari  vlonjat, Abaz Hoxha!

 

 PARLAMENTI SURROGATO…

Parlamenti surrogato, i mbetur nga mbetjet e politikës dhe të shoqërisë, “lojtarët e stolit” u futën në ndeshjen e braktisur nga skuadra, pa bilbilin e kapitenit, madje kur tri skuadra të federuara braktisën fushën, lojën?! Kjo ishte dhe hataja më e madhe, kur këta të ashtuquajtur “të votuar nga sovrani”, ngritën zërin, duart dhe…për gjithë ato ligje që shaktërruan votën e sovranit, i dhanë fuqi votës së krimit. Po, ata marioneta të keqpërdorura, “bilbilonin” në tribunat e ndotura, duke ligjëruar edhe ligjin e vjedhjeve, si ligjin e zgjedhjeve të 25 prillit 2021. Ata u futën madje, edhe në zgjedhjet e 25 prillit, me partiçkat e tyre dhe morën: Noc Frrokun, -nuk i votuan as binatë e tyre. Edhe Bindja e pabindur, ristartoi pas dështimit të parë, kur dhe e vetme në “zgjedhjet”- vjedhjet e 30 Qershorit 2019, nuk i votoi as mëhalla e tyre! Këta mjeranë prodhojnë mjerim edhe për të tjerët, nuk kanë as nga një karro me votues! E gjithë kjo përpjekje zemëruese dhe dështuese, ishte kostoja e radhës mbi shqiptarët, duke u radhitur me pushtetin e krimit, e duke dhënë të drejtën e padrejtë pushtetit të krim-abuzimit! I njihnin dhe i shihnin çfarë monstra janë dhe çfarë monstuoziteti prodhuan! U kanë lënë pas edhe pasardhësve mëkatet e tyre… Zbatuan “filozofinë” e lashtë: “Për inat të sime vjehrre, shkoj e fle me mullixhinë”! Ligji është arsye, madje dhe mbi arsyen. A ka arsye, ka ligj në botën e arsyes që: 100 mijë vota të përkthen në 4 mandate deputeti për LSI, ndërsa 30 mjë vota të prodhojnë 3 deputetë për PSD?! – e denoncon dhe arsyeton publikisht edhe analisti Bledian Koka.  A ka ndodhur në ndonjë vend të botës, me këtë numër zgjedhësish të rezultojnë 84 mijë fletë votimi të pavlefshme?!  A ka në ndonjë vend të Evropës që numërorët të mos numërojnë, po të ngatërrojnë votën e zgjedhësit?! Ky është ligji dhe politika e grabitqarëve, zullumqarëve, hileqarëve dhe haleqarëve që prodhoi këtë produkt. Ky është absurdi shqiptar i radhës, nga ‘rilindasit’ e mandatit -Mandatës së tretë shqiptare! 500 mijë shqiptarë janë larguar nga vendi prej vitit 2010 deri në vitin 2019, për asye të varfërisë, papunësisë dhe të pamundësisë për të jetuar!… Kjo është Shqipëria që duam – prej atyre që Shqipërinë e urrejnë, e rrëmbejnë dhe e rrënojnë?!