Qeveria e ardhshme në dorën e tradhëtarëve

488
Sigal

Përllogaritjet e fundit evidentojnë 4 qarqet, ku do vendoset rezultati, që janë Tirana, Elbasani, Durrësi dhe Fieri

 Sipas ndarjes elektorale, parashikohet që në 12 qarqet të zhvillohet një rivalitet i ashpër i dy koalicioneve kryesore, por në 4 prej tyre do të bëhet diferenca e rezultatit. Dhe këto katër qarqe janë: Tirana, Durrësi, Elbasani dhe Fieri. E themi këtë, pasi në këto qarqe në vitin 2009, pati surpriza interesante dhe rezultati njohu ndryshime deri në numërimin e kutisë së fundit. Por aktualisht, shumë gjëra kanë ndryshuar dhe raportet janë rivendosur të reja.

Qarku i Tiranës

Aktualisht, Qarku i Tiranës ka 32 mandate dhe në këtë mënyrë kryeqyteti do të ketë numrin më të madh të përfaqësuesve në Kuvendin e ardhshëm. Në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009, rezultati u barazua në shifrat 16 me 16. Këtu PS, mori 15 deputetë, PD-ja, 15, ndërsa LSI dhe PR morën nga një deputet dhe përkatësisht Ilir Metën e Fatmir Mediun. Por atëherë, pas koalicionit të LSI-së me PD-në, diferenca shkoi 17 me 15, në favor të ish- koalicionit qeverisës. Ndërkaq, për këto zgjedhje parashikimi i specialistëve, por edhe testimet e ndryshme që janë bërë nga sondazhe të herëpashershme nxjerrin një rezultat të barabartë midis të majtës dhe të djathtës në shifrat 16 me 16, ku në vend të Mediut, parashikohet një mandat për partinë çame, PDIU. Nga ana tjetër, LSI e ka gjithashtu, të sigurt një mandat në kryeqytet. Dhe në këtë mënyrë barazimi në Tiranë, flet për një mundësi barazimi të deputetëve edhe në total, me rezultatin 70 me 70. Por këtu sipas lëvizjeve më të fundit, ekziston edhe një mundësi tjetër, ku e majta të marrë 17 deputetë dhe e djathta vetëm 15 deputetë. Sepse në këto zgjedhje menjëherë kalimi i një deputeti në krahun tjetër e lëviz diferencën në dy. Nga rezultati i kryeqytetit do të varet edhe në një farë mënyre diferenca e dy koalicioneve në rezultatin e përgjithshëm përfundimtar. Sepse dihet se, në qarqet e tjera, rezultati do të jetë i përafërt, ose më diferenca mjaft të papërfillshme.  Pra, duke i hedhur në tavolinë alternativat e rezultateve, bëhet e ditur se opsionet e  vetme janë dy: ose rezultat i barabartë, ose dy deputetë më shumë për koalicionin e majtë. Këtu duhet të përmendim edhe kujdesin e dy liderëve kryesor për zgjedhjen e deputetëve, por ndofta edhe nxitimin e PD-së për kandidimin e tre deputetëve të ikur nga kupola rozë. Ende nuk është provuar se si do të priten kandidaturat e tyre nga vota e elektoratit që tradicionalisht, është i djathtë. Për Tiranën duhet thënë se fati i së majtës varet nga elektorati i LSI-së. Nëse ky elektorat do të qëndrojë strikt dhe i bashkuar, atëherë e majta do të marrë dy mandate më shumë. Por këtu duhet thënë se gjatë kohëve të fundit, në gjirin e LSI-së janë evidentuar shumë të pakënaqur, të cilëve u është premtuar punësimi, në mandatin e kaluar, por ky premtim ka mbetur vetëm në letër. Këtu duhet përmendur edhe fakti tjetër, se AK, është një faktor që do të dëmtojë shumë të majtën, pa harruar edhe faktin tjetër, se ata kandidatë që mbetën jashtë listave të PS-së do të ndikojnë negativisht për PS-në.

