Afrim Krasniqi:“PD-PS mbajnë peng votën dhe shansin për ndryshim”

447
Sigal

Poshkohet drejt ndryshimit të personave nonimalë në sistemin korruptiv, pa ndryshuar sistemin

Politologu i njohur Afrim Krasniqi, në intervistën për “Telegraf”, shpjegon se, zgjedhjet e 23 Qershorit, nuk do të sjellin ndryshimin që kërkojnë shqiptarët dhe perspektiva e integrimit, por në ndryshimin e personave nominalë në sistemin korruptiv. Për 3 ligjet, zoti Krasniqi thotë se, “humbi rëndësia e 3 ligjeve dhe se u konsumua retorika e integrimit”.

– Zoti Krasniqi, ajo që bie në sy, në fushatën elektorale Rama-Berisha, është gara midis tyre, se cili do të premtojë më shumë ulje taksash dhe hapje vendesh pune. Si mendoni, a ka realizëm në këto premtime?

Dy kandidatët kryesorë për Kryeministër janë të detyruar t’i përshtaten pritshmërisë së elektoratit. Kur qytetarët u kërkojnë atyre vende pune, flasin për varfëri, për kushte mbijetese, atëherë ata janë të detyruar t’u përgjigjen këtyre problemeve, përmes ofertave ekonomike. Nga njëra anë, ky është zhvillim pozitiv. Nga ana tjetër, çdo pale i mungon diçka thelbësore: kostoja financiare e premtimeve të tyre. Asnjëra palë nuk flet se nga do të merren paratë, që ata premtojnë për investime, apo vende të reja pune. Le të flasim për punësimin: secila premton 250-300 mijë vende pune. Sipas ekspertëve, kosto për një vend pune është 15-20 mijë euro, pra, kostoja që palët premtojnë vetëm në këtë pikë është rreth shumëfish më shumë sesa i gjithë buxheti shtetëror katërvjeçar. Ose investimet publike: palët premtojnë rrugë, autostrada, shkolla, ura, sheshe të reja, hekurudhë apo tramvaj, kanalizime dhe ujësjellës, poste moderne dhe teknologji bashkëkohore, – premtime që tejkalojnë shumëfish edhe buxhetin e një vendi 10 herë më të zhvilluar sesa Shqipëria. Gjithë bota është në krizë ekonomike, të gjithë flasin, vetëm këta tanët jo. Ata nuk kanë kurajë t’i thonë publikut sesi është gjendja reale e ekonomisë shqiptare. Kur të vijë kriza e vërtetë, efekti i saj do të jetë i njëjtë me piramidat e vitit 1997. Dhe kriza është afër, shumë afër. Një arsye tjetër e kalimit të retorikës, nga debati politik, tek premtimet ekonomike, është natyra klienteliste e këtyre zgjedhjeve. Kur palët humbin mbështetjen e publikut, nuk kanë autoritet moral dhe nuk kanë mjet tjetër për t’u bërë atraktivë, atëherë ata sillen si shefat e grupeve mafioze: dalin, duke ndarë para, privilegje dhe dhurata. Paguhet mbështetja, por edhe heshtja, paguhet informacioni dhe manipulimi informativ, paguhen grupet rivale dhe familjet me peshë, paguhen menaxherët, forcat e sigurisë dhe gjithçka tjetër. Siç po ndodh edhe tek ne.

–  Para disa kohësh ndërkombëtarët bënin apel klasës politike që standardi i zgjedhjeve të 23 Qershorit, do të jetë testi më i rëndësishëm për kushtëzimin e marrjes së statusit kandidat. Tani thonë “Njohja e rezultatit nga të gjitha partitë”. Këtë kthesë të ndërkombëtarëve, si ta konceptojmë?

Nuk ka ndryshim qëndrimi, por ndryshim strategjie. Sepse palët ndodhen shumë pranë njëra tjetrës dhe rreziku më i madh është përpjekja e njërës palë për të manipuluar ca vota, siç ndodhi në zgjedhjet e fundit në Tiranë, duke devijuar mandatin kryesor qeverisës. Nëse kjo ndodh, atëherë dy palët do dalin në rrugë dhe kjo do të shënonte fundin e zgjedhjeve. Ndaj, faktori ndërkombëtar kërkon vetëpërmbajtje, zgjedhje, sjellje korrekte dhe më pas merret me cilësinë e tyre. Sepse, vetë fakti që KQZ-ja nuk është funksional praktikisht, e ka bërë të pavlefshëm argumentin e cilësisë së zgjedhjeve. Arsye tjetër, është edhe ftohja e dukshme e qeverisë me SHBA-ë, shtetin kryesor investues të demokracisë dhe standardeve zgjedhore në Shqipëri. Ftohjet ndodhin për interesa të mëdha, jo për një ose dy mandate të deformuara parlamentare, ndaj edhe komuniteti ndërkombëtar unanim tregohet i ndjeshëm ndaj atyre liderëve, të cilët, për interesa thellësisht personale, janë të gatshëm të sakrifikojnë interesat publike dhe strategjike të vendit.

– Derisa pranohet edhe nga ndërkombëtarët që standardet e zgjedhjeve janë shkelur me prekjen e KQZ-së, por, qëndrimin e zotit Moore, se në pamundësi që partitë të gjejnë kompromisin për KQZ-në, Kolegji Zgjedhor mund të japë zgjidhje, si mund të interpretohet politikisht?

KQZ-ja duhej të ishte e plotë, Kolegji duhej të ishte i pavarur. Ato nuk janë, ndaj edhe janë kërkuar rrugë të tjera, që minimizojnë riskun. I tillë është qëndrimi amerikan për Kolegjin, me shpresën se ky organ, është më pak militant sesa KQZ-ja, gjë që është e vërtetë. Kriza në KQZ nuk u shkarkua nga faktorë të jashtëm, por fillimisht nga PD-ja dhe më pas edhe nga PS-ja, pra nga aktorë vendor, ndaj BE dhe SHBA refuzuan ndërmjetësimin, duke e kuptuar se nuk bëhet fjalë për divergjenca teknike, por për strategji dhe interesa elektorale të palëve.

– Kush humbet?

– Në sistemin maxhoritar, risku është i madh, në sistemin proporcional është minimal, sidomos nëse diferenca midis palëve (votat midis mandatit të fundit të fituar dhe atij të pretenduar) risku nuk është shqetësues, pra nuk deformon dot vullnetin e zgjedhësve dhe nuk cenon mandatin e palës fituese.

– Miratimi- më në fund- i 3 ligjeve nga një sesion i jashtëzakonshëm i një Kuvendi me mandat të mbaruar, a mund të jetë një hop cilësor i Shqipërisë në rrugën e integrimit?

Cilësor? Përse? Aty ishin palët 4 vjet dhe nuk i miratuan. Pse e bënë tani? Sepse humbi rëndësia e 3 ligjeve dhe se u konsumua retorika e integrimit. Një arsye tjetër lidhet me ndryshimin e pozitës së dy palëve. P.sh, PS-ja ishte e detyruar ta miratojë kërkesën ndërmjetësuese të LSI-së dhe llogaritet interesin e saj postzgjedhor, kurse PD-ja mendon edhe për kalimin në opozitë dhe ndryshimi në rregulloren e Parlamentit i ofron asaj garanci që nuk i kishte opozita e sotme. Për më tepër, miratimi i ligjeve nuk pati jehonë dhe as impakt publik, BE-ja shpalli si kriter themelor zgjedhjet, kurse qytetarët ishin indiferentë. Atë ditë pati fishekzjarrë në Tiranë, por ato nuk ishin për tre ligjet, ishin për suksesin e Elhaida Danit dhe kjo është domethënëse.

– Nga 23 Qershori, shqiptarët mund të shpresojnë një ndryshim nga grija e konflikteve politike, që ka shkaktuar stanjiacion e zgjatje të periudhës së tranzicionit? A ka premisa për një reformim?

Nuk besoj se ky sistem zgjedhor dhe kjo sjellje politike ofron shanse e garanci për reforma të thella. Po shkohet drejt ndryshimit të personave nonimalë në sistemin korruptiv, pa ndryshuar sistemin. Kjo është gabim dhe nuk zgjidh asgjë. Vendi ka nevojë për reformë të thellë kushtetuese, politike, ekonomike, administrative, gjyqësore, etj dhe dy palët politike nuk kanë ndonjë ofertë për këtë. Ndaj merren me njëri tjetrin. Palët që kanë një projekt politik kanë shanse të kufizuara imponimi ndaj edhe pres që katër vitet e ardhshme të jenë vite stanjacioni, me trend pozitiv, por pa ndonjë efekt të dukshëm në strukturën shoqërore dhe ekonomike të vendit.

– Forcat e reja politike, AK dhe FRD, a mund të plotësojnë atë boshllëk politik që krijon mosbesimi i njerëzve për partitë e deritanishme dhe a shpresoni se kjo mund të shprehet në rezultatin zgjedhor?

Janë dy forca të ndryshme, me anëtarësi, synime dhe identitete të ndryshme. Nëse do ishin së bashku forca e ndryshimit, do të ishte më e madhe, por midis tyre ka dallime jo vetëm politike. P.sh, FRD-ja vendosi që në krye të herës të ishte e vetme në zgjedhje përballë partive të tranzicionit, kurse AK-ja e mori këtë pozicion të vonë vetëm pas dështimit të negociatave të gjata me të majtën. FRD ka një program politik me pretendime reformimi të sistemit politik, AK ka një program kryesisht nacionalist. Për këtë arsye, e para ka më shumë simpati ndërkombëtare, sesa e dyta. Por në terren, ato përballen me dy rreziqe të mëdha: presionin e madh të dy partive kryesore për t’i eklipsuar ato (pushime nga puna, presione, shantazhe, akuza, mbyllje e hapësirës mediatike, etj), si dhe hendekun midis numrit minimal të qytetarëve, që janë të gatshëm të sakrifikojnë për ndryshimin dhe numrit maksimal të atyre që janë të gatshëm të jetojnë në çdo regjim në shkëmbim të një favori personal, apo familjar. Së fundi, është çështje e sfidave të lidershipit të tyre, nëse ata shohin përtej një apo disa zonave të sigurta, nëse krijojnë parti me tipare demokratike të ndryshme nga partitë e vjetra dhe nëse janë të afta të menaxhojnë situatën në favor dhe 18-28% të zgjedhësve, që janë votues të rinj apo të zhgënjyer me partitë e mëdha për të ofruar një alternativë pozitive dhe afatgjatë. Kjo vjen sidomos për FRD shanset e të cilës për përfaqësim parlamentar edhe në këtë sistem zgjedhor janë shumëfish më të mëdha, sesa AK

Liderët me axhendë personale dhe atë  të zhvillimit të Shqipërisë

– A ka interes që kjo klasë politike të reformohet për të përçuar zhvillimet demokratike më përpara?

Nuk besoj. Ata janë aty në krye prej 20 vitesh dhe nuk e kanë bërë, pse të besojmë se tani kanë ndryshuar? Ata u provuan njëherë, patën problem, dështuan, u rikthyen dhe patën/kanë dyfish probleme. Pra, nuk janë të reformueshëm dhe për ta nuk vlen shprehja e shansit të dytë. Ata e kanë humbur shansin e parë, të dytë dhe po kërkojnë shansin e tretë. Shumë për një vend. Asnjë vend tjetër nuk e ka dhënë një shans të tillë, por me votë ka bërë ndryshimin. Tek ne ata mbajnë peng votën dhe shansin për ndryshim. Ky nuk është problem, ky është një krim. Ata kanë axhendë personale, demokracinë e shohin si hapësirë për abuzim me liritë e saj, atdheun e shohin të identifikuar në familjen personale dhe zhvillimin e vendit e lidhin vetëm me kontot personale të llogarisë. Nuk shohin më tej, nuk kanë sens mase, sens përgjegjësie dhe sens qytetarie. Ndaj kjo klasë politike është bërë pengesë për të gjithë, përfshirë edhe për veten e saj, sepse në një sistem abuziv e kënetor edhe ata vetë mund të jenë lehtë viktimat e radhës.

 – Faleminderit!