Bujar SHURDHI/ Rezoluta çame ngeli në Qafë-Botë

585
Sigal

Po mbushen katër vjet nga marrja e mandateve të deputetëve të këtij Parlamenti, i cili si po duket shumë qartë nuk ka për të paraqitur për votim asnjë rezolutë për çështjen çame edhe mos ta kalojë në mendje asnjë shqiptar si në Tetove dhe në Shkodër, si në Vlorë dhe në Kumanovë, si në Prizren dhe në Prevezë, si në Tiranë dhe në Prishtinë, si në Preshevë dhe Gjirokastër, sepse parlamenti i sotëm nuk e ka në asnjë protokoll për të miratuar një rezolutë për çështjen çame. Ishin të shumta deklaratat nga Qafë-Bota në fund të muajit qershor se, muaji shtator do të ishte muaji i aprovimit të rezolutës për Çamërinë martire. Por, si gjithmonë deklaratat janë sa për zhurmë mediatike dhe zhurmë politike. Tani lind pyetja, pse rezoluta çame ngeli në Qafë-Botë!?, sepse deklaratat për rezolutën çame ngelën në Qafë-Botë, nuk shkuan as në Parlamentin shqiptarë, nuk shkuan as në Bruksel, nuk shkuan dhe matanë kufirit shqiptaro-shqiptar se matanë atij kufiri kemi miliona vëllezër shqiptar. Mbas viteve ’90-të u miratua një Rezolutë për çështjen çame, por ajo rezolutë morri votat e 140-të deputetëve, nga miratimi i kësaj rezolute u njoh dhe u pranua nga Kuvendi Popullor “Dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë”, d.m.th, u caktua dhe data 27-Qershor dhe u ngrit një memorandum në Bashkinë e Konispolit në kujtim të të masakruarve nga gjenocidi grek. Kjo tregon shumë qartë se nuk kishte asnjë shans, asnjë individ, ose grup individësh për të bllokuar rezolutën për Çamërinë martire, kurse vet Tirana zyrtare nuk ishte anëtare në asnjë institucion vendimmarrës ndërkombëtar. Po sot, ku Shqipëria është anëtare e NATO-së, ku populli shqiptar po integrohet, kush po e bllokon rezolutën për Çamërinë. Por siç shikohet shumë qartë rezoluta çame ngeli në Qafë-Botë dhe nuk po e gjen dot rrugën për në Parlament. Në emër të integrimit kombit shqiptar po i bëhet një dëm shumë i madh, çështjet kombëtare po ngelen pezull, edhe në disa komuna në Sarandë, Gjirokastër, Mitrovicë, Kumanovë, kombi shqiptar po humb terren, edhe po realizohet një kthim jo historik, tek këto komuna po realizohen enklava të një tipi të ri nga enklava me pretendime jo shqiptare po kthehen në enklava me pretendime antishqiptare. Rezoluta për Çamërinë martire ngeli në Qafë – Botë se Parlamenti shqiptar për interesa të ngushta, të disa individëve në emër të integrimit dhe të një jetese kozmopolite shqiptare, po miraton vetëm nisma për enklavat me pretendime antishqiptare.