Qarku i Durrësit

Qarku i Durrësit ka 13 mandate dhe në zgjedhjet e vitit 2009, Partia Demokratike ka marrë 8 deputetë, Partia Socialiste 4 deputetë dhe LSI 1 deputet. Por këtë radhë Durrësi njeh disa zhvillime të reja, në garën e deputetëve, sepse këtu nga njëra anë ka ndodhur bashkimi i PS-së me LSI-në dhe nga ana tjetër, kemi ndikimin e kandidatit të PR-së, Agron Duka, i cili gëzon një reputacion të konsiderueshëm tek simpatizantët e tij. Dhe për këtë arsye kandidimi i tij, do t’i prish shumë punë koalicionit të majtë. Nga ana tjetër, si kundërpeshë ndaj, PD-së këtu mund të llogariten kandidaturat e FRD-së. Këtu do të përmendim jo aq shumë, emrin e Oketës se sa ndikimin e dukshëm të kandidatit të dytë të kësaj partie, që është Sami Gjergji, i cili duhet përmendur si një faktor. Në këtë mënyrë, zgjidhja e vetme për PD do të konsiderohej bashkëpunimi i Berishës me FRD, në mënyrë që të mbledhë votat e nevojshme për të maksimalizuar rezultatin e Durrësit. Sepse deri tani, sipas përllogaritjeve, sondazheve, analizave krahasimore dhe verifikimeve në terren parashikohet që rezultati i Durrësit të dalë 7 me 6, në favor të koalicionit të djathtë. Ky mund të konsiderohet një rezultat pozitiv për të djathtën por edhe tepër preferencial për të majtën, i cili do të mbetet si maksimumi që mund të marrë PS-LSI, në qytetin bregdetar të Durrësit.

Qarku i Elbasanit

Qarku i Elbasanit ka 14 mandate dhe gjatë zgjedhjeve të vitit 2009, rezultati i këtij qarku për dy koalicionet kryesore ka qenë 7 me 7.  Është qyteti që ka një shpërndarje thuajse të barabartë të elektoratit për të dy koalicionet me një avantazh të lehtë të të majtëve, ku bashkimi PS-LSI, e nënvizon më tepër atë. Por këtu duhet thënë se kandidatura e Haxhinastos është një kandidaturë e dobët dhe pa reputacion pozitiv në këtë qark, kështu që emri i tij, më shumë e rëndon negativisht, se sa e ndihmon pozitivisht koalicionin e majtë. Këtë e themi, se në Elbasan, LSI ka një numër të konsiderueshëm figurash që gëzojnë reputacionin dhe vlerësimin e votuesve. Dhe nëse balanca e votave lëviz, atëherë diferenca midis të djathtës dhe të majtës, bëhet dy. Këtu natyrisht, shihet një diferencë e vogël e koalicionit të majtë, por nga ana tjetër, e djathta, shpreson tek balancimi i partisë çame PDIU, për të marrë një mandat të sigurt.

Qarku i Fierit

Qarku i Fierit ka 16 mandate, ku gjatë zgjedhjeve të vitit 2009, këtu PS ka marrë 9 deputetë, PD ka marrë 6 deputetë dhe LSI, 1 deputet. Por këtu duhet të përmendim faktin se, e djathta humbi një deputet vetëm për 1500 vota, më pak. Ndryshe, e djathta do të kishte marrë mandatin e 7-të dhe për këtë arsye, aktualisht koalicioni i Berishës po punon fort për ta fituar këtë mandat. Por këtu janë edhe disa faktorë determinantë që do të përcaktojnë rezultatin. Dhe ata janë, pro së djathtës. Kështu mund të përmendim kandidatët çamë, ku njeri prej tyre, Shpëtim Idrizi është në listën e PD-së, së Fierit, ndërkohë që, në emër të PDIU-së kandidon një tjetër personalitet i kësaj partie. Ndërsa, faktori i dytë ka të bëjë me emrin e kandidatit të pavarur, Dritan Prifti, i cili do të thithë një numër të madh votash nga krahu i majtë. Këtu lufta e të djathtëve bëhet për të dalë 9 me 7 dhe në këtë mënyrë PD neutralizon deficitet, në zonat e tjera. Por përsëri sipas aritmetikës paraprake, me këtë rezultat në Fier, del se koalicioni i majtë do të marrë 71 mandate ndërsa i djathti 69 mandate. Gjithashtu, ekziston edhe një mundësi tjetër, që PS të marrë 70 vota, PD, 69, ndërkohë që në Vlorë të mandatohet edhe Arben Malaj, i cili ka deklaruar se do të bashkohet me PS-në, në koalicion, kundrejt kushteve që ai do të kërkojë prej Ramës. Këtu përfshihet edhe kërkesa për poste qeveritare, apo pozicione të ndryshme.

Finalja

Në këtë mënyrë duket sikur e drejta e formimit të qeverisë i takon koalicionit të majtë, por në fakt, këto zgjedhje do të ruajnë surpriza deri në fund. Sepse sipas burimeve të besueshme, mësohet se 3 deputetë rozë, do ta kthejnë arenën e politikës paszgjedhore në një pikëpyetje të madhe, duke u bërë ata vetë si protagonistë të Kalit të Trojës, brenda të majtës. Dhe në këtë mënyrë, kundrejt joshjeve të ndryshme ata do të kalojnë me PD-në, duke ndjekur kështu shembullin e treshes së mëparshme, Islami-Dogjani dhe Kadeli. Dhe nga kjo situatë, raportet e forcave do të përmbysen përsëri